Në thesarin letrar shumëgjinish të poetit “Nderi i Madh” Xhevahir Spahiu, bëjnë pjesë, si padashur, edhe shumë biseda të tij që përshkohen nga nervi poetik dhe humori i këndshëm, të cilat kanë një lezet do të thosha, shekullor. A e di ti, Vath, përse je kaq i gjatë? – i thosh ai shkrimtarit aq të mirënjohur myzeqar, të ndjerit Vath Koreshi. Unë e di, po ma thuaj ti, – ia pret Vathi. Ti, qysh kur ishe tre vjeç, sapo çoheshe në mëngjes, zgjatje kokën për të parë diellin që do të delte atje lart pas malit të Tomorrit, dhe kështu ty t’u zgjat qafa e trupi nga ky ushtrim i përditshëm, gjatë moshës tënde të rritjes. Dhe humori gazsjellës ngrohte zemrat e të pranishmëve. E sollëm këtë çast, sepse edhe poeti Niko Çuni është njeriu, zemra e të cilit përshkruan poetikisht imtësirat e jetës së njeriut e të natyrës së vendlindjes. E vërteta është se Myzeqeja, kjo fushë e madhe e shtrirë krahëhapur nuk e kupton dot veten e saj pa praninë dhe hijen e Tomorrit epik. Janë vendosur prej mëmës natyrë, ashtu siç janë, për t’i dhënë hijeshi ai asaj, dhe nur ajo atij.
Janë të shumta librat dhe shkrimet, veprat artistike dhe bëmat historike, që flasin për Tomorrin dhe Myzeqenë. Tani kemi nëpër duar librin me një tufë të plotë poezish gjithë ndjenjë e dhëmshuri, të autorit lirik mbresëlënës Nikollaq Çuni, i cili fshatlindjen e vet e quan me mall e krenari “myzeqarja Libofshë”. Libri titullohet “Mall…” dhe vjen në dritën e botimit pas dy të tjerëve paraardhës të penës së tij të ngrohtë. Iu këndon Nikoja me shpirt e me zemër, me lot e gaz, jetës, familjes, fëmijëve, stinëve të vitit: pranverës “ që e rinon”; verës “ me diell të ngrohtë mesdhetar”; vjeshtës që na habit “me magjinë e rënies së gjetheve”; dimrit “të gjatë e të ftohtë, që për çudi hapin ndalon me përtesë”. I këndon edhe selvisë “ që është pranë kishës afër diellit”; luleborës “së pikëluar me gjak”; valles dyshe myzeqare ,”çapitur ndër shekuj”; mërgimit” që e bën të qajë e s’ka më lot”; “mallit ankth të pritjes dhe mallit drithërues të ndarjes”; vesës kur “trëmbet nga puthja e agimit”; dashurisë; nuses që hedh valle mes dasmorësh; këngës myzeqare. Me shumë mall e respekt ai i thur poezi shkollës së fshatit të lindjes që “ edhe pse linde në baltën myzeqare ëndërrove lartësinë e reve, e mbi vete sot veç diellin ke”, e cila është më tepër se një shekullor. Iu këndon figurave historike të spikatura të lindur në fshatin e tij, por që i përkasin kombeve, si ish Rektori i Universitetit të Tbilisit Naum Prifti (Doko) etj. Mirëpo poeti s’mund të rrijë pa përmendur nurin dhe madhështinë e malit të Tomorrit. Ai krejt natyrshëm, në një nga poezitë e këtij vëllimi që lidhet me emrin e Myzeqesë, thotë: “Kur kreshta e Tomorrit / fillon të zbardhë / e agu zbret / prej tij ngadalë / kur balli i reve / përpuret lehtë / e në qiell ato / treten pastaj / në cep të fushës / dua të gjendem / mbi plis i ulur / endur mbi re.” Duket sikur, dhe ashtu siç thotë poeti e ka thënë vetë historia e mitologjia, Tomorri e do ndaj e përkëdhel saba-darkë me sy këtë fushë të gjerë, e i jep asaj gjallëri e bukuri…Dhe për ta vijuar më tej: “Kush s’të pa ty / kur pret e përcjell bij / por hiret e tua / të t’i njohë s’do mund / veç emrin tënd / do mësojë, Myzeqe / e habi do shpreh / për shtrirjen që ke.” A nuk duket sikur është e prekshme me dorë “dashuria” që lidh Tomorrin me Myzeqenë? Një lidhje e brendshme mitike, jetësore dhe shpirtërore ekziston midis këtij mali, thinjur flokësh gjatë mijëravjeçarëve, trevave plot luftë e këngë të Pellazgjisë, që është rinuar nëpër legjenda, dhe kësaj fushe të gjelbër me emër të hershëm ilir… Na ka befasuar vëllimi tjetër