Suplementi Pena Shqiptare/ Lejla Dardha Kokona: Zbehja e vlerave humane

718
Sigal

Semestri i parë shkollor, Kostës iu duk sa një vit, por jo vit i artë. Mundohej të socializohej, të integrohej në atë kolektiv e vend të ri, si një nxënës i ardhur rishtas, por jo me privilegje të taksura si një i ardhur i ri, ashtu siç bënin në Shqipëri ku të gjithë mundoheshin të shoqëronin një të tillë. E mërziste pyetja e shpeshtë: “Nga ke ardhur? Allvanoz je”? Ulej diku duke mos e hapur gojën shumë, derisa arriti ta mësonte mirë gjuhën e tyre.

– Po Kosta ku qenka kështu?- pyeti Ani, babai i tij.

– Aman se më mërziti dhe ai. Iku në cirk me një shok. Nuk i dhashë leje, po ku të pyet ai tani. Njëqind porosi i dhashë që të jetë i kujdesshëm. E di si më tha? “Sa të bezdisshëm që jeni! Më quani ende fëmijë.”

Petro, pasi dëgjoi bisedën e tyre, u ul në kolltuk duke ftuar Anin e Frosinën.

– Dihet, se dashuria për fëmijën është mbi të gjitha dashuritë, por kur prindi e tepron masën, ai i shkatërron fëmijës vetëbesimin. Zgjedhjet me dhunë, jo gjithmonë janë zgjidhje ose më mirë, aspak. Thënë shkurt: Nuk është zgjidhje e bërtitura juaj.

Atë të hënë, Kosta po kthehej nga shkolla i vetëm, mendueshëm me çantën në sup. Befas dëgjoi një fishkëllimë. Ktheu kokën pas. Dalloi një shok klase, por jo ndonjë tip i preferuar për shijet e tij. Miqësia për Kostën, ishte e çmuar. Nuk i mungonte virtyti brenda tij, për të realizuar një miqësi të vërtetë. Miqësia për të, ishte një nga vlerat morale, themelore të njeriut, e cila e vinte përpara disa detyrave ndaj tij. Ndaloi duke e pritur . Vuri re nxitimin e tij me një revistë në dorë e mjaft i qeshur.

– Kosta! Dëgjo çfarë thuhet në këtë revistë: – Nëse do të jepet mundësia të zgjedhësh mes dy çantave plot. Njëra me dije dhe tjetra me dhrahmi. Cilën do të zgjedhësh ti?- fliste me qesëndi, me një zë ironik. Kosta qëndroi i heshtur duke u menduar, nëse duhej përgjigjur apo jo. Të mos ishte i shpejtë në të gjykuar, duke marrë ndoshta dhe veprime të panevojshme. Së fundi i tha:

–Unë, do të zgjidhja atë me dhrahmi.- u përgjigj i prerë dhe i nervozuar.

-Pse? – pyeti me tendencë .

– Sepse, ty të nevojitet ajo tjetra. Të gjithë marrin atë që nuk kanë.- iu përgjigj Kosta.

– Pse më ofendon?

– Thash një të vërtetë. Atë tjetrën e kam më plot se ty. Të rrofshin paratë.

Ai e humbi toruan fare.

– Ti more Taqka, kërkove që unë të mbetesha i ofenduar, inferior, ashtu si ke bërë gjithë këto muaj, me ofendime, kërcënime, polemika. Ti ke një zemërligësi dhe një smirë të habitshme. Vërtetë jam i huaj në vendin tuaj, por ama, askush nuk është ankuar për mua. Ti je një racist i thekur, diskriminues. Më përbuz pse jam shqiptar. Prandaj shqiptarët e shkretë, kanë ndërruar emër e fe, besim. Dikush quhet Besnik dhe i thërrasin Taqka apo nga Bajram – Kristo, e ku di unë ….Kërkon të më diskriminosh për shkak të prejardhjes, besimit fetar. Po shyqyr që s’ka shumë grekë si puna jote, se mjerë ne çdo të hiqnim! Ndërkohë u pa të drejtohej nxitimthi një mësues pensionist shqiptar, i ardhur emigrant prej kohësh.

– Çfarë ka ndodhur Kosta? – pyeti i shqetësuar. I tregoi gjithçka kishte ndodhur. Zëri i tij krijonte një vibrim shpirtëror që i rriti ankthin. Ishte një fuqi e pa matë e zërit që nuk po mundte të qetësohej.

