Suplementi Pena Shqiptare/ Ismail Kadare: Koha e popujve

303
Sigal

 

 

*MËSUESET E FSHATIT

Në udhëkryqe ndanë xhadeve:

ditët e shtuna dalin shpesh

dhe, zgjatin dorën nga makinat,

herë dy nga dy, herë veç e veç.

Po shpesh ata që janë brenda

me njëri-tjetrin shkëmbejnë fraza:

si shumë pretendime kanë

mor shoku Jani, këto vajza!

Dhe janë ata që bëjnë zhurmë,

që kanë për vete dyzet gojë

që i shkruajnë letër presidiumit:

për një guzhinë po t’ju mungojë.

Dhe ato presin makinën tjetër,

atje në rrugë, atje në shi.

Ato të urtat gjer në dhembje,

të thjeshtat gjer në madhështi.

Tek presin, java që kaloi

iu kujtohet si në tym;

klasa me nxënësit, gabimet

q’u përsëritën në hartim.

Në mbrëmje radion dëgjon njëra.

Tjetrës në mend i vjen sërish,

shikimi i fotoreporterit,

q’andej kaloi rastësisht.

Koha e fejesës i ka ardhur.

Dikujt ndoshta i shkon çdo ditë,

pluhur i shkumësit, vello e bardhë

u bie mbi supe e i trondit.

Po s’ngrenë ato botën në këmbë:

në komitet, në ministri:

ato të urtat gjer në dhembje

të thjeshtat gjer në madhështi.

 

Pellgu

Një ditë në fushë shëtisnim,

dhe ja, te ky pellg m’u në fund

të qeshur të dy ne u pamë ,

në ujët që era lëkund.

Tani erdha prap’ tek udha,

bredh tutje me mallin në gji.

Por pellgu ështe tharë… siç duket,

që veten t‘mos shoh në vetmi.

 

 

KOHA E POPUJVE

Kur superkafshët dridhnin botën,

njeriu në gjunjë nuk u ul.

Ka pasur vite të mamuthëve,

po kohë të tyre s’pati kurrë.

Me brirë të tmerrshëm e klithma kobi,

mbi tokë ata vunë ligjin bishë.

Megjithatë ish kohë e njerëzve

dhe ky planet, i njerëzve ish.

Nga superpesha u vinte vdekja,

ngecnin përbindëshat në batak.

Kështu do ngecin supershtetet,

në llum të globit pak nga pak.

Dhe kur në të ardhmen do zbulojnë

eshtrat e tyre nëpër botë,

ashtu si eshtrat mamuthore,

që zoologët gjejnë sot.

Kur të zbulojnë konstruktet, dhëmbët,

atë burokraci-hata,

ç heronj, do thonë, kanë qenë:

popujt që rrojtën tok me ta.

Ata q’u ngritën përballë tyre

që u qëndruan trimërisht,

ish kohë e tyre ajo, do thonë,

dhe ky planet, i tyre ish.