Suplementi Pena Shqiptare/ Kujtim Mateli: Socializmi në skanerin e Prof. Dr. Alqi Naqellarit

547
Sigal

Socializmi në skanerin e Prof. Dr. Alqi Naqellari

Nga Kujtim Mateli

Libri më i ri i Prof. dr. Alqi Naqellari “Të shkruash në dy kohë”, Vëllimi i parë, “Socializmi” është një monografi e shoqëruar me përmbledhje artikujsh publicistikë e studimorë. Redaktimi i librit është bërë nga 5 personalitete të kohës: Ëngjëll Musai, Shefqet Muçi, Enver Memishaj dhe Adriatik Mateli.

Autori ka shkruar artikuj mbi ekonominë në sistemin socialist, që në vitin 1981. Ai ka vazhduar të shkruajë e të japë opinionet e tij për sistemin kapitalist shqiptar, edhe në këto 30 vitet e fundit.. Në këtë libër autori kërkon t’i japë përgjigje pyetjes:  “ Çfarë vlerash shkencore u krijuan brenda sistemit socialist dhe a u mbartën këto vlera në sistemin e ri që po ndërtojmë?”

Libri është ndërtuar mbi bazën e dhjetëra pyetjeve, që prof.dr. Alqi Naqellari shtron para vetes së tij. Pra, pyet, dhe përgjigjet po vetë. Një sistem ekonomiko-shoqëror, siç ishte socializmi, sigurisht që dështoi, sepse vlerat që ai krijoi ishin më të pakta se sistemi kapitalist. Por kjo nuk na pengon që atij sistemi t’i bëhet një skaner i plotë, sepse njerëzimi ka mësuar jo vetëm nga përvojat pozitive, por edhe nga dështimet.

Si vlerë pozitive nuk mund të mohohet që brenda 45 vitesh popullsia nga 1.2 milionë në vitin 1945 arriti në 3.2 milionë në vitin 1990. Rriti dhe forcoi sigurinë e jetës. Askush nuk kishte frikë të shkonte dhe të kthehej nga puna natën apo dhe të lëvizte me mjete financiare nga njeri fshat në tjetrin, siç ishin arkëtarët, që ndanin lekët në brigadat e kooperativave bujqësore. Autori sjell në këtë libër edhe shembuj të tjerë pozitivë.

Por, dëmi që solli sistemi socialist në shoqërinë shqiptare është shumë herë më i madh se sa gjërat pozitive që na la për t’i ruajtur e trashëguar.

  1. Domosdoshmëria e një literature shkencore mbi socializmin.

Lind një pyetje:- Përse na duhet ky libër kur për socializmin kemi një mal me libra të shkruara gjatë sistemit socialist apo edhe pas rrëzimit të këtij sistemi pas viteve 1990? Të dy këto kategori librash të shkruara para dhe pas vitit 1990, nuk e plotësojnë atë që lexuesi kërkon. Literatura e para viteve 1990, që praktikohej në vendin tonë, ishin libra, që nuk depërtonin në thellësi të sistemit, ishin libra sipërfaqësorë, që i thurrnin lavde sistemit, pa depërtuar në mekanizmin e sistemit socialist.  Pas viteve 1990, përsëri sistemi socialist ka qenë kritikuar vetwm në rrafshin politik, pa e sjellë mekanizmin e funksionimit të këtij sistemi. Prof. dr. Alqi Naqellari, ndryshe nga literatura e deritanishme, e ka parë sistemin socialist jashtë këndvështrimit politik. Ai e sheh këtë formacion ekonomiko-shoqëror si shkencëtar, qw e çmonton atë deri në detaje për ta bërë të kuptueshëm edhe për lexuesin e thjeshtë.

