Suplementi Pena Shqiptare/ Ibrahim Hajdarmataj: “Dallgë poetike”

646
(Duke lexuar vëllimin “Thashë, të bëhem edhe unë poet!” të shkrimtarit Viron Kona)

Këto ditë lexuesit dhe kritika u njohën me vëllimin poetik “Thashë, të bëhem edhe unë poet!” të shkrimtarit të mirënjohur të letërsisë shqipe Viron Kona. Libri ka redaktor Zeqir Lushaj, recensentë Sadulla Zendeli-Daja dhe Kadri Tarelli, konsulent Dr. Bajram Mejdiaj dhe Sejdo Harka. Libri fillon me shënimin e autorit: “Ja kushtoj këtë vëllim me poezi Liljanës sime të shtrenjtë, që më ka qëndruar pranë për 40 vjet të jetës sonë bashkëshortore, duke ndarë me mua vështirësi dhe gëzime, por edhe duke më mbështetur me përkushtim të plotë në rrugën e krijimtarisë letrare”. Pas leximit të këtij përkushtimi të sinqertë, që njëherazi na bënë të mendojmë për jetën e qëndrueshme bashkëshortore dhe shenjtërinë e saj, para syve të mi kush e di pse shfaqet edhe një pamje tjetër, një realitet negativ, që e gjejmë me bollëk në kohët e sotme dhe që na trondit: Si në ekranet e televizorit, më dalin përpara skena gjyqesh pa fund në Tiranë dhe në rrethe, gjyqe të ndarjes së çifteve burrë-grua, që për nga shumica dhe motivet e ndarjes, përbëjnë një shqetësim mbarëshoqëror si dhe prishje të atyre ekuilibrave të jetës bashkëshortore. Një çift, që kishte vetëm 4 muaj martesë, ndahet me vendim gjyqi, se nuk ju “puqën” karakteret?! Nuk ju “puqën” karakteret, apo martesat nuk janë të sinqerta që në zanafillë? Sepse, siç del, në mjaft raste martesat nuk kanë bazë dashurinë e sinqertë dhe mirëkuptimin, por teka dhe interesa meskine, marrëdhënie të kushtëzuara dhe që ndërvaren nga përfitimet e pasurisë apo për shkak të modaliteteve të shfrenuara. Sikurse, disa lidhje bashkëshortore, shkojnë në ndarje edhe për shkak të dhunës barbare të burrave patriarkalë ndaj grave të pambrojtura, që u mohohen të drejtat më elementare. Si pasojë vjen prishja, tronditja dhe shkatërrimi i familjes, lënia në mëshirën e fatit të jetës së fëmijëve, që përbëjnë në thelb edhe të ardhmen e kombit. 
Sot, kur shohim disa aspekte ligjore apo sociale të rritjes së vigjilencës për mbrojtjen e grave dhe të vajzave nga dhuna, nga paragjykimet apo nga qëndrimet kryeneçe dhe abuzuese dhe absurde të disa burrave, ky libër merr një rëndësi edhe më të madhe, ai ndihmon me gjuhën e artit poetik, zgjimin e mëtejshëm të shoqërisë për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e femrave shqiptare. 


Sigal