Suplementi Pena Shqiptare/ Haxhi Isufi: Rrugët e Tiranës

506
Sigal

Thonë se ecja në këmbë të bën mirë, ndaj sot shëtita ca i vetëm nëpër rrugët e qytetit tim. Ecja djathtas dhe lexoja tabelat e bisneseve majtas. Lexoj ‘Furrë Buke Tani’, ngjitur me të “Funeral Ceni’. Më poshtë “Farmaci Nora’ dhe ngjitur me të ‘Spitali privat Parajsa”. Ngjitur me spitalin ‘Tirana bank’, dhe në krah prapë “Furrë Buke Sadiku” e, kështu vinin me radhë: Farmaci, Spital Privat, Funeral, Bankë e nivelit të dytë, Furrë buke, Parukeri, Zarzavate, Furrë Buke, Farmaci Spital Privat, Funeral, Bylmet, Byrektore, Qofte Korçe, Parukeri, Palester, Bankë,etj,. Në mes të çdo dy reklamave shikoja kafene me klientë,banakieri, pronari e kamarieri. Megjithëse ky varg bisnesesh më ngjalli një trishtim, u ktheva në shtëpi me një farë gëzimi, sepse nuk lexova si dikur, në çdo dhjetë metra ‚Lloto‘ apo ‚Pika Bastesh‘. Por prapë kur ndeza një cigare më erdhi trishtimi, se janë zhdukur Llotot e Pikat e basteve, por janë shtuar Spitalet, Bankat dhe Funeralet, dhe për dreq nuk lexon askund Librari….ndoshta jemi milet i keq se, as vetë nuk dimë, se çfarë duam. Kanë qenë ca sheshe ku luanin kalamajtë, tani i kanë bërë pallate mbi 20 kate,dhe fëmijët i kanë kthyer hyrjet e pallateve në fusha futbolli me dy porta, ku njëra portë është në katin e parë, dhe e dyta në katin e tretë. Mes fusha luan në katin e dytë. Thonë se Tirana sot është metropol, por ose Ne ose Qeveritarët nuk jemi në metro! Ndoshta nuk jemi në metro të dyja palët derisa nuk gjen një metër lulishte…….