Suplementi Pena Shqiptare/ Kozma Gjini: “O BABA, NA PRURE BUKË?”

546
Sigal

“Poet është ai që me dorën e fortë, ashtu siç këput një trëndafil në lëndinë,

mund të zbërthejë pranë trëndafilit edhe një minë” (Ismail Kadare)

Bibliotekës sonë, në vigjilje të 76-vjetorit të çlirimit të Atdheut, iu shtua një libër i ri, një libër dinjitoz: “PENAT E LIRISË”. Është një përmbledhje e krijimtarisë letrare të autorëve, dëshmorë të LANÇ,  përgatitur, përzgjedhur e redaktuar nga shkrimtari i mirënjohur, z. Pandeli Koçi që botohet nën kujdesin e Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të LANÇ-it dhe personalisht  të  Dr. Gjergji Velo, kryetar i OKDA, nismëtari dhe promovuesi e disa veprimtarive kombëtare për ruajtjen e vlerave të LANÇ. Libri është sponsorizuar nga Ministria e Kulturës dhe kuruar nga botuesi “Emal”. Të gjitha krijimet i lidh lajtmotivi i njerëzimit: “Liria është gjëja më e shenjtë për çdo njeri.” Autorët janë: Memo Meto, Kristo Isak, Mihal Duri, Hamdi Mëzezi, Dino Kalenja, Jani Dodi, Kristaq Tutulani, Mustafa Radovicka, Perlat Rexhepi, Salo Halili, Dhimitër Mino, Feridun Xhindole, Qemal Stafa, Zaho Koka, Gjikë Kuqali, Xhaferr C. Lubonja, Sinan Ballaci, Sulo Didi, Hasan Luma, Jorgji Dilo, Mumin Selami, Margarita Tutulani, Myrteza Pengili, Nimete Progonati, Latif Berisha, Rexhep Elmazi, Ukshin Hoti, Jusuf Gërvalla, Ymer Elshani, Agim Ramadani dhe Yllka Domi. Vëllimi është gjithëpërfshirës, me autorë të truallit amë dhe nga përtej kufirit.  Krijimet lindën në zjarrin e luftës për liri. Ato ishin shprehje e aspiratave të një populli që ishte gati të jepte jetën për ta parë vatanin të lirë. Letërsia e periudhës së lncl, pjesë e së cilës është edhe “Penat e lirisë”,  ka marrë formë në situata të veçanta historike. Kjo do të thotë se para se të zhbirosh këtë letërsi, duhet të bëhen transparente rrethanat kulturore dhe letrare të asaj kohe. Ishte koha e një zinxhiri vuajtjesh e sakrificash të dhimbshme, ku njeriut i rrëmbeheshin dhe gëzimet më elementare. Ajo që i dha një frymë realiste letërsisë së LANÇ ishte fakti se ajo synonte zgjimin e ndërgjegjes kombëtare. Qendrimi emocional i poetëve karshi jetës dhe idealit të tyre ka të bëjë me shprehjen e formimit të tyre si luftëtarë të lirisë. Shpeshherë, me një stil të thjeshtë e  komunikues, me një gjuhë të shtruar popullore e pa sforcime të figurshme, autorët na kanë sjellë poezi të bukura që nxisin ndjenja të forta, në bazë të të cilave qëndronte liria. Nëse diku do të gjesh elementë të realizmit socialist, kjo ka të bëjë me spontaneitetin krijues dhe jo me bindjen e formimin e autorëve. Poetët dëshmorë janë ëndërrimtarë, që skicojnë në vargje të ardhmen, që kanë besim në qëllimin final të luftës.Vërtet këtu s’bëhet fjalë për kryevepra, por ama është derdhur thellësia e shpirtit njerëzor të autorëve, qoftë edhe në një vjershë.Koha ka nxjerrë mjaft individualitete poetike që kanë kërkesa për të shprehurit poetik,për leksikun,apo stilistikën. Libri është i një rëndësie të veçantë, me vlera të gjithëkohëshme. Në vëllim përmblidhet shpirti atdhetar e liridashës i rilindësve të pavdekshëm, sepse ishin ata të parët që dhanë kushtrimin: “Me pushkë e me penë, për Mëmëdhenë!” LANÇ dhe gjaku i derdhur për lirinë e Shqipërisë, sikurse dëshmon kjo antologji, ishte një vazhdimësi e idealeve më të ndritura të kombit dhe se liria nuk erdhi rastësisht…Ky botim merr vlera të veçanta,  kur shohim se si sot, ka tendenca për të mohuar LANÇ e për të njollosur gjakun e pastër të dëshmorëve të Atdheut të rënë për liri.Krijimet vijnë natyrshëm, pa dallim feje, krahine, ideje si për të përçuar mesazhin e përjetësisë së tyre. Në faqet e “Telegrafit” do të shkonte më së miri ky shkrim, sepse përkon me qëndrimin dhe opinioni i gazetës dhe personalisht të z. Ëngjëll Musai si drejtor, i cili ka treguar me vepra se është mbrojtës i vlerave të LANÇ  dhe për këtë e falenderojmë. Për çdo autor, lexuesi njihet në fillim me  cv e përmbledhur të secilit, vendlindjen, inkuadrimin në formacionet luftarake, krijimtarinë, vendin dhe kohën e rënies. Autorët i bashkon i njëjti ideal, “liria” dhe mbajmë të njëjtin qëndrim