– Dëgjo Kosta! Duke folur qetë, gjëja e parë që ndodh është autoqetësimi, dhe më pas arrin të qetësosh dhe atë tjetrin. E bërtitura të bën nervoz dhe nuk kuptohesh dot. E humbet të drejtën tënde.

– Po këta janë ksenofobë more! Kanë frikë nga të huajt. Kjo i ka çuar në zbehjen e vlerave humane. – E kam hequr vetë në kurriz mor bir! Vazhduan rrugën të dy për shtëpi mjaft të acaruar.

– Mos u mërzit! S’janë të gjithë të këqij. E mira dhe e keqja zënë vend bashkë. Nëse nuk do të ekzistonte një lloj e tillë, e vazhdueshme e të kundërtave, bota do të pushonte së ekzistuari. Këtë nuk e them unë, por filozofi i madh Herakliti. Eh, vendi më i sigurt e më i paqtë, është vendi ynë mor bir, por…”nuk foli më, por ngriti supet, vetullat, mblodhi buzët duke i hedhur ndërkohë dorën Kostës në qafë në shenjë dakordësie dhe qetësie duke mos folur më për atë zënkë.

Ishte dita me orarin më të mirë për Kostën, pasi edukimi fizik ishte lënda më e preferuar për të. Ëndrra e tij ishte të bëhej sportist. Zilja që ra, bëri të linte topin dhe të vishej. Po nxitonte për të arritur orën tjetër në kohë. Ndërsa po dilte nga palestra, dëgjoi një zë.

– Kosta! Prit pak!- ishte zëri i Taqkës, atij që debatoi disa kohë më parë.

– Më lidh pak këpucën shoku!

– Pse? Çfarë ke? Je sëmurë?

– Lidhe- lidhe! – i foli në formën e një urdhri të prerë. Kosta u befasua nga sjellja e tij. Nuk mendoi se ajo mënyrë komunikimi do të vazhdonte sërish me të, pas asaj që ndodhi mes tyre.

– Si ta marr këtë që më the? Si kërkesë ndihme, urgjencë apo urdhër? Apo për të rindërtuar paqe?- foli i qetë në pritje të përgjigjes .

– Unë paqe me ty? Haha!- dha një të qeshur sa u shkul palestra. Shokët e tjerë kthyen kokën. Nuhatën se ai diçka kishte kurdisur si hakmarrës, gërricës dhe provokator që ishte. Iu afrua edhe më shumë duke e parë me ngulm në sy Kostën, sa po e hante ashtu i përballur i gatshëm për ta sulmuar.

– Ti nuk do të ikësh nga ky ambient pa kryer këtë detyrë!- fliste dhe gishtin tregues e drejtonte poshtë .- Po ne qentë i mbajmë për të na shërbyer, kjo është puna tyre. Por ti je nga ata lloj race qensh, që s’je i zoti të ruash as territorin tënd e jo më timin.- filloi të ngrinte dorën gati ta qëllonte Kostën.

– Kërcëno e fol sa të duash se nuk ta kam frikën. Nuk jam shërbëtor.- iu drejtua Kosta i vendosur.

– Po në fakt, je më pak se një shërbëtor, se vjen nga një vend tjetër, – dhe kërcente si sustë. Kosta e vështronte i zymtë dhe me dyshim si të ndihej i pasigurt për gjendjen e tij mendore.

– Ik more fundërrinë greke! Kurrë nuk përulem para teje dhe para askujt.

– Ti të guxosh të më thuash, fundërrinë?!

E kapi nga rrobat. Kosta ndjeu se ai e mbërtheu për flokësh e nga supi. Kishte sulmuar një krijesë të dëshpëruar nga fati. Ndjente se ishte nën kthetrat e një tirani. Pas pak ndjeu se nga koka po rridhnin ca pika gjaku, të cilat i binin në qafë. Doreza e hekurt e fshehur mjeshtërisht në dorën e tij, e kishte çarë duke u vërsulur si i xhindosur. Ishin çaste kur Kosta provoi për herë të parë ndjesitë e hakmarrjes mbi atë të frikës. Mjaft shpejt u shfaqën shokët e tjerë të klasës.

– S’ke turp mor i pashpirt! Rrihet shoku kështu barbarisht? Ti je fajtor! Ti je grindavec, ironik, smirëzi. -e shanin të irrituar.

