Suplementi Pena Shqiptare/ Lela Kokona Dardha: E dashuruar me artin e fjalës

857
Sigal

Lela Kokona (Dardha) ka lindur më 21 dhjetor 1950, në Tiranë. Ka kryer shkollën e Gjuhëve të Huaja, dega rusisht në Tiranë. Ajo lindi e u rrit në një familje me tradita patriotike dhe intelektuale.

Ka punuar për vite si mësuese, fillimisht e rusishtes, por më pas, duke iu bërë kjo e pamundur, ndërron profil dhe kalon si mësuese e arsimit tetëvjeçar në zonën e Shijakut, ku u martua dhe krijoi familje. Punonte me pasion dhe dëshirë dhe klasat e saj, gjithmonë dilnin me rezultate të larta. Kjo i jepte edhe më shumë motiv dhe stimul për të punuar. Dhe puna e shpërblen gjithnjë njeriun; ajo caktohet përgjegjëse e punës metodike për metodat e mësimdhënies, në të gjithë zonën që mbulonte ai vend, deri sa doli në pension. Për Lelën, kjo ishte veç të tjerash edhe një mundësi e mirë për të njohur më në thellësi jetën e atyre njerëzve, përpjekjet, sakrificat për mbijetesë, por edhe zakonet dhe mënyrën e jetesës, çka, më vonë, do t’i vlente shumë në aktivitetin e saj letrar. Gjithsesi, jeta dhe veprimtaria në një qytet të vogël, me normat dhe klishetë e ngurta të tij, nuk ishte e lehtë për t’u jetuar. Sidomos në ato kohëra kur njeriu ishte i shtrënguar të ndiqte rrugën e përcaktuar, normat e imponuara dhe veç kësaj, edhe një farë mendimi të ngushtë e meskin, që vinte nga poshtë e që ishte gjithmonë aty në trajtë trysnie. Dhe ndoshta, ishte pikërisht edhe për shkak të kësaj, që Lela, ashtu siç ndodh shpesh me shpirtrat e lirë dhe mendjet e hapura, dimensionin tjetër të lirisë, atë të shpirtit, e kërkoi dhe e gjeti mjaftueshëm ndër faqet e librave. Ndjeu dhe jetoi historitë, dramat, bëmat dhe gëzimet që haste në shpirtin e çdo libri, se çdo libër ka një shpirt dhe është një jetë. Kjo është arsyeja që ai është mik i pagabueshëm, i pa zhgënjyeshëm, i çiltër e besnik. Ai të kupton pa i folur e të ndjen pa iu qarë. Kjo lidhje u bë edhe më e fortë me kthimin në Tiranë dhe daljen në pension të parakohshëm.

Ndryshimet në ato kohë fillim tranzicioni ishin marramendëse. Ishin ndryshime që rroknin gjithçka: vendin, shtetin, punën, vendbanimin, sigurinë, formën e të menduarit, pra thelbin e jetës. Kaosi, edhe ai mendor, ishte i madh. Por, edhe mundësitë për burime mësimi dhe informimi ishin akoma më të mëdha. Ishte e natyrshme; gjithë ky vrull prej stuhie s’kishte si të mos prekte e të formësonte edhe jetën e Lelës. Ishin kohë transformimi, gati-gati transhendence, veçanërisht për ata shpirtra, që bota ekzistuese i dukej e vogël, e ngushtë dhe e pamjaftueshme. Në vorbullën e trazuar të kohës, ajo angazhohet si mësuese në një shoqatë të huaj, që merrej me strehimin dhe integrimin e fëmijëve të rrugës. Aty vë tërë forcat dhe shpirtin e saj për të mësuar, por edhe për të ndihmuar me sa mundej, por me gjithë fuqinë e shpirtit të saj energjik, ata fëmijë të harruar të fatit. Në fakt, edhe pa një formim të mirëfilltë të profilizuar, krejt vetvetishëm, ajo bëri më së miri punonjësen sociale. Orët e mësimit ishin për fëmijët momenti më i gëzuar i ditës, momenti ku ata ndjenin përfilljen dhe dashamirësinë, kujdesin dhe dashurinë. Disa prej tyre, i shkonin edhe në shtëpi kur kishin diçka për të ndarë, gëzime apo brenga, që ata nuk mund t’i mbanin deri të nesërmen. Shkonin me lot në sy, apo me buzëqeshje në fytyrë. Por ata nuk kishin si ta kuptonin, se edhe ata po bënin diçka madhështore, diçka te fuqishme e të mrekullueshme: po ndryshonin një qenie, po fisnikëronin një shpirt, po shenjtëronin një jetë. Ishte kjo mirënjohja më e mirë dhe dhurata më e çmuar, që jeta i kishte bërë dhe që e shoqëronte si një aureolë.  Gjithë ajo çfarë ishte gatuar si një zjarr në shpirtin dhe qenien e saj, dalë-ngadalë, po kthehej në një llavë, që orvatej të shfrynte e të shpërthente me tërë forcën dhe energjinë, që kish qëndruar e fjetur ndër ngjarje e vite. Dhe vullkani erdhi. Libri i saj i parë, “Kujtime të Trishta” ishte një shpërthim ndjenjash të hedhura në letër, që brenda kishte tharmin e dhimbjes dhe të mallit për motrën e dashur, të larguar para kohe nga kjo jetë. Në fakt, ky libër është një biografi e sjellë artistikisht në formën e një romani, me ngjarje të jetuara, por edhe me fantazi dhe situata të imagjinuara. Personazhet janë realë, por edhe të latuar e ngjyruar, për të sjellë më mirë qëndrimin e saj si autore. Kështu, kjo ngjarje, nuk na vjen thjesht si elegji e përlotur e sentimentale të një shpirti të thyer, por edhe si flakë shprese, që regëtin edhe në rrugëtimet më të errëta të shpirtit. Në faqet e tij, ndeshim humorin, gëzimin, luftën, përpjekjen; ndeshim situata të këndshme e shpresëdhënëse, të servirura me vërtetësi dhe  thjeshtësi të sinqertë. Ky libër u pëlqye veçanërisht, nga ata dhe ato që kishin pasur histori të ngjashme familjare dhe që në faqet e tij lexonin brengën dhe shpirtin e tyre, por merrnin edhe forcën e ngrohtësisë së shpresës dhe gëzimit të jetës. Libri i dytë

