Suplementi Pena Shqiptare/ Lasgush Poradeci: Malli

561
Sigal

Syri i bukur qe t’u mvrenjt
Syri yt që më lëndon
Do më lërë a von a shpejt,
Do më lerë a shpejt a von.

Sapo shpirti m’u dëlir
Shpirti im i nxirë krejt
Do më lerë me pahir
Syri i bukur që t’u mvrenjt

E do mbetem përnjëmend
Varfanjak si mbret pa fron:
Mbretëresha që më çmend
Do më lerë a shpejt a von.

Do më lerë a von a shpejt,
Do më lerë a shpejt a von,
Syri i bukur që t’u mvrenjt
Syri yt që më lëndon.

Do më lerë…A! por si
Qoftë ahere ose tani
Do të qaj aq dashuri
Që do humb me mall te ti?

Mua mendja s’ma kupton,
Mua syri s’ma vështron,
Po fillon edhe vajton,
E kullon, kullon, kullon:

Mall! o mall! që vjen e shkon!

Vjen e shkon e prapë vjen,
Mall që len nga perëndon:
Len e vjen e zjen e bren:
Malli mallin më s’e gjen…