– Më ofendoi, fundërrinë.- justifikohej

– E ke detyruar ti me siguri, me ato provokimet e tua të ulëta. Ai është një djalë i urtë, i sjellshëm, i zgjuar nuk i ndyn duart me ty. Ti ke inat se atë e duan të gjithë edhe mësuesit tanë kanë respekt për të, e kjo të bën ty ta urresh. Mos e shiko tek Kosta të keqen tënde, por shikoje te vetja jote, mor Taqka, që je kaq i cekët! Asnjë nga ne nuk ka pakënaqësi prej tij. Si nuk zure mënd?! I futën krahun Kostës duke e çuar për mjekim në urgjencën e shkollës.

– Ik more në vendin tënd! Na vjen këtu për të mbushur barkun, o barktharë, e na ngre krye në vendin tonë. Ngriji leckat e tua e mbathja!- fliste me urrejtje të pa përshkruar.

Ato fjalë ishin bërë një refren i vazhdueshëm mjaft i dhimbshëm për veshët e tij. Nuk e mendonte veten të barabartë mes tyre, por kurrë nuk pranonte që t’u përkulej për t’u bërë i pëlqyer për ta.

– Edhe unë bëra gabim, dola nga vetja, por është një ndjenjë e keqe për mua, kur kuptoj se dikush që e mendoj si shok, është duke më shfrytëzuar për interesa personale. Unë dua shoqëri të sinqertë, por jo të abuzojë me mënyrën time të sjelljes. Kur i kërkova ndihmë të shpjegonte një fjalë në fizikë, se nuk e kuptoja atë, si njohës jo i mirë i gjuhës, më tha: “Nuk kam kohë”. E ndërkohë u ul me tjetrin në stol duke qeshur. E raste të tjera të tilla.

Kjo rrethanë e re, bëri që Kosta përforcoi mendimin e keq, se edhe atje paska racizëm.

Mendja i shkonte tek pasoja e këtij sherri, masat që mund të merren nga drejtoria e shkollës. “Ai, në fund të fundit është në vendin e tij, ndërsa unë një emigrant. Ndoshta më quajnë një skllav rebel e duhet dënuar.” – mendonte duke bërë monolog.

Prindërit u shqetësuan shumë. Kostës i ndryshoi humori. Filloi të kërkojë më shumë pavarësi në veprimet që bënte. Kjo i sillte situata konflikti. Marrëdhënia me familjen filloi të zbehej. Tirania e dhunshme e tij, indiferenca, kryelartësia e disa shokëve të tij grekë, njëanshmëria, dhe të gjitha këto vërtiteshin në mendjen e tij të shqetësuar si fundi i errët i një pusi të turbullt.

– Kujdes mor bir! Mos na turpëro! S’kemi ardhur këtu për të treguar trimëri me grekët, duke u treguar muskujt.

Adaptimi në shoqëri të re, mësimi i gjuhës, janë një eksperiencë e vështirë për ty si adoleshent. Ja, edhe ne po përjetojmë stres në këtë periudhë. Më larguan sot nga ajo punë që më gjeti xhaxhi Petro. Tek ne gjithçka ka ndryshuar. Ju afroheni më shpejt me kulturën e tyre gjuhësore, ndërsa ne më vonë. Edhe rolet mes nesh burrë e grua kanë ndryshuar. Na duket sikur kemi humbur vlerat e rolit si prind. Kemi marrë një rol të ri në këtë vend të ri. Është një rol i ri prindërimi i detyrueshëm.( obligativ) siç i thonë. Pastaj, mos kërko mendimin e tij të varet nga dëshira jote. Mbaje mend, kujdesu për vete për rrugëtimin e vështirë e të egër të jetës!

– Babi! Të kuptoj se je mërzitur, ke të drejtë, por të betohem se më gjuajti pa shkak. Iu drejtova kundër për të shmangur një dhunë të mëtejshme, të paarsyeshme, ngase më përbuzte. Në këtë moment ndërhyri Petro:

– Të kuptoj shumë mirë Kosta. Me një arsyetim të nxituar nga shtysa e dhimbjes së paduruar, shfrytëzimi i urryer i qëllimshëm i tij, bëri të humbisje toruan. Ke qenë i turbullt, me zemër të rebeluar.

– Pra, të ul kokën edhe kur shoh se po më marrin nëpërkëmbë? Kështu je dakord ti? Edhe kush? Ai, sikur të mos fliste, nuk do ta kuptoja se është budalla, se e mbulon bukuria që ka. Atë e afrojnë nga bukuria dhe e përcjellin nga mendja…