‘’Fate të Trashëguara’’ u shkrua pak kohë pas të parit. Nëpërmjet tij, autorja përpiqet të pikturojë tablonë sipas saj, të realitetit tjetër shqiptar. Atij realiteti, që shpesh fshihet, ose herë-herë, mbulohet me ngjyra të ndezura. Nëse në librin e parë kemi dhimbjen dhe shpresën që ka të bëjë me vdekjen dhe dashurinë për jetën, në të dytin, kemi jetën si realitet i jetuar dhe vullnetin e luftën për ta ndryshuar. Romani është pa frikë një psikanalizë e thellë e shoqërisë shqiptare, në kuptimin që ai prek dhe zbulon plagë të fshehura, të kapluara e të ngërthyera fort në thellësi të oqeanit shpirtëror shqiptar. Dhe Lela i hap një nga një shtresat e shtypjeve dhe frenimeve psikologjike, që japin dhimbje dhe ankth të tmerrshëm, por që më pas çlirojnë energji të bllokuar, japin lehtësim të qenies dhe shije jetës. Heronj të romanit, nga të cilët buron forca e brendshme, trimëria dhe sprova për të guxuar, në të vërtetë, janë ata që duken më të dobëtit, më të brishtët, më zemërbutët, më shpirtdëlirët. Ata, që nuk kanë frikë, as turp të shfaqen siç janë, me botën e tyre të vërtetë dhe me mirësinë si brerore. Ky roman është një himn për gruan; për gruan si nënë, si bijë, si bashkëshorte e si mike. Vetëm shpirti i një gruaje të vuajtur, me zgjuarsinë e lindur dhe dijen e kultivuar, mund të qëmtojë plagët e padukshme në trup e në shpirt. Vetëm intuita e saj, frikshmërisht e pagabueshme, është në gjendje të lexojë me lehtësi librin e mbyllur me kujdes të mashkullit më të fortë e nopran dhe t’i interpretojë atij me sy mbyllur, kuptimin e faqeve të tij. Vetëm ajo, gruaja, mund ta bëjë këtë. Ajo, më shumë se kushdo tjetër, ka nuhatjen dhe aftësinë të kapë edhe valëzën e puhisë së erës të krijuar nga rrahjet e krahëve të një zogu, por edhe kurajën për të luftuar si luaneshë, dhe të përballet me vështirësi, në dukje të pakapërcyeshme, për një jetë të denjë e të vërtetë për të dhe familjen e saj. Dhe çka është më e rëndësishmja, e gjitha kjo vjen me një tregim që të rrëmben e nuk të lë t’i ndahesh asnjë sekondë, për të lexuar se çfarë vjen më pas.

