Suplementi Pena Shqiptare/ Hysen Kobellari: Armiqtë dhe mushka mashtruese

1116
Sigal

(Legjendë për Skënderbeun)

Armiqtë e morën vesh se Kalaja e Skënderbeut kishte fare pak drithë për bukën e njerëzve. Pasi të mbarohej ajo dhe ushqimet e tjera, të rrethuarit, ose do të dorëzoheshin, ose do të vdisnin nga uria. Kështu mendonin rrethuesit. Ata shpresonin t’ua prisnin fare mbrojtësve, rrugët e furnizimit me bukë. Kështu, herët a vonë, fitorja do t’u buzëqeshte atyre . Të rrethuarit do të dorëzoheshin. Gjendja e të rrethuarve sa vinte e bëhej më e vështirë Përpara derës ku rrinte Skënderbeu, po priste një plak i moçëm. Në njërin krah të tij gjendej një djalë i vogël, veshur me një kostum të ri arbrish; në krahun tjetër dremiste një mushkë e bukur, e ushqyer mirë. Pak minuta më parë ajo kishte shfryrë e trokëllitur truallin me këmbë, kush e di se pse …O Gjergj i Kastriotëve ! – thirri plaku dhe priti përgjigje. Oho, ja ! Urdhëroni, hyni brenda, – u dëgjuar zëri i fortë i kryetrimit, që sapo erdhi të hapte derën. Nuk na pret koha të hyjmë brenda, – thirri përsëri plaku. Puna nuk pret! Plaku dhe Skënderbeu u përqafuan fort. Ai paskësh qenë një luftëtar i shquar, që nga koha kur ishte gjallë babai i Skënderbeut, Gjon Kastrioti. Kryetrimi ia dha dorën edhe djalit, ia shtrëngoi fort, pastaj e ngriti hopa, në krahët e tij të fuqishëm. Se ç’i tha ca fjalë përkëdhelëse në vesh… Skënderbeu bisedoi për pak kohë me plakun, duke ecur ngadalë, derisa mbërritën në rrëzë të mureve të gjera të kalasë, prej nga shquheshin mirë çadrat e armiqve rrethues.

-Mos u dëshpëro, Sokol ! – iu drejtuar plaku djaloshit, i cili rrinte mendueshëm, ngaqë ishte mërzitur nga pritja. – Mushkën do t’ua çojmë peshqesh armiqve… Bashkë e kemi biseduar këtë gjë, apo jo ?!

-Po, Bacë, – foli djali i pikëlluar dhe nxitoi të përkëdhelë me dashuri shpatën e madhe, e cila varej përgjatë këmbës së majtë të Skënderbeut. Papritur plaku vendosi supin e vet nën barkun e madh të kafshës dhe e shtyu atë fort. Ishin afruar fare në zgrip të murit të kalasë. Mushka fluturoi, si të kishte qenë një pupël shpendi, iku me shpejtësi poshtë, drejt tokës dhe ra, duke u bërë copë e çikë përpara këmbëve të armiqve rrethues.

-Me shëndet ! – tha plaku, duke psherëtirë i gëzuar. Skënderbeu buzëqeshi. Ashtu bëri edhe Sokoli i vogël… Nuk kaloi veçse një orë nga gremisja e mushkës teposhtë dhe nën kala rrethuesit filluan të bënin zhurmë të madhe. Gjëmuan daullet me tam-tam. Sharje dhe mallkime ngjiteshin deri lart, përmbi bedena. Armiqtë shanin e mallkonin kalanë me fjalët më të ndyra. Po gjuha e tyre nuk kuptohej. Dukej se ata po përgatiteshin të iknin në panik. Çfarë kishte ndodhur ?! Plaku e kishte ushqyer mushkën mirë e mirë me grurë, derisa ajo ishte ngopur. I dhimbsej gruri i bukës, i cili ishte vërtet i paktë. Por e donte puna që ta hante mushka atë drithë… Me anët të mushkës së ngopur, plaku i mençur donte t’iu tregonte armiqve, se të rrethuarit nuk çanin kokë për grurë, se kishin drithë sa të ushqenin edhe kafshët e samarit , pa asnjë kursim … Kur kafsha ra me forcë përpara këmbëve të armiqve, barku i saj u shkalafit, u hap. Gruri që ajo kishte ngrënë doli në shesh, i patretur, siç ish. Armiqtë thanë: -Ah, paska ushqim sa të duash, Skënderbeu me të rrethuarit! Paska ushqim, sa të mbaka edhe mushkat me grurë, po ngrihuni të ikim! Presim më kot që ata të dorëzohen.. Ushtria armike po ua mbathte këmbëve. Rrethimi u shprish. Kryetrimi Skënderbe, Sokoli i vogël dhe plaku i mençur thinjosh vështronin nga bedenat e kalasë jehonën e gjurulldisë së madhe, duke qeshur të gëzuar. Me mushkën mashtruese ua kishin hedhur bukur armiqve rrethues.