Autori analizon Marksin dhe neomarksistët, rolin e shtetit në socializëm, rolin e klasës punëtore dhe krijimin i një intelegjence, që të ishte besnike e klasës punëtore dhe e socializmit. Autori ka sjellë në libër gjithë mekanizmin se si funksiononte sistemi socialist. Duke qenë një sistem ekonomiko-shoqëror, që u vendos me dhunë në vendet ish-socialiste, solli pasoja të rënda në jetën e shoqërisë së këtyre vendeve. Secili vend pati specifikat e veta. Këto specifika i pati dhe sistemi socialist i vendosur në Shqipëri. Pikërisht këtë veçanti të këtij sistemi në Shqipëri analizon në mënyrë shkencore prof. dr. Alqi Naqellari, duke na dhënë një studim me vlera shkencore jo vetëm për vendin tonë, por edhe për vendet ish-socialiste. Ky sistem duke vendosur pronën shoqërore mbi mjetet e prodhimit, kërkoi që edhe shoqëria të modifikohej duke iu përshtatur sistemit të ri, të cilat lanë pasoja të rënda mbi shoqërinë, sepse ndërprenë rrjedhën e natyrshme të saj në evolucionin e saj historik.

  1. Roli i shkrimtarëve dhe artistëve në socializëm.

Në vendet e lindjes ku u vendos socializmi, baza ekonomike ishte prona shoqërore mbi mjetet e prodhimit. Që ky sistem i ri të funksiononte, shkrimtarët dhe artistët, që krijonin në këto vende u vunë në shërbim të partive komuniste duke i thurur lavde sistemit socialist dhe udhëheqësve të këtyre partive komuniste. Shkrimtarët dhe artistët duhet të krijonin brenda shabllonit, që kërkonte sistemi socialist: të glorifikonte socializmin dhe udhëheqësit e këtyre vendeve. Ndër të tjera autori thekson: “ Në BRSS, Vladimir Majakovski, një nga poetët më të mëdhenj rusë theksonte se: “Kur themi Partia, nënkuptojmë Leninin, kur themi Lenini nënkuptojmë Partinë.”

Identifikimi i udhëheqësit të Partisë me vetë Partinë kërkonte që udhëheqësit e këtyre vendeve të ngriheshin në kult. Çdo mendim ndryshe ishte mendim kundër vetë sistemit socialist dhe konsiderohej armik dhe tradhëtar. Edhe shkrimtarët në Shqipëri nuk i shpëtuan dot thurrjes së lavdeve të udhëheqësit komunist. Disa nga këto poezi, mësoheshin përmendësh në shkollat e të gjitha niveleve. Arti, me ndikimin e tij të fuqishëm, që ka në opinionin e shoqërisë, u përdor nga shteti për të forcuar pozitat e këtyre udhëheqësve në popull. Madje Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë vëzhgohej në ecurinë e saj se sa po i qëndronte besnik Udhëheqësit dhe çështjes së socializmit, duke burgosur dhe persekutuar shkrimtarë dhe artistë, që i kishin etiketuar si  shkelws tw vijës së Partisë. Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve konsiderohej si një repart beteje në frontin e konsolidimit të sistemit socialist. Kjo Lidhje, armën e saj kishte fjalën, ndaj dhe shteti socialist u kujdes në maksimum që fjala e shkrimtarëve dhe artistëve të arrinte përsosmërinë e saj që të kishte mbi shoqërinë efektin më maksimal pozitiv pwr udhwheqjen .

