Sam kameleoni dhe tekat e mëngjesit
Përrallë
Sami është një kameleon që ngul këmbë në tekat e tij para se të dalë. Zë e thotë ‘jo’ ndaj gjithçkaje dhe bëhet flakë i kuq. Dihet se tekat janë me ngjyrë të kuqe: është ngjyra e fëmijëve kur inatosen dhe nuk ia dalin të qetohen.
“Nuk dua të dal”, i thotë mamasë të hënën në mëngjes, para se të shkojë në kopsht.
“Nuk dua të dal”, i thotë mamasë të shtunën, para se ajo të dalë të psonisë.
“Nuk dua të dal”, i thotë mamasë të dielën, kur është çasti për të shkuar të drekojnë tek gjyshërit.
Kur ngul këmbë në tekat e tij, Sami bëhet i gjithi spec i kuq. Mamaja kameleon, në fillim, është një tërësi ngjyrimesh të përziera në përsosmëri: Pak portokalli, që do të thotë se është përherë e vëmendshme dhe vigjilente ndaj asaj që i ndodh të voglit të vet; pak të verdhë që tregon se është e lumtur. Në mënyrë të beftë, shndërrohet pak në ngjyrë të kaltër, ngjyra e entuziazmit:
“Sami, eja këtu, po kalon një kamion shumë i madh! Dalim që ta shohim më mirë!”
Por, Sami, është gjithnjë spec i kuq. “Nuk dua të dal dhe kamionët nuk më pëlqejnë!”.
“Mirë”, i thotë mamaja dhe bëhet e gjitha portokalli, sepse po mendon sesi të bindë të voglin e vet dhe të zgjidhë nyjën e tekave të tij.
“A dalim të hamë jashtë këtë mëngjes? Nga dyqani i bukëpjekësit vjen aromë e mirë…”. Ka një fije ngjyrë të kaltër në zërin e saj, por nuk kuptohet fort mirë. Ka edhe një dallgëzim të kuq: Është një dellëzim i vogël, por i vogli e shquan lehtazi. Por Sami është shumë i inatosur. I kuq, flakë i kuq. “Unë nuk ha mëngjes. Nuk dua të dal!”.
“Sami, u bë shumë vonë. Tek shkolla të presin shokët e tu, kanë në mendje një lojë të re për këtë mëngjes!”, rreket të thotë mamaja, por buzëqeshja i zhduket nga fytyra dhe zëri po bëhet serioz.
Edhe mamaja po fillon të kuqet.
“Nuk dua të dal!” këlthet Sami.
“Sam, duhet të shkojmë”, thotë mamaja dhe që të dy janë vërtet kuq kuq.
Tashmë mamaja është e mërzitur fort. Ngrihet, shkon në dhomë të rregullojë shtretërit dhe diçka i pëshpërit babait kameleon…
Babai kameleon i afrohet Samit.
“Luajmë?” i thotë.
Samit i shndrisin sytë. “Bëjmë një garë me makina”. Sami dhe babai ulen mbi qilim e nisin të luajnë. “Makina ime është më e shpejtë” thotë Sami. “Eh, por do të shohësh këtë timen…”. “Makina ime ka timon, drita dhe dyer që mund të hapen!” thotë Sami shumë i gëzuar. Tanimë është një kameleon i gjithi në ngjyrë të kaltër!
Minutat kalojnë dhe mamaja, për fat, është ende në dhomë duke vënë rregull. Babai i pëshpërit diçka në vesh Samit: “Ç’thua, a dalim tani? Le t’i bëjmë një surprizë mamasë, veshim këpucët?”.
Kur mamaja kthehet, babai kameleon dhe Sami janë bërë gati për të dalë! Çfarë ngjyre kanë? Të gjithë janë në ngjyrë të gjelbër shndritëse, ngjyra e qetimit.
“Babai është gjithmonë i gjelbër”, mendon Sami dhe ndërkohë edhe mamaja fillon të qetohet dhe, nga e kuqe që ishte, pak e nga pak bëhet portokalli, e verdhë dhe me një pikë të gjelbër.
“Mama, mund të dalim tani”, thotë Sami.
Hoqi dorë nga tekat e tij.