‘’Dashuri Rrëqethëse’’ është romani tretë i shkrimtares Lela Kokona Dardha. Ashtu si edhe në dy të parët, ajo trajton fatin e njeriut dhe në veçanti atë të femrës. Rrethana, ngjarje, dhe kushte atipike ngërthehen e gërshetohen me jetët dhe veprimin e personazheve, duke i vendosur ata në situata po aq të pazakonta. Dashuria për jetën dhe lufta për ruajtjen e dinjitetit njerëzor në kushte të jashtëzakonshme, mbeten tema të preferuara të shkrimtares. Personazhet e saj vendosen në rrethana ekstremisht të vështira, në pamje të parë pa mundësi reagimi dhe rrugëdaljeje. Por ata nuk stepen, as nuk dorëzohen. Në faqet e këtij libri ka luftë. Njeriu ndeshet e përleshet. Kundër fatit dhe të keqes. Ndeshet me njeriun dhe shoqërinë, me rrethanat dhe moralin… Por, gjithmonë, ajo që triumfon është jeta, me gjithë vështirësitë dhe vuajtjet njerëzore; ajo që ngadhënjen është dashuria, nëpërmjet forcës së paepur shpirtërore që gjeneron; dashuri për jetën, për njeriun, për veten dhe Zotin. Romani i saj më i ri, ‘’Në telat e kitarës melankolike’’ ndjek traditën tashmë të fituar të romanit familjar e shoqëror. Ngjarjet vendosen në Shqipërinë e viteve tetëdhjetë dhe në Greqi. Është historia e një familjeje shqiptare me gjithë vlerat, përpjekjet, luftën për mbijetesë e afirmim, por edhe dashuritë dhe dhimbjet e jetës. Ajo që tërheq vëmendjen tek personazhet e Lela Kokona Dardhës, është se heronjtë dhe heroinat e saj janë në një kërkim të pareshtur lirie.

Dashuria dhe liria janë një binom që na shoqëron në çdo faqe të romaneve të saj. Ato s’mund të qëndrojnë pa njëra-tjetrën. Ata janë nën vargonjtë dhe prangat që koha, shoqëria dhe morali i ngurtë i ka lidhur. Por ata luftojnë pareshtur dhe me guxim. Luftojnë me arsye dhe dashuri. Dhe nuk ka pranga që të mbajnë lidhur dashurinë për jetën dhe lirinë për të dashuruar. Personalisht, ajo çka më mahnit në rastin e Lelës, është se ajo gjithmonë përpiqet të mbetet e re dhe aktive, me gjithë vitet që ikin dhe ngjarjet që rrjedhin. Ajo mund të përbënte një shembull, apo model, për shumë gra e vajza të këtij vendi, të cilat të pafuqishme dhe pa kurajën për t’u përballur, shtyjnë ekzistencën e tyre nën qiellin përherë gri të mjedisit tradicional shqiptar. Ndërsa Lela guxon. Për sa kohë, udhërrëfyese të saj janë mirësia, drejtësia dhe ndershmëria, ajo jeton lumturisht jetën e saj dhe thith ajrin e kulluar të lirisë.

Edhe 100 vjeç Erik Dardha! Ti ylli i shndritshëm i mëngjesit,ti rrezja e ngrohtë e atij diellit që rrezaton e ngroh aq shumë ,ti ndjenjë dashurie, ti ëmbëlsi,ti ilaç i shpirtit tonë,ti që sjell aq shumë gëzim e hare në zemrat tona, ti që bën jetën tonë të bukur,ti që i jep kuptim jetës tonë……Zoti të bekoftë ! Nëna dhe gjyshi.

Mjalti i mjaltit është fryt i dashurisë

Vinë në jetën tonë si dhuratë
Si bilbila iu ka nëna

që cicërojnë nëpër kafaz
Lum ata që ëmbëlsinë

e tyre kanë provuar!
Të shërojnë plagët e jetës së lodhur,
Në sytë e tyre është drita e syve të mi.

Në to shoh yjet, qiellin,

lirinë, hapësirën pafund,
Shoh të gjitha ndjesitë, një frymë,

e një vatër e ngrohtë dashurie.
Njërit i them diell tjetrit i them hënë
Oh, çfarë kënaqësie kur më thërrasin: “Nënë!”
Ata janë pasuria më e madhe për mua,
Kur i shikoj që rriten jetën më shtojnë,

S’ka çelur pranvera,

lule më të bukura se ato.
S’ka buzëqeshje më të ëmbël se ajo,
Çdo boshllëk në shpirt ma mbushin,
Kënaqësinë çdo ditë më shtojnë,
Te ata shoh të gjitha ngjyrat e ylberit,
Shoh kaltërsi, s’ka qiell me re,

as ditë me shi.

Fryma juaj është ajër i oksigjenuar,
Që gjakun pak nga pak ma pastron,
tingulli më i ëmbël është zëri juaj,
Si nota pentagrami më ngjasojnë,
Aroma e lëkurës tyre si lule kundërmon,
Parfumi më i këndshëm që ekziston.