Shteti socialist e ngriti Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve në institucion: me një godinë të rëndësishme, me personel, që paguhej nga shteti, me revistën “Nëntori” dhe gazetën “Drita”. Ky kujdes nxori shkrimtarë me famë evropiane dhe botërore si: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, por dhe të tjerë. Shkrimtari e kapërcen epokën në të cilën shkruan, madje shkrimtari e kapërcen edhe vetveten. Nuk është rastësi që shumë krijime të kësaj periudhe morën vlerë universale dhe Ismail Kadare u përkthye në gjuhët evropiane qysh në periudhën e atij sistemi.
Çfarë ndodhi me shkrimtarët dhe artistët e pas viteve 1990, që konsiderohen vite të demokracisë? Nëse sistemi socialist disa nga krijuesit i kishte marrë ndënë sqetull dhe kishte kujdes për ta dhe krijimtarinë e tyre, sistemi i ri ekonomiko-shoqëror në Shqipëri, i flaku në rrugë. Asnjë kujdes. Madje ua mori dhe shtëpinë e tyre ku ishte vendosur Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Kjo mungesë kujdesi çoi në uljen e nivelit artistik dhe mund të themi që kjo periudhë tashmë 30-vjeçare, nuk e ka nxjerrë një shkrimtar të nivelit evropian. Ne mburremi akoma me shkrimtarët e sistemit socialist. Ata na përfaqësojnë akoma në nivele evropiane e botërore.

  1. Krijimi i njeriut të ri socialist dhe pasojat mbi shoqërinë shqiptare.

Besnikëria e njerëzve ndaj sistemit socialist qëndronte në rend të parë. Nëpër vendet kyçe të drejtimit kërkoheshin njerëz të besuar. Profesionalizmi ishte në rend të dytë. Kjo u duk që në vendet drejtuese si: përgjegjës sektori, drejtor, kryetar koperative, kryetar komiteti, madje deri në ministri, këto pozicione u mbushën me njerëz të marrë nga prodhimi, njerëz që ishin besnikë të vijës së partisë, pavarësisht përgatitjes profesionale të tyre. Më vonë këta njerëz i pajisnin me diploma, sidomos me ato të shkollës së Partisë. Gjithnjë e më shumë njeriu i aftë filloi të nënvleftësohej duke ia lënë vendin njeriut të ri, njeriut që ishte produkt i sistemit socialit. Madje shumë kuadro të afta u goditën nga partia-shtet si njerëz që nuk i shërbenin vijës së partisë dhe socializmit. Njerëzit besnikë të partisë kishin të drejtën të vlerësoheshin me dekorata e tituj nderi, të tjerët pavarësisht kontributit që jepnin nuk i gëzonin këto privilegje, duke e ndjerë veten si njerëz të dorës së dytë apo dhe të dyshimtë.

4.Sistemi socialist parashtetëror dhe vizioni shkencor i prof. dr. Alqi Naqellarit.

Përse i duhen shkencëtarët një vendi? Për të bërë analiza, që janë jashtë politikës. Sistemi socialist në Shqipëri kishte specifikat e veta, që ndryshonin nga ato të vendeve të tjera ish-socialiste të Lindjes. Prof Alqi Naqellari ka kaluar në skaner sistemin ekonomiko-shoqëror në Shqipëri dhe në veçanti atë formë organizimi që quhej parashtetërore dhe që përfaqësohej nga kooperativat bujqësore.

“Kooperativa ishte një formë e organizimit parashtetëror ku drejtonte Diktatura e Proletariatit nën udhëheqjen e Partisë. Prodhimet bujqësore dhe blegtorale vileshin dhe dorëzoheshin me përparësi në shtet, i cili i merrte me çmime të kontrolluara nën koston e tyre për të plotësuar nevojat bazë të qytetit ku banonte klasa punëtore.”

Siç shihet kooperativistët nuk shpërbleheheshin për atë që prodhonin, sepse produkti i punës së tyre vlerësohej nën koston e prodhimit. Kjo do të thotë që shteti mbi bazën e çmimeve që vendoste i merrte një pjesë të produktit pa shpërblim, duke krijuar diferenca të theksuara midis atyre që banonin në fshat, të organizuar në kooperativat bujqësore dhe atyre që banonin në qytet.

“Të ardhurat e anëtarëve të kooperativës ishin mjaft të ulta dhe raporti i pagës qytet-fshat ishte 2:1. Për të njëjtën punë në ndërrmarrjet shtetërore punëtori merrte pagesë më të madhe se në kooperativë. Jetonin me të ardhura mujore të realizuara për ditë-pune në nivelet 4-5 lekë ose 160-200 lekë të realizuar në muaj, kurse një punëtor në ndërmarrjen bujqësore shtetwrore merrte minimalisht 400 lekë.”

