Suplementi Pena Shqiptare/ Ilir Kadia: “Kampioni”

169
Sigal

Tregimi i një mëzi

Ne po ktheheshim tufë nga gara dhe po bënim vrap të lirë rrugëve të fshatit, para se të shpërndaheshim nëpër shtëpira. Babai ishte në krye të kuajve të tjerë dhe unë, krenar për të, i dilja herë majtas herë djathtas, duke mos lënë kuajt e tjerë të afrohen. Babai im ishte shpallur sërish kampioni i garës së shpejtësisë mes dy fshatrave. Nëna më kish thënë se ai, po ta linin të merrte pjesë, shpallej i pari i vendit pa problem fare. Po dihet puna e tij. ”Çfarë punë?”- e pyeta unë kur ajo më tha në fillim këto fjalë. Nuk e lënë të marrë pjesë se gjyshen e ka patur armene dhe gjyshin azerbaxhanas. Kanë frikë se po doli kampion republike, dhe del jashtë për gara, nuk kthehet më. Arratiset…” Unë isha mëz fare i ri, tre muajsh, dhe nuk i merrja vesh këto gjëra. “Po edhe ti atij do t’i ngjash me këto shalë të gjata dhe këto vithe të larta. Sa të rritesh edhe një çikë , dhe muskujt do të forcohen e lëkura do të shkëlqejë, e vajzat e bukura do të vinë rrotull. Jeni racë kampioni ju biri im. Si yt atë do bëhesh, mos u mërzit!”- më thosh nëna, ndërsa më linte të fusja turirin në gjirin e saj, me pak qumësht vërtet, por sa fuqi më jepte e çfarë shije kish, o zot! -Babë, më hahet! – i thashë unë tim eti, ndërsa para nesh u shfaq një qerre e ngarkuar me sanë. Babai ndali. Ktheu kokën dhe më pa në sy. Kuajt e tjerë shkuan para dhe rrasën kokën në sanë e shkëputën nga një tufë bar të thatë secili. Kështu bënin gjithmonë kur ktheheshin nga gara. Me atë pak tërfil në gojë kalonin para qeve që tërhiqnin qerren dhe ngacmonin me vështrim. Qetë, edhe pse të lodhura nga puna gjithë ditën, nuk mërziteshin me ta. Ata kishin lindur kuaj dhe e kishin këtë privilegj. Punonin si ato, nga mëngjesi në mbrëmje gjatë ditës, por mbasditeve të të shtunave, kur i çmprehnin e i çonin për kullotë lëndinave, atje qetë i kishin parë vetë të bënin edhe gara. – Kaq shumë të hahet sa nuk duron dot të mbrrijmë në shtëpi? – më pyeti me sy qortues im atë, që kish kaluar në hap. -Po më hahet o ba ! – i thashë duke rrëmihur tokën me thundër si i zënë në faj. Babai u dorëzua. Bëri përpara dhe shkoi futi kokën në sanën e qerres. Mori një tufë bar dhe pa përtypur asnjë fije ma dha mua. Unë se kuptova pse ai hepoi. Shokët e tjerë kishin marrë shumë më tepër dhe madje kishin shkuar fudull e i kishin shitur mend të dy qeve. Babai nxitoi. Më la mua pas dhe shkoi paralel qeve. Edhe unë nxitova. – Puna mbarë! – u tha. Kau afër tij nuk foli. Tjetri e falenderoi për urimin. – U lodhët ? – E shtuna të lodh më shumë se ditët e tjera, – tha sërish kau i anës tjetër. – Më falni për tufën e barit. Të voglin ma kish marrë uria shumë. E di që është pronë e kooperativës por… Ai nuk arriti ta mbarojë fjalën. Kau përbri tij, që kish ndejtur i heshtur me sytë përmbys, bëri një sulm të fortë dhe të beftë me kokë duke ia ngulur brirët poshtë barkut. Babai hingëlliti dhimbshëm deri në re. Kau e ngriti gati gjysmë metri nga toka babain dhe e shtynte për ta rrëzuar në tokë. Por babai nuk ra. Nga barku i çarë një pëllëmbë, çuditërisht, nuk i doli gjak, por rropullitë. Zorrët dhe stomaku ju varën gati në tokë. -Pse mor qen i pabesë, – tha me zë të mekur babai dhe u mblodh kruspull me gjunjët në tokë. Ngjarjet u zhvilluan aq shpejt sa unë s’po kuptoja se ç’ndodhte. Nga ana tjetër e kularit shihja kaun e mirë të turfullonte duke bërë përpjekje të kota për t‘u shkëputur nga kau vrasës dhe për t’i ardhur në ndihmë babait. Nga goja e kaut vrasës rridhnin ca jargë të verdha si qelb. Ai më sytë përmbys dëgjova t’i thosh kaut të kularit se e urrente për vdekje kampionin. Se nuk e duronte dot tek rrinte ditë e natë më këmbë e se dëshironte kaq shumë t’a shihte njëherë të shtrihej në bajgat e tij. Se babai, sipas tij, nuk e kish dashur asnjëherë kooperativën dhe se vjedhjen e sanës mbrapa krahëve e kish bërë për të dëmtuar pronën. Ai tha se kish vrarë një hajdut në flagrancë. Dhe një hajdut me biografi të keqe, bile. Kaq. – Je i poshtër! Je vrasës! – i thosh kau tjetër. Në minutë në vendngjarje mbërriti Xha Pilo, bashkë me veterinerin. Kur pa