Suplementi Pena Shqiptare/ Ilir Kadia: Palltoja

793
I pashë nga dritarja e bodrumit të rreshtohen në oborrin e shtëpisë time me shpejtësi. Dëgjova komandantin e tyre, një djalë i imët rreth të tridhjetave t’u thoshte: 

– Kemi gabuar. Kjo shtëpi nuk është e një kolaboracionisti. Do të largohemi që tani. 

Ai bëri vetë i pari drejt derës së oborrit fill pas tij të gjithë partizanët e tjerë. S’di ç’të them çfarë postesh mbanin. Unë i quajta thjesht partizanë. Ishin 13-14 vetë gjithsej. Unë dola nga bodrumi dhe tek shihja shtëpinë time bosh nuk më besohej. Dy javë qëndruan ata, por neve na u duk një jetë. Sikur nuk do ta kishim kurrë më shtëpinë tonën. Me të hyrë fitimtarë, edhe në lagjen tonë, ata e shndërruan shtëpinë time në shtab të njërës prej brigadave partizane më të famshme të Luftës. Të gjitha orenditë e mia i kishin mbledhur në dy dhoma ngjitur të katit të dytë, atje ku nuk para rreh dielli, ndërsa tetë dhomat e tjera i kishin përshtatur në zyra të thjeshta me nga një tavolinë druri dhe karrige rreth saj dhe nga një krevat portativ të mbyllur gjatë ditës në cep. Si është njeriu?! Pak minuta më parë kur po rreshtoheshin në oborr dhe komandanti i tyre po bëhej gati të fliste unë shtrëngova dorën e gruas ndërsa po mendoja: “Tani do t’u japë urdhër të më marrin dhe të më pushkatojnë!” Djersët më mbuluan të tërin. Ndërsa tani kur ato më ishin tharë po shkoja të shihja plaçkat e mia, për të parë çfarë më mungonte. I hapa të dy dhomat me orenditë kapicë dhe m’u duk me të parën se asgjë nuk mungonte. Kur filluam t’i çojmë nëpër vendet e tyre më vonë nëpër dhomat e tjera pyeta gruan që i kish përjetuar me shumë frikë dhe shqetësim dy javët e bodrumit: 

-Nuk duket se na kanë marrë gjë, apo jo?
-Edhe mua ashtu më duket, tha ajo. 
Fillova të hap dollapet e rrobave. Prej tyre vinte një erë naftalinë e rëndë. Por kostumet, trikot, palltot…shallet e mi dhe të gruas ishin aty. Palltot…? Pa dale. 
-Ku është palltoja jote moj grua? Shiko edhe njëherë me kujdes! Oh jo. Na e paskan marrë. Ah, hajdutët!

Gruaja nuk shprehu ndonjë habi të madhe. Ndërsa unë u mërzita shumë. Çdo gjë të kishin marrë vetëm atë pallto, jo! Ja kisha blerë me shumë dëshirë në Egjipt, në një nga ditët e paharruara të muajit të mjaltit, dhe ajo e kish pëlqyer jashtë mase. Ishte prej një stofi të veçantë anglez, por ngjyrën s’e thoshe dot se ç’ish. Kur ishte në diell ajo dukej një blu e thellë si e detit Mesdhe, kur kalonte reja bëhej një kafe e butë krejt e veçantë. Por kishte një prerje që trupit të sime shoqeje i shkoi shumë. Kur unë pagova me napolona flori shitësi egjiptian ndryshe nga zakoni i tij fjalëshumë tha vetëm dy fjalë: “Keni blerë mall të vërtetë zotëri!”

-Do ia vesh nuses së djalit, më tha me sy të përlotur gruaja kur po dilnim nga dyqani. Me asgjë s’do ta ndërroja dhuratën tënde të dashurisë, tha ajo kur po e vështronte në pasqyrë në dhomën e hotelit pallton e bukur. Për shtatë vjet ajo e ruajti me shumë kujdes atë. E veshi vetëm njeherë kur mbreti na thirri për festën e flamurit pak muaj para pushtimit italian. Grave të të ftuarve të tjerë u mbetën sytë tek palltoja e saj. I shihja tek i pëshpërisnin burrave në vesh. Me siguri u thoshin: “Shiko ç’mrekulli i ka blerë ai gruas?” Unë ndjehesha krenar për dhuratën që i kisha blerë gruas time. Tre muaj që partizanët kishin ardhur në pushtet unë akoma nuk e kisha marrë vesh se si ma kishin hequr emrin nga lista e kolaboracionistëve. Shumë miq të mi që unë s’dija të kishin bërë më shumë se unë, pra që kishin parë jetën e tyre private, që do të thoshte, as me këta, as me ata, po paguanin tani qimet e kokës. Qeveria kish nxjerrë një ligj që quhej tatim i jashtëzakonshëm. Po të mos paguaje, të priste burgu. Që të paguaje duhej të shisje gjithçka, edhe shtëpinë dhe pastaj të jetoje në bodrumin e shtëpisë tënde. Dhe këtë zgjidhje ta puthje, se kishte patur dhe pushkatime për ata që rezistonin dhe shanin kur u shkonin tatimmbledhësit, 

