Më zhgënjeu një yll që ra atje larg,
dikur në dhjetor.
Më zhgënjeu dimri që erdhi dhe iku,
pa hedhur dëborë.
Më zhgënjeu një vajzë që s’shkoi në takim,
dhe rrinte hutuar tek pragu në portë,
por zemra i rrihte për djalin që priste,
i rrihte aq fort.
Më zhgënjeu shumë herë edhe zemra ime,
sepse s’mban secrete.
Më zhgënjyen lulet një ditë në vendlindje,
gjithë vesën e prillit e pinë për vete.
Më zhgënjeu era që erdhi papritur,
pa zhurmë dhe pa bujë,
dhe flokët e t’u të krehur aq bukur
t’i bëri rrëmujë.
Më zhgënjeu vjeshta se ka kaq pak dasma,
më zhgënjeu malli për miken e vjetër,
me retë vjeshtore shpërndarë nëpër qiell,
s’më nisi një letër.
Më zhgënjyen ca zogj të vegjël, të brishtë,
që shikoja shpesh nën qiellin blu,
më lanë në ballkon ca pendë të lehta,
dhe ikën diku…