me gjashtëdhjetë poezi – “Fjalë borxh…” i Nikollaq Çunit këtij njeriu të heshtur në vrulle e me vrulle të paheshtur, që ndonëse ajkën e jetës e treti transheve nëpër male e kodra të atdheut nën petkun kaki të uniformës së oficerit si bir i devotshëm i kombit, shpirtin poetik e ruajti ashtu, qetë dhe në heshtje, nën pelerinën e anktheve dhe shpresave. Ky vëllim me një faqosje simpatike, me një kopertinë joshëse për këdo që ka sadopak ndjenjën e estetikës është një tjetër tufë lulesh i një shpirti të freskët prej luftëtari që e do shoqërinë njerëzore në ecje drejt përparimit e begatisë, me gjithë zhgënjimet, të një poeti që nuk epet, por shpreson.Vëndlindja, ky imazh i përjetësisë njerëzore, ashtu si dhe në vëllimet paraardhëse të mikut tonë Nikollaq, është dhe mbetet lëndina më e përgjakur prej ngjyrave, ku sundojnë të gjitha nuancat e së gjelbrës , në të cilën ai gjen frymëzimin e pashtershëm; është frymëzimi që të jep pavdeksinë tek fija e barit që mbin për të mos u tharë kurrë mbi varrin e gjyshit, apo të lule kumbullës që nis guximshëm e para tok me bajamen udhën drejt pranverës për të cilën ëndërroi e punoi nëna, babai. Këtu në vendlindje ai noton në jonet e këngës, në qetësinë e vrullshme, do të thosha, tragjike të valles myzeqare, këtu sheh se si tulatet muzgu, se si çahet brazda (brazda e jetës së pandërprerë dhe e arës së mbjellë me lot dashurie). Këtu autorit i lumturohet shpirti. Ndër më të goditurat poezi janë ato për Myzeqenë, këtë fushë të pa anë me lashtësi historike, gjithë drama dhe vuajtje, lot dhe gëzime, ku lindën e do të lindin figura të shquara të kombit, ku kompozohet një pjesë e fuqishme simfonisë së jetës shekullore shqiptare. Me çiltërsi si pak kush autori ndërthur ndjenjat me jetën e tij, vitet dhe brezat, qiellin dhe tokën, legjendat e së shkuarës dhe të tashmen që do legjendizohet dikur, kur ai i këndon atdheut, Shqipërisë mëmë dhe njerëzve të saj të shquar. Pikërisht aty, mes këtyre plagëve e gëzimeve, larg në dukje, por pranë në shpirt të tyre qëndron “rinia ime e dielluar, përmbi plis e çelur, e stuhishme, gur më gur e gdhëndur”. Duke i kënduar vjeshtës e pranverës, yllit dhe ujëvarës ai qan me lot dhimbjeje dhe shprese. Libri do të pasohej nga një edhe më i arrirë”I vetëm nuk jam”, që doli në vitin 2023 me një redaktim e parathënie nga poetja e njohur Vllasova Musta. Në këtë vëllim aq të freskët me rreth tetëdhjetë poezi të spikatura poeti tashmë në pragun e treçerek shekullit të jetës së tij, iu mëshon më shumë çasteve se sa viteve. Nuk jam i vetëm, deklamon poeti madhërisht dhe me krenari shpirtërore, sepse në ato që hedh në letër janë nëna, atdheu, fëmijët, tërë njerëzit, madje gjithë pemët, zogjtë, lulet. Ai qesh, qan, i nëm ikjet dhe iu gëzohet ardhjeve. Zëri i tij buçet kundër atyre që përpiqen të zhbëjnë diçka sado të vogël nga atdheu ynë.”Pse na i vratë bukuritë?!” I pezmatuar nga plaga e emigrimit masiv Niko Çuni i referohet historisë për ta patur si udhërrëfyes në të ardhmen:“Kombi ynë, një komb me rrënjë,/ rriti djem e burra nderi;/…krahpërkrah me vllanë,/ ngado shkofshin nëpër botë;/ të mos e harrojmë vatanë!”Dhe përsëri e përsëri Niko Çuni i këndon pa pushim vendlindjes, fëmijëve, nipërve, mbesave të cilët do të realizojnë ëndrrën e tij që poeti ta ndjejë që s’është kurrë i vetëm, edhe kur nuk do të jetë!
Duke ndarë të njëjtat ndjenja e përjetime, si bashkëluftëtar i hershëm nën uniformën e ushtarit, dëshiroj të të uroj:
Vrapuakan vitet tutje,
e thinjat borojnë mbi kokë.
Ty zemra të rreh pa ngutje
me fuqinë e rrënjës në tokë.
Lavdi s’do, as pasuri,
të dyja i ke prekur:
Jetë të blertë me fëmijë
emri librash mbetur!