ish-partizanë me armë në duar. Unë kisha shpëtuar. Ndoshta ka thënë ndonjë fjalë ai shoku i gjimnazit. Kisha marrë vesh se punonte fare pranë të madhit. Nuk e kisha parë prej kohësh, por ruanim në largësi respekt për njëri-tjetrin. Para Luftës kur dikush më tha për të, se ishte i sëmurë ligsht dhe se po mblidheshin ca të holla për ta kuruar në Itali, më duket se dhe unë dhashë një dorë të hollash. Po, po ai do ketë thënë ndonjë fjalë me siguri – po flisja me veten time, ndërsa kapërceva pragun e dyqanit të mikut tim rrobaqepës fare pranë ndërtesës së radios shtetërore.

Nuk kishim këmbyer as dy minuta muhabet me të kur para dyqanit të tij u ndal një pajton. Prej tij zbritën dy gra veshur si partizane. Revolverët me gjalmë u kërcenin mbi brez. Gratë e të mëdhenjve fare, – tha ai dhe rregulloi metrin që i varej në qafë. Kur ato hynë në dyqan edhe unë u ngrita në këmbë. I njihja të dyja, në fakt. Kishin mbaruar shkollën “Nëna Mbretëreshë” në kohën kur dhe gruaja ime ishte vajzë. Ajo brunia simpatike ishte bërë më vonë gruaja e të madhit fare, ndërsa tjetra, jo dhe aq simpatike ishte gruaja e komandatit të Brigadës së famshme partizane që pati shtabin për dy javë në shtëpinë time fill pas ikjes së gjermanëve. 

– Punë e mbarë, përshëndetën ato gati në një gojë. 
-Mirë se erdhët, mirë se erdhët! Gjithçka gati, – tha miku im rrobaqepës duke i ftuar të kalonin në dhomën përtej ku merreshin masat dhe bëheshin prova të porosive. Ato hynë njëra pas tjetrës tek dhoma e provës dhe miku im më bëri shenjë të mos largohesha se nuk vonohej. Unë po ndiqja me sy përtej derës së lokalit lëvizjet e qeta të kokës së kalit të pajtonit ndërsa dëgjoja zërin e mikut tim rrobaqepës: “Ooo, një kryevepër zonjë. Nuk m’u desh veç të zgjeroj një gisht tek shpatullat. Është një mall i vërtetë. Apo jo zonjë!” 

Pas pak nga dhoma doli miku im rrobaqepës, gruaja e të madhit e veshur partizane ndërsa tjetra që kishte veshur …pallton e gruas sime! Aspak nuk mund të isha i gabuar. Ishte pikërisht ajo dhurata më e mirë që i kisha bërë gruas tërë jetën. 

-A mund të më thoni zonjë ku e keni blerë këtë pallto? – e pyeta unë duke lënë pa mend me guximin tim mikun rrobaqepës. Ajo më hodhi një vështrim shkarazi. 

– Im shoq ma ka bërë dhuratë me rastin e çlirimit të Tiranës nga pushtuesit dhe kolaborocionistët. Të pëlqen? – pyeti ajo pa të keq. 

Ato thanë “mirupafshim zotërinj!” dhe unë e ndoqa me dhimbje skenën e largimit të palltos të gruas nga sytë e mi. Me të larguar ato gati vrapova drejt shtëpisë për t’i thënë gruas se komandati i partizanëve që dukej aq burrë i mirë na kishte vjedhur pallton që ti do ia dhuroje nuses së djalit… 

-Jo! – tha ime shoqe e qetë, ia dhurova unë. Ndaj nuk të pushkatuan!


Sigal