Suplementi Pena Shqiptare/ Hasan Gremi:  Babagjyshi i vitit të ri “Vrau veten ”

151

  (Motiv nga  një ndodhi e vërtetë)

Sigal

Në këtë atmosferë të ndërrimit të viteve më erdhi në mendje një ndodhi e viteve ‘87 sa tragjike, aq edhe komike!… Ishte e pazakontë që dhjetori i atij viti erdhi me ditë të buta dhe jo me acarin e një dimri. Xha Tasi, edhe pse s’e kishte moshën, bashkëfshatarët e vet e respektonin me këtë ndajshtesë, se ishte i njohur për shakatë me kripë që bënte. Çdo mëngjes, kur shkonte në qendër të kooperativës, për të marrë punën e ditës nga brigadieri, fërkonte duart me butësinë e ngrohtë të mëngjeseve dhe uronte bujarinë e dhjetorit që nuk po sillte acar… Muret e ndërtesave të vjetëruara në qendër të kooperativës dhe ato përrreth tyre ishin mbushur me parrulla shkruar me shkronja të mëdha nëpër mure dhe beze të kuqe dalëboje, ku shkruhej përfundimi i vitit me tejkalim planesh dhe mobilizim revolucionar për fitore të reja kudo për vitin që do fillonin…!? Të dukej se parajsa  e bollëkut kishte zbritur në oborrin e atyre ndërtesave të heshtura. Po xha Tasi i dinte përmendësh se çfarë shkruhej në to, prandaj nuk ua hidhte sytë. Në mendje ai shikonte një realitet që e vuante përditë me bashkëfshatarët e vet. Dhe ditët e shkurtëra të dhjetorit po iknin shpejt dhe erdhi dita e fundit e vitit. Xha Tasi zuri