Suplementi Pena Shqiptare/ Ilmi Qazimi: Kryetar Taip Vishanji  dhe  kriza e bukës

367

-skicë,ngjarje migjeniane e jetuar-

Sigal

Kriza e madhe e bukës kishte pllakosur tërë vendin dhe fshatarët skraparlinj, merrnin si ndihmë nga shteti drithë për të mbajtur gjallë frymën e fëmijëve e tërë familjes. Bereqeti ndahej me listë në depon e grumbullimit në Çorovodë. Kur dielli qe ngritur tre hostenë, rreth njëmbëdhjetë vetë lidhën hajvanët te gardhi në një qoshe të sheshores para depove. Kishin ardhur nga Çepani, katër orë larg. Ishin Malushi i Nekiut, Petrefi i Saliut, Mehmeti i Manes, Sadiku i Dilaverit, Bedriu i Avdylit dhe …Bedri Malush Osmani. Ky ishte më i madhi në moshë. Ai i organizonte, i udhëzonte, u thoshte se çfarë të bënin e si ta bënin. Bedriu, pyeti a kish bereqet dhe kur do t’u vinte radha atyre të Çepanit. Magazinieri tha se bereqeti, edhe gruri edhe misri, kish mbaruar.” Po të keni fat që të vijë makina nga Berati, do të jetë mirë. Juve prisni se mbase vjen. …” Dhe prisnin ata nën hijen e një qiparisi gjysmë të tharë duke mbajtur sytë tutje se mbase, tej te Shkëmbi i Vërzhezhës, do të delte kamioni i ngarkuar me misër…por më kot. Misër nuk kish! Ishin ditë krize që në historinë e krahinës dhe mbarë vendit mbahen mend si koha e “zisë së bukës”.  Ndajnate, thuajse më të errur, magazinieri u tha se, po të donin të merrnin racionin, t’ia mbathnin për në Gjerbës, se atje kish misër dhe me një shkresë nga Çorovoda magazinieri i atjeshëm do t’u jepte. Gjerbësi ishte gjashtë orë larg më këmbë. Nuk kish asnjë mundësi tjetër. Njerëzit në fshat prisnin bukë. U nisën. Në të përpjetën drejt Qafës së Devrisë, Bedriu ndaloi “kolonën “ dhe tha: ”Do të hamë një kafshatë bukë”! Ca kishin e ca s’kishin. Lëshuan hajvanët me kapistër nëpër këmbë aty anës udhës dhe u ulën këmbëkryq. Bedriut të Avdylit, nënë Havaja,(Sa e mirë ishte ajo! Oh sa e urtë dhe punëtore që ishte! Apo e doje gojëmjaltë! Ishte bijë në Cerovë te familja e Rizait të madh), i kishte hedhur në trastë një copë përvlaku me pak gjizë e gjalpë të përzjerë, mbështjellë me një gjethe pjergulle dhe një shishe qelqe me dhallë që ishte si ujë, por ama i bardhë.   Bedri Osmani – eh, ç’ burrë i mençur e zemërbardhë që ish ai, i thotë: ”Ti djalë i Avdylit, këtë bukën do ta ndash se do hamë të gjithë, po do hamë dy vakte!”Mirë “- ia ktheu Bedriu 17 vjeçar. Ai nxori një sojkë dhe ndau në taine të vogla copën e përvlakut. Nja dy copa ua dha të tjerëve, dhe i tha djaloshit :”Ruaje këtë që mbeti për natën, se kemi udhë të gjatë!”    Eh , ç’vuajtje! Moti ishte  i nxehtë e i thatë. Udha me të përpjeta. Ata ishin të lodhur, të mërzitur, të pangrënë, të sëkëlldisur nga hallet e shumta. Bedriu vuri një shami mbi kokë që të fshinte djersët dhe çapiste në krye të karvanit të çepanllinjve që shkonim për bereqet në Gjerbës. Nuk flisnin. Dëgjoheshin vetëm troket e kafshëve. Gjatë udhës ndaluan te pusi i Dervish Iljazit. “Hajvanët lidhini për këmbe me tërkuzë të gjatë që të kullosin ca, se ka bar të mirë këtu- tha Bedriu. Ne do të rrimë të çprehemi një copë herë, po nuk do flemë…” dha urdhër ai. Panë edhe një herë torbat e bukës në kish mbetur ndonjë thërrime…  Ndaj të gdhirë u gjendën te dyert e depos së drithit të Gjerbësit që ishte në mes të fshatit. Kryetar i lokalitetit ishte Taip Vishanji. “Luaji duart “ i thoshte ai magazinierit me zë të fortë, “se këta kanë ardhur që nga Çepani dhe fëmijët po i presin për kotheren e bukës!” Ai njihte mirësinë dhe drejtësinë  e nuk i shkonte në mendje se më pas me çepanllinjtë do të zinte edhe krushqi. Ishte autoritar ai burrë! Dhe ashtu mbeti deri në fund! Nuk e tregonin kot atë rastin që një fshatar nga anët e Tomoricës, kur i thanë që të zbatonte një direktivë të Komandant Enverit, u përgjigj: “Po ta ketë thënë Taip Vishanji jam kail ta bëj menjëherë , ndryshe jo!”    Sipas radhës që caktoi Bedriu, ngarkuan. Kush mori 49 kile misër se shtatë frymë kishte, kush mori 28, kush 35…. Asnjë nuk largohej se do të shkonin të gjithë tok deri në Çepan. Kishte vëllazëri e unitet e mirëshkuarje. Mbaruan  së ngarkuari dhe u nisën. Do të ndalonin përsëri në Çorovodë se do ta bluanin misrin te mulliri, te Mëni i Çorovodës. Ai kishte katër syrës dhe nuk i vonoi. Edhe aty bluan sipas sërës që caktoi Bedriu. Lanë ujemin dhe nisën udhën për në Çepan: nga Mëni, në Sharovë, në Shakubec, në Grepckë, në Dorës, në Zëndan , në Siticë, në Çepan.  Bedriu i Avdylit, sa mbërriti në shtëpi i doli përpara nënia, e mrekullushmja çemberbardha  Hava dhe i futi thasët me miell në konak. Pa dalë mirë ajo te dera, erdhi Filja e Sali Dapit: “Aman o hanko Havaja, se s’kam asnjë brezë miell” dhe i zgjati një tepsi të bakërtë. Havaja, që prej natyre ishte shumë dorëdhënëse e dashamirëse, ia mbushi tepsinë duke e ngjeshur me gishtërinj dhe ia dha me buzën në gaz. Kuptohej që ishte borxh dhe Filja , që edhe ajo ishte zonjë grua, (se fukarallëku të ul kokën, po nuk të humbet fisnikërinë),do t’ia sillte sa më parë të qe e mundur. Por edhe po nuk e solli familjet e atij fshati nuk e zinin në gojë. Ishte fjala për bukën e gojës dhe bëhej “hallall”! Atë kohë kish varfëri, por kish më shumë njerëzi, vëllazëri dhe zemërgjerësi. Ishte qershor 1953.