ndaj okupatorëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre: “Çlirimi i Atdheut do të vinte vetëm pas një lufte pa kompromis me armikun”. Krijimtaria e dëshmorëve shpërfaq në vëmendjen tonë një histori që përputhet me L.II.B. ku edhe Shqipëria e vogël u bë pjesë e koalicionit të madh anglo-sovjeto-amerikan, kundër nazifashizmit. Dëshmorët kanë shkruar: prozë, poezi, ese, publicistikë, artikuj shkencorë, pedagogjikë etj. Të bie në sy ndjeshmëria artistike, guximi, talenti dhe fuqia krijuese e autorëve, të cilët kanë shkruar në kushte jo të zakonshme dhe kur përvoja e pranisë në vend e letërsisë botërore mungonte. Shumë prej autorëve i kanë thurur vargje të rënëve, nënës, familjes, fëmijëve, atdheut, punëtorit, bujkut, ushtarit, mësuesit, partizanit…poetëve të kombit, pa ditur se të nesërmen do të binin theror edhe vet për atdhe. Kështu, Mihal Duri shkruan: “Ti, Misto me Qemalë/ Nuk vdiqët, po jeni gjallë,/ Të gjallë sa natyra do të rroni/ Dhe brez pas brezi do të kujtoheni/”.Partizanët luftuan shkrep më shkrep të bindur se liria do të vinte përmes luftës. Deviza e tyre ishte: “pranojnë më mirë flijimin, se sa kompromis me pushtuesit”: “Më mirë kurban në greminë/ se sofër nën sqepa skifterësh/.  Poeti është i ndërgjegjshëm se sakrificat nuk do të shkonin kot: “Të gjithë arën ç’e vadit/ me lot gjaku, me lot vreri/ se në tokë dit’ për ditë/ po mbjell shpresën un’ i mjeri/.” Krijimet kanë një tematikë të larmishme të imponuar nga koha për të cilën flitet. Si mund të rrinin të mëdhenjtë, prindërit, në rolin e sehirxhiut kur fëmijët, të pafajshmit e kësaj bote, binin e ngriheshin pa një korë buke? Poeti shkruan: “Fëmijët dalin të më presin/ Para portës mbledhur shuk/  kur më shohin, më thërrasin/ O baba, na prure bukë?”  Në këtë luftë për çlirimin e kombit shqiptar pjesëmarrja e gruas është shumë e rëndësishme. Margarita Tutulani në një lirikë shkruan: “Ti do të çelësh ndër agime/ Lule e njomë plot me vesë/ Do të më ngrehësh në ëndërrime/ Do të më bredhësh në harresë…/” Kurse pena e Nimete Progonatit do të shpallte vendimin e saj se do t’i bashkohej luftës për çlirim: “Me ju, o trima/ O partizanë/ Do vij dhe unë/ Do ngjesh gjerdanë/.” Krijimet sjellin emocione nga jeta në kohë lufte. Në krijimtarinë e ofruar, (për shkak te jetës së shkurtër) s’mund të bëhet fjalë për stil, kështuqë të tillë autorë janë të paktë në vëllim. Duke lexuar krijimtarinë e dëshmorëve konstaton se kënaqësia estetike që buron prej tyre, vjen edhe prej stilistikës së përdorur në masën e duhur. Nuk mungojnë këtu krahasimet epitetet, metaforat, alegoria, antiteza dhe mjaft fjalë të reja. Krahasime: Kuçi si lule xhenetit. Rrëshqita si loti. Si kala në mes të detit. Osumi shkon luginës porsi ngjalë. Ndrin si pasqyrë. Shkëlqejnë si margaritarë. Epitete:nëpërka pikaloshe, ndër lëndina jeshilore, rrezet e argjendta, kohë gënjeshtare, krahë herkulianë, lirinë e shenjtëruar, trima guximtarë, fytyrë e vetëtitur, syri përtëritës, lule e burmuar, valët kryeneçe, shkëlqime kristaline, rreze e mekët. Metaforën e kanë si figurën e tyre të preferuar shumë poetë dëshmorë: Zemrës i janë prerë duart.Rrezja vështron me cep të syrit.Ai flet me gjuhën e lashtë të ullinjve.Yjet meken në xixëllimën e tyre.Donin të na vidhnin gjuhën. Përrenjtë fryhen me gjak trimash.Vjosa…u lëpin plagët. Lisat mbajnë xixëllonja në xhep, etj. Vëllimi flet edhe për një pasuri leksikore të autorëve. Nga ana e fjalëformimit, gjejmë fjalë të përbëra: emër+emër, emër+folje, emër+pjesore, emër+mbiemër etj.Vështrimçelur, vetullndrirë, buzëqeshur, zemërdjegur, fytyrëheshtur, vetullhënë, syskalitur, gojëmjaltë, gjithëkushin, sydragua, zemërkëputur, syvenitur… Mjaft autorë preferojnë vargjet me rimë kurse të tjerë vargun e lirë, ashtu siç disa preferojnë prozën e disa poezinë.Edhe në luftë dashurohet. Por dikush teksa thur të tilla vargje, kujton të dashurën që ta presë pas lufte. Mes poetëve që i rrëmben erotika është edhe Dino Kalenja: “Ti erdhe me gjumin/ Unë mbërita me lotin/ Eh…në sytë e lagur/ e mësuam notin.Ose: Si dy zogj në pafajësi/ Ulur rrimë në korije/ Në xhepin e shpirtit tënd/ Bluajmë afshe dashurie/”.

