“ E drejta s’njeh as baba, as nënë, por shikon vetëm të vërtetën” GAI
Disa ditë më parë patëm kënaqësinë që me një grup shokësh e miqsh të takoheshim me Prof.dr.Ismet Elezin. Shkaku ishte për t’u njohur me botimin e ri të librit “KANUNI i LABËRISË” (2023). Publikimi i parë është bërë në vitin 2006 dhe në mungesë të tij për lexuesit labë e më gjerë. Autori e pa të nevojshme që ta ribotonte atë. Kanunet në përgjithësi ruajnë vlerat e një treve të tërë për të luftuar anët e errëta, negative, të cilat nuk pajtohen kurrsesi me parimet moralo-zakonore të një vendi. Natyrisht me forcimin e shtetit dhe zbatimin e një kushtetute sa më të shëndoshë të mirëpërgatitur, gradualisht ose kalohet në zbehjen e kanuneve për të gjetur më tej më të zbatueshme praktikat juridike të një shteti të vërtetë demokratik e të së drejtës. Po në periudha të caktuara kohore të shoqërisë këto kode, venome apo sharte, kanë luajtur një rol të veçantë në rregullimin e marrëdhënieve midis njerëzve. Për këtë qëllim vetëm në Labëri janë zhvilluar Kuvende të posaçme si në Himarë, Progonat, Mesaplik, Kuç e gjetkë. Problemet e më lartme u shtjelluan në mënyrë të përsosur dhe me një qartësi mendore për t’u patur zili, nga ai, i cili mban mbi supe mbi 10 dekada vitesh, pikërisht vetë Prof. Ismet Elezi që ka kaluar mes studimesh produktive një jetë të tërë në këtë fushë. Ai u dëgjua me shumë interesim e kërshëri nga të pranishmit, disa prej të cilëve ishin studentë të dikurshëm të profesorit më të shquar të jurisprudencës shqiptare. Shumë nga ata sollën në vëmendjen tonë vlerat e Kanunit (apo të Kanuneve) të një periudhe kohore të caktuar dhe i mëshuan realitetit të sotëm që nuk duhet të udhëhiqemi prej tyre, por nga ligjësoritë, rregullat dhe veprimet e duhura të bazuara në Kushtetutë. Kësaj të fundit i takon të udhëheqë njerëzit në shoqëritë e zhvilluara e të civilizuar.”Drejtësia e lartëson një komb…” ka shkruar Solomoni i Greqisë së lashtë. Po në raste të rralla kanunore, ndonëse të tejkaluara nga koha, në disa zona të vendit tonë, më tepër i kthejnë zytë nga kanuni, besëlidhjet e qëmotshme, normat, që rregullonin pronat, gjaqet, hasmëritë, ato në përcaktimin e kufinjve midis fshatrave apo krahinave, hakmarrjet, marrëdhëniet burrë-grua, martesat, tradhtitë e kështu me radhë…Në ditët e sotme me të drejtë, shoqëria është kundër veprimeve patriarkale, robërimit e poshtërimit të gruas, është për një barazi midis bashkëshortëve për të forcuar pozitën e gruas në famile, shoqëri e kudo. Ndaj shumë veprime arkaike, mesjetare janë lënë mënjanë në kohët e sotme si edhe disa mendësi frenuese e fyese, ndonëse aty-këtu jo rrallë të tilla autogjyqësi ngrenë krye për fat të keq. Në Itali, madje, si për ironi të fatit, qarkullon një fjalurti se burri e gruaja janë një, por ai njëshi jam unë,-thekson burri, me kapadaillëk ose fodullësi…! Prof.dr.Ismet Elezi shkruan dhe shtjellon në parathënien e tij me 12 fletë të”Kanunit” se “Kanunet janë dhe do të mbeten si monumente historike të vlerave kulturore të popullit shqiptar…”, gjë që u theksua nga pjesëmarrësit në takim. Për këtë temë profesori i nderuar për vite të tëra ka bërë takime, biseda, mbledhje dhe vajtje fshat më fshat kudo ku jetonin e punonin njerëzit për të vjelë sa më tepër materiale për botimin e tij monumental. Po ashtu ai ka marrë parasysh mjaft mendime e përjetime nga personalitetet e tjerë të fushës si dhe studiues të mirëfilltë në takime e konsulta në disa zona e qytete të Labërisë. Ky Kanun i 2023-it në vetvete përmban 10 pjesë, 50 krerë (kapituj) dhe 870 nene të rëndësishëm, që ia vlen të lexohet e të studiohet. Libri përmbyllet me 4 fletë ku gjendet një fjalorth shpjegues të fjalëve e të shprehjeve që hasen më tepër në këtë Kanun që i përket Labërisë. Kjo e bën më të kuptueshëm atë edhe për publikun e gjerë. Na u bë qejfi që prof. Ismet Elezin e dëgjuam dhe e pamë mendjefreskët e të shëndetshëm fizikisht si dhe prodhimtar në shkencë. Fan S.Noli ka thënë se “të shkruash në pleqëri është sa sakrificë aq edhe trimëri”… Po pranë vetes ai mbante një dorak, bastun (italisht) apo shkop për të qenë sa më i sigurtë në ecje, por siç e pamë, nuk e kishte aq të domosdoshëm atë kur lëvizi. Me këtë rast po parafrazoj një fabul të fabulistit të shquar Ferit Lamaj, që do t’i shkonte për shtat profesorit të dashur. Ajo mban titullin “SHKOPI”:
“Tek llafos aktualitetin,
i them: Qysh ma ke shëndetin?
Hop me finte ma hedh topin:
-Pas pak muajsh
do marr shkopin!
-Profesor, me mendjen top,
Shkopit bjeri”bam” me shkop!”