Suplementi Pena Shqiptare/ Irma Kurti: “Mes dramës së vdekjes së babait dhe gëzimit”

593
Pas turneut letrar në Barcelonë
Poetja dhe shkrimtarja shqiptare Irma Kurti ishte e ftuar në datat 21-24 prill në bordin e anijes Grimaldi Lines për të prezantuar romanin e saj të suksesshëm në gjuhën italiane: “In assenza di parole” (Në mungesë të fjalëve). Ky udhëtim organizohet çdo vit në kuadrin e Ditës Ndërkombëtare të Librit dhe ka si destinacion Barcelonën. Atje librat e autorëve italianë ekspozohen në stendën e posaçme krahas stendave të tjera me libra të autorëve spanjollë. 

“Ishte një ftesë që m’u bë në nëntorin e vitit të kaluar dhe e pranova menjëherë, sepse qe e veçantë dhe unike”- thotë Irma. “Një eksperiencë e rrallë ajo që gjatë udhëtimit, në anije do të njihesha me shkrimtarë italianë si dhe do të prezantoja librin tim më të ri duke firmosur kopje për lexuesit”. 

Vetëm dy ditë para nisjes, i ati i poetes, Hasan Kurti që jetonte prej shumë vitesh në Bergamo të Italisë, mjek radiolog shembullor në qytetin e Elbasanit që ia dedikoi jetën profesionit të tij, mbylli sytë përgjithmonë. 

“Ishte një nga çastet më të dramatike që kam kaluar në jetë” vazhdon Irma. Nuk humba babain, por mikun, bashkëbiseduesin, njeriun që më inkurajoi të hedh hapat e parë në rrugën e letërsisë, kritikun më të mirë në rrugëtimin letrar. Mendimi i parë ishte të anuloja udhëtimin. E kisha zemrën të mbushur me dhimbje dhe trishtim. Nuk kisha forcë të flisja, por vetëm lot. Pastaj mendova atë, romanin që do të prezantoja. 

“Në mungesë të fjalëve” ka lindur dhe bazohet në ditarin e babait tim; ai flet për fëmijërinë e tij të vështirë, për vuajtjet, po dhe për vullnetin e jashtëzakonshëm për të ndjekur e për të realizuar ëndrrën për t’u bërë mjek. Një roman i mbushur me ngjarje dhe të papritura. Kështu, vendosa ta bëja atë udhëtim drejt Barcelonës, t’u tregoja italianëve, siç kam bërë edhe në shumë qytete të Italisë, historinë e tim ati me dritë – hijet e një jete të vështirë në atdhe po edhe në Itali, vendi ku ai emigroi në moshë të thyer për t’iu gjendur pranë familjes. Teksa firmosja kopje të librit: “In assenza di parole” për lexuesit italianë gjatë udhëtimit në anije, po edhe më pas në Barcelonë, unë ndjeja se ai dëshpërim që më kishte pushtuar të tërën ishte shndërruar në kënaqësi dhe lotët më ishin tharë përkohësisht. Ndjeja që babai im ishte aty, pranë meje për të më dhënë forcën e kurajën që më kishte dhuruar gjatë jetës”.
Sigal