Dëshmori Kristaq Tutulani shkruan besimplotë se Shqipëria e shqiptarëve do të rrojë. Duke përkujtuar ditën e pavarësisë, ai shkruan: “…të tillë fatosa, të tillë burra, duke mos peshuar jetën e tyre i treguan botës se do të rrojë Shqipëria, sa të ketë mbi dhe shqiptarë”. Autori, duke iu referuar veprimtarisë letrare të Migjenit e cilëson krijimtarinë e tij një risi për letërsinë shqipe: “Andaj ne sot/ të qajmë me lot/ që jemi pak/ dhe kemi gjak/ vëlla Migjen/!” Poetët e sfidojmë vdekjen me krijimet e tyre të zemrës edhe pse e dinë se ndoshta pas një ore  do t’i merrte plumbi. Dëshmorët shkruajnë për drejtësi e sakrifica, duke mbajtur qendrim kritik ndaj të lëkundurve…të kompromentuarve, zvarritjeve apo drejtimit të ngathët. “Në haur u fut i ngrati/ Pati frikë? A, çfarë pati?/ Atje ish dhe veshëgjati/ Mezi e nxori Fuati! Kurse Sinan Ballaci fshikullon …me satirën e tij therëse: “Komandant kobureja/ Ç’është gjithë kjo hata?/ Mblodhe njerëz me para/ dhe i bëre lakëra/”.Vargu i Jani Dodit, këngëtarit të maleve, bëhet predhë e fëshfërimave të fjalëve të pyllit, i shushurimës së krojeve dhe i ulërimës së egërsirave. Ai egërsohet vuan derdh lot si llaskonja e hardhisë dhe vajton si pylli i zhveshur që rreh krahët e ushton nga ashpërsia e tufanit të dimrit. Prekëse është jetëshkrimi dhe poezia e dëshmores 17- vjeçare Yllka Domi e cila u radhit në Brig. 137 të UÇK-s dhe u vra nga snajperët serbë. “Amanet ju le nëse nuk përtoni/ të ma shkruani emrin në rërën e detit/ dhe dy vargje m’i shkruani me shkrimin e saj/”. Flini të qetë, ju, dëshmorë të kombit! Flini të qetë, atje ku ju nderojnë bashkëqytetasit tuaj! Flini të qetë se qëllimi për të cilin dhuruat jetën tuaj u arrit e kujtimi juaj u shenjtërua. Duke mbyllur këtë referencë të shkurtër për poetët dëshmorë, edhe një herë respekt për z. Pandeli Koçi e Dr. Gjergji Velo që me këtë libër i ngrenë një përmendore lavdie me buqeta vargjesh dëshmorëve të atdheut.