Siç shihet sistemi socialist ishte ndërtuar mbi pabarazinë, që e krijonte vetë shteti socialist. Fshatarët shikoheshin si qytetarë të dorës së dytë. Pikërisht njerëzit që konsideroheshin me “biografi të keqe” dërgoheshin në fshat për edukim. Këta njerëz me “biografi të keqe” kaluan të gjitha peripecitë monstruoze që i organizonte shteti-diktaturë.

  1. Kooperativa bujqësore-sistem i ri skllavërie. Autori ndalet në natyrën e organizimit të sistemit kooperativist në socialize: “ Marrëdhëniet shtet-kooperativë ngjajnë si marrëdhënie të bujkrobërisë, ku bujqve u jepej toka me qera. Ata pasi shlyenin detyrimet ndaj pronarit në ‘produkt’, jo në para, pjesën tjetër e shisnin dhe me të ardhurat, që siguronin shlyenin detyrimet e tyre. Edhe në kooperativë shteti duke përdorur levën e kuotave të prodhimit, levën e dorëzimit dhe levën e çmimit, e kthente kooperativën, një subjekt në varësi të tij, një formë skllavërie ose bujkrobërie të shekullit XX. Krahas njerëzve me “biografi të keqe”, që kishin shkuar nga qyteti në fshat, kishte dhe një grup tjetër njerëzish fatkeq, që konsideroheshin kulakë dhe që nuk kishin të drejta të barabarta me bashkëfshatarët e tyre. Ata dërgoheshin në frontet më të vështira dhe vëzhgoheshin për ndonjë pakënaqësi që mund të shfaqnin, për t’u demaskuar përsëri para popullit. Në fshat, në këtë periudhë kishim tre grupe njerëzish: grupin e parë e formonin ata që e kishin pranuar koolektivizimin pa ndonjë rezistencë dhe shteti mendonte se ishin besnikë të vijës së parties; grupin e dytë e përbënin kulakët apo dhe njerëzit e tjerë, që shiheshin me dyshim nga partia-shtet. dhe në grupin e tretë ishin njerëzit me “biografi të keqe”, që i kishin dwrguar nga qyteti në fshat për riedukim.

Midis grupit të parë dhe dy grupeve të tjerë, partia-shtet kishte ndërtuar atë platformë që e quante lufta e klasave dhe “siguronte” vazhdimësinë e sistemit socialist. Kjo luftë klasash, që e kishte rrënuar shoqërinë shqiptare dhe sidomos fshatin, kishte për qëllim që t’u tregonte fshatarëve se e keqja nuk i vinte nga sistemi socialist, por nga vetë ata që kishin brenda tyre, të pakënaqurit: armiq dhe kulakë që po e dëmtonin shoqërinë kooperativiste.

Përgjegjësinë për dështimin e saj Partia-Shtet e shkarkonte edhe te Administrata e kooperativave bujqësore: “Anëtarët e kooperativës, që përbënin asamblenë, nuk i shikonin difektet në mosrealizimin e detyrave të prodhimit te politika e gabuar, antishkencore ekonomike e Partisë-Shtet. Nuk shikonin që politikat ekonomike të Partisë mbështeteshin në politika jo reale, antishkencore si ‘mbështetja në forcat e veta’, ‘centralizimi demokratik’,‘partishmëria proletare’ etj, por e shikonin të keqen, fukarallëkun, te paaftësia dhe pazotësia e kuadrove të koooperativës, që e drejtonin atë. Prandaj objekt i diskutimit të tyre nuk bëhej Organizata Bazë e Partisë-Shtet, sepse ata ‘punonin gjithnjë mirë, në zbatim të mësimeve të Partisë dhe të shokut Enver Hoxha’, por bëheshin anëtarët e Kryesisë, të Administratës, përgjegjësat e sektorëve dhe brigadierët, të cilët nuk zbatonin si duhet mësimet dhe orientimet e Partisë.

