Suplementi Pena Shqiptare/ Klara Buda: “Pëshpërimë gruaje”

560
Romani: “Pëshpërimë Gruaje” është një fiksion që i vendos ngjarjet në vitet 80-të në regjimin totalitar shqiptar dhe trajton rrugën e individëve nga një kolektivitet mbytës drejt lirisë. Me gjithë terrorin e frikën e kaluar ndodh gjithmonë edhe në diktaturat më të ashpra të guxojë dikush, të thyejë heshtjen. 

“ Të tulatur e të puthitur te njëri-tjetri dhe duke mposhtur dridhjen e trupave të tyre e mbajtur frymën, por pa shumë pushtet mbi një drithërimë tjetër që sinkronizonte rrahjet e zemrave të tyre dhe përhapej në rrathë koncentrikë nga vullkani përvëlues i Almës drejt virilitetit paqësor të Adrianit » 

Vështrimi i Almës normalisht i flaktë, dukej sikur kishte humbur. Sytë e saj, për të cilën thuhej se nuk trembej, shprehnin frikë. Që nga momenti i arrestimit, një natë më parë, Adriani nuk kishte mbyllur sy. Atij nuk i kishin bërë asnjë pyetje për lidhjen me Almën, çdo gjë kishte ardhur papritur dhe ai nuk e kishte menduar se çfarë do të thoshte për marrëdhënien e tyre, por për asgjë në botë nuk do ta cenonte atë. Si pak të tjerë, ai qe ndërgjegjësuar se në atë sistem, të dashuroje, duke shpërfillur biografinë, ishte në vetvete një akt rezistence…” 

Në 9 shkurt 2017, në 110 vjetorin e lindjes, botohet në Francë për herë të parë në një libër më vete, rrëfenja e Mitrush Kutelit “Fshati im e pi rakinë” e përshtatur në frëngjisht dhe e paraqitur për lexuesin francez nga Klara Buda. Parathënien e librit e firmos Christian Gut, albanolog dhe latinist i njohur, anëtar i Akademisë së shkencave të Kosovës. Kështu pjesa kryesore e veprave që na ka lënë ky autor është shkruar dhe botuar para periudhës totalitare, të « realizmit » të indoktrinuar që u quajt, realizëm socialist. Kjo vepër, një gjerdan ku ka të paktën mes të tjerash disa perla, tridhjetë në total, ku mund të përmendim “Vjeshtën e Xheladin Beut”, “E madhe është gjema e mëkatit”, “Fshati im e pi rakinë”, “Xinxifillua”, “Rina Katarinella” etj. Stili dhe metoda e tij e veçantë përben një risi në prozën narrative dhe shënon lindjen e prozës moderne shqipe. Sot Kuteli konsiderohet si një nga mjeshtrit e fjalës shqipe, kontributi i të cilit është i pamohueshëm dhe i padiskutueshëm. Kuteli qe një kritik dhe kritik me vlerë, përkthyes i veprave të mëdha të letërsisë botërore, me dëshirën që t’i lexonte populli i tij. Ai qe poet dhe autor novelash, disa prej të cilave vlejnë sa një roman i gjatë dhe janë gjithmonë të ushqyera me letërsinë popullore të atdheut dhe sidomos të krahinës së tij, duke tejkaluar kufirin e atij që ai me modesti e quante: Rrëfim. Mitrush Kuteli është shkrimtar përfaqësues i kohës së tij, i prirjeve të pandryshueshme të letërsisë moderne shqipe dhe sidomos, poet i vargut dhe prozës, i ushqyer me letërsinë popullore. Ai ishte piktor i jetës së një atdheu të përjetshëm. Rrëfenja kuteliane, për nga stili, proçedetë letrare dhe elementët etnografikë të përdorur, përbën risi në prozën e shkurtër shqipe. Në rrëfenjën « Fshati im e pi rakinë » që botohet në sezonin letrar francez, gjejmë qartë proçedenë tipike të Kutelit, të stilit të tij oral (ligjërues) dhe elementë të veçantë të një letërsie të ushqyer nga tradita popullore, të lloji të Baladës sipas konceptit të etnografëve gjermanë. Tek kjo rrëfenjë ai ka përdorur edhe proçedenë surrealiste të shprehjes automatike duke respektuar rrjedhën normale të mendimit. 


Sigal