babain në atë gjëndje, zorrë e stomak në tokë, ja dha të qarit si fëmijë. Xha Pilo punonte me babanë si karrocier i baxhos. Kaloshina e tij çonte tre herë në ditë qumështin nga stallat e lopëve në baxho ku bëhej kosi, djathi e hira. Babai punonte shumë, pa përtesë dhe Xha Pilo ishte tejet i kënaqur prej tij. Ai fuste 400 ditë pune në vit prej ndihmës, që i jepte babai dhe me lekët që merrte prej kësaj pune xha Pilo kish filluar të ndërtonte një shtëpi me tulla për djalin e tij. Vetëm lëndën e parë: tulla, gëlqere çimento, gozhdë e qereste bleu ai se tranportin e bënte me babanë. – Aman të lutem, ndihmoje! Po më vdiq më thau krahët, – i lutej xha Pilo veterinerit. Veterineri, një djalë i ri, që s’kish një vit që kish mbaruar shkollën, dhe që nuk dukej se ja thosh shumë nga zanati, i tha xha Pilos se vetëm proçes -verbali i ngordhjes ishte ndihma e tij, me ç’shihte. Xha Pilo hoqi këmishën e trupit dhe ju afrua babait. E puthi në ballë dhe e lagu me lot. Pastaj ju fut nga poshtë dhe ja mbështolli rropullitë dhe desh t’ja fuste brenda barkut. Ato hynë nga njëra vrimë e tij dhe dolën nga tjetra. Babai rënkonte, të këpuste shpirtin. Unë qaja. -T’a çojmë atje, tek vendi i ekzekutimit. Të paktën mishi të na hyjë në punë për diçka, – tha veterineri dhe e zuri babain nga jelet dhe filloi ta tërheqë. Babai drejtoi gjunjët me mundim dhe pastaj u nis me hapa të veckël për nga e çonte veterineri. Unë ndiqja nga pas. Mbërritëm përpara stallës së derrave. Aty, si në dimër, si në pranverë, si në mes të vapës kish gjithmonë baltë. Ishte një baltë e zezë, llucë e hollë, që ngjante me katran. Qëllonte që babai të vinte atje dhe të shkarkonte në një koritë të gjatë dhjetë metra, prej druri të zi, që edhe ai ngjante me një arkivol të hapur të lyer nga brenda me zift; herë mollë e patate të kalbura, herë hirë të thartuar e herë kashtë të shurrosur të stallës së lopëve. Sapo xha Pilo urdhëronte babain të nisej, Hanëmja, një grua e shëndoshë si derr dhe ajo, veshur përherë me të zeza, hapte portën e stallës dhe derrat, o zot edhe ata të zinj korb, lëshoheshin mbi koritë dhe duke hungëritur llupnin në minutë gjithë çkish shkarkuar babai dhe pastaj, vetëm një çast, shikonin lart retë dhe i ktheheshin rrëmimit me feçkë të llucës së zezë të oborrit. Aty pranë koritës e prunë babain. Ai ndali hapat dhe i hodhi vështrimin e fundit xha Pilos. Xha Pilo nuk e kuptoi se ç’desh të thosh babai. Ai e mori tjetër për tjetër. Në vend që t’i thosh veterinerit të më largonte mua, që të mos shihja skenën e tmerrshme që do pasonte ai i kërkoi atij t’i bënte një dopio morfinë babait që të mos ndjente torturat. Veterineri shkoi në dhomën e tij pranë stallës së derrave dhe u kthye që andej me një thikë të gjatë në njërën dorë dhe një shiringë të mbushur me morfinë në dorën tjetër. Ju afrova afër babait dhe desha ta puth. Çudi, në më pak se një gjysëm ore ai ishte mbledhur në trup e bërë më i vogël se unë. Por qëndronte më këmbë akoma. E ndjeva që desh të më thosh diçka. I vura veshin: – Ky do të më bëjë një gjilpëre që të mos ndjej dhimbje kur të më ngulë thikën e gjatë nga mbrapa veshit deri në zemër. Pastaj do të më shtrijnë në koritë derisa të më dalë i tërë gjaku. Kur të kem mbaruar fare do të lëshojnë derrat dhe ata do të ma hanë gjithë mishin dhe kockat e buta. E gjitha kjo se isha kampion, ndaj bir… Babai nuk mbaroi dot fjalën. Thika e gjatë e veterinerit i kish prekur zemrën. Ra përmbys mbi koritë. Gjaku i vërshoi lumë dhe filloi të mbushë fundin e lërosur të koritës së zezë. Hanemja nuk e përballi të shtyrën e fuqishme të derrave nga brënda stallës. Ata ishin xhindosur nga era e gjakut e babait. Ajo ra përmbys në baltë dhe derrat e zinj e shkelën me këmbë. Ata ishin shumë. Unë nuk e mendoja se fshati kish patur aq shumë derra të zinj. Në pak sekonda e thanë koritën nga gjaku i babait dhe rrufitën zorrët e stomakun pa i përtypur fare. Pastaj mishin me gjithë lëkurë. Në tre minuta mbi koritë ngeli vetëm skeleti i bardhë i tij… Nga ajo ngjarje e tmerrshme, që e pashë me sytë e fëmijës, kuptova fjalët e fundit që s’arriti dot ti thosh im atë: Në këtë vend kampionët i hanë derrat.