  1. Mosbesimi i Partisë-Shtet ndaj fshatarësisë kooperativiste.

Pavarësisht sakrificave të mëdha të fshatarësisë kooperativiste, që i shkaktoi politika e gabuar e Partisë-Shtet, fshatarësia shikohej si popullsi e nivelit të dytë, e padenjë për sistemin e ri që po ndërtohej. Mbase në këtë mënyrë justifikohej edhe varfëria e tejskajshme e fshatarësisë kooperativiste. Deri në cilën shkallë varfërie arriti fshati shqiptar na e përshkruan mjaft mirë autori i këtij libri, që rininë e tij e kaloi në koperativën bujqësorë të Qesaratit, në rrethin e Tepelenës: “ Po çfarë psikologjie mikroborgjeze mund të kishin këta njerëz që konsumonin një drekë të zakonshme me bukë misri, domate dhe djathë? Po them me domate dhe djathë, sepse nga viti 1987 fukarallëku ishte kaq i madh sa të fuste frikën, kur shikoje gratë që të bënin normën, duhej të çelnin 4 metër kub kanal dhe me vete kishin bukë misri dhe sheqer me ujë në një kuti boje këpuce. Pas tufëzimit të lopëve në fshat, futjes së pulave në kotec, gjendja u përkeqësua edhe më shumë, në vend që të përmirësohej. Kjo periudhë thelloi edhe më tej hendekun ekonomik midis popullsisë së qytetit dhe popullsisë së fshatit, që zinte 60 % të totalit të popullsisë së vendit.”

Për të gjitha këto fatkeqsi:

Partia e Punës së Shqipërisë, nëpërmjet Byrosë  Politike dhe organizatave bazë të Partisë, nuk kërkoi kurrë ndjesë për gabimet e saj thelbësore, që çuan në varfërinë e tejskajshme të popullit shqiptar.

Atje në koperativën e Qesaratit, ku autori i këtij libri punoi për shumë vite si kryetar i degës së planit pa me sytë e tij realitetin e hidhur kooperativist, por nga ana tjetër pa dhe solidaritetin njerëzor të këtij komuniteti që u bënte ballë me sakrifica të mëdha pasojave që prodhonte sistemi socialist.
“Atje kam mësuar të jem njeri i komunitetit, mësova të sillem me njerëzit e punës dhe të sakrificës, atje pashë me sy varfërinë e popullit dhe degradimin e sistemit socialist, që në raport me atë formë organizimi ishte sistem shfrytëzues.”

  1. Vitet e dështimit të plotë të socializmit.

Edhe pse produkti kryesor në kooperativat bujqësore ishte gruri, kooperativistët në pjesën më të madhe të kohës hanin bukë misri.

“ Buka e misrit kush e ka provuar në atë kohë, nuk ishte si sot. Ne kultivonim misër gjeorgjian me kubikë, nga ai që mbante katër kallëpe për të rritur rendimentin për hektar. Ai, në vende të tjera kultivohej për blegtorinë, ndërsa ne e përdornim për bukë…

Kështu u katandis popullsia e fshatit, pas viti 1985, vite kur u duk hapur dështimi i sistemit socialist, vite kur u rritën vjedhjet dhe shpërdorimet.

Ja si e përshkruan autori qëndrimin e tij publik gjatë asaj periudhe:

“Përgjegjësia ishte e madhe, nuk mund të gaboje, se ndryshe e paguaje me kokë. Unë në shkrimet e mia kam qenë kritik, por me masë, ashtu siç do t’i shikoni vetë gjatë leximit. Asnjëherë nuk kam shkruar pa shifra. Shifrat dhe argumenti kanë qenë pikat e mia të forta. Ndonjëherë shifrat flasin më mirë se çdo   “gjuhë e zjarrtë.”