Suplementi Pena Shqiptare/ Ilmi Qazimi: Gjyqi i qenit

145
Sigal

 

-rrëfenjë e jetuar-

“Po shkoja në malin përballë fshatit për të shpënë bukën e drekës vëllait, që ishte me dhi. Rrugës më dalin përpara dhitë e Bashollarëve që kishin çoban Rizain. Rizai kish disa ditë që, për t’u ndihmuar në ruajtjen e dhive të lagjes pati marrë edhe Kaleshin e Brahimit, një qen i njohur në fshat për ruajtje shtëpie. Kaleshi sa më pa, m‘u sul, më vuri poshtë dhe kafshoi thellë në pulpë të këmbës së majtë. I trembur dhe i gjakosur bërtita sa kisha në kokë dhe të thirrurat e mia  lebetitëse u dëgjuan në tërë pllajën. Erdhën në ndihmë Rizai edhe Shahini. Shahini, duke parë vrëngër Rizain, më vuri duhan mbi plagë dhe më hipi në mushkë për në fshat. Udhës m‘u betua si kushërinj që ishim, se Kaleshin do ta vriste. Shahini ishte nga aktivistët që kishin lejë për mbajtje arme. Mua më mjekoi me përkujdesje infermier Ferhati. Nënia ime e mrekullueshme Çarçikua, më pastronte plagën dhe ndërronte fashot. Me vështirësi, pas një muaji munda ta vija  këmbën në tokë. Të nesërmen në fshat u dëgjua një krismë teke e thatë belgjiku. Shahini kishte qëlluar Kaleshin e Brahimit. Brahimi vajti tek qeni i porsavrarë dhe vuri re se plumbi e kishte përshkuar nga prapa, nëpër trup dhe kish dalë tek gryka. Ishte i matur, por edhe i regjur me jetën Brahimi, sepse kishte qenë në kurbet në Grevena të Greqisë e pastaj në Boston të Amerikës. I thotë së shoqes se “do ta hidhte në gjyq atë që më vrau qenin. Kaq kollaj u vrakërka qeni? Le ta zgjidhë drejtësia këtë padrejtësi.” Atëkohë t’i  vrisje dikujt qenin e shtëpisë apo të bagëtisë ishte ngjarje që lahej me kokë njeriu, sepse qeni, tradicionalisht për detyrat që kryente dhe rolin që luante ishte i barazvlefshëm me pjesëtarin e familjes. Por ama edhe qeni e dinte vendin e vet, ose në kalibe, ose me bagëti. Nuk ishte si në këto ditët e sotme që qeni të fle në një krevat me gruan. Në gjykatën e rrethit kish vajtur një padi. Atëkohë nuk kish avokat. Edhe ryshfeti dënohej me ligj dhe nuk ia mbante njeriu që të jepte. Lake prokurori, një burrë i njohur në tërë trevën si njeri krejt i paanshëm dhe i drejtësisë së kulluar gjyqësore, u vu në pozitë të vështirë, sepse kishte të bënte për herë të parë me gjyqin e një qeni. Për më tepër, Lakja i njihte personalisht dhe familjarisht tërë banorët e fshatit ku kish ndodhur vrasja. Prokurori konstatoi diçka të veçantë. Paditësi ankohej që vrasësi e ka qëlluar qenin nga pas, në befasi; kjo do të thotë me paramendim. Në këtë rast nuk ka pasur aspak faj qeni ndaj tij se vrasësi nuk ishte  brenda kufijve të veprimit vetmbrojtës, mbasi siç del, Kaleshi ka qenë duke ecur në rrugën e vet dhe nuk i ishte sulur për ta kafshuar.”Faji” i qenit mbetej vetëm ai kur më kafshoi mua. Gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura dhe me pjesëmarrjen e të atyre që përcaktonte ligji. Trupi gjykues bazuar në nenet përkatëse dhe në rrethanat e tjera rënduese e lehtësuese siç thuhej në gjuhën e tyre, si dhe  në traditën e zakonin e lashtë, mori një vendim që u pranua pa më të voglin kundërshtim nga të dy palët. Vendimi ishte: “Rizai, vrasës i qenit me emrin Kalesh, detyrohet që brenda shtatë ditësh t’i dorëzojë me dokument e në prani të kryetarit të këshillit, dhinë barsë me peshë mbi 30 kg. Brahimit, pronarit të qenit viktimë.” Ishte viti 1954. Unë isha 14 vjeç. Atëkohë shteti e ligji mbronin njeriun dhe qenin e jo si tani, që ‘ligjin e bën Maliqi’; vrasësi largohet në drejtim të paditur, qeni rehatohet në kolltuk dhe gjykatësi mbush xhepat me euro”. Këto më rrëfeu Ekremi, pensionist në Berat, kur po kthehej nga kafeja e mëngjesit dhe së bashku pamë një njoftim se kish “humbur qenushe Lara dhe kush e gjente shpërblehej pesëqind euro.”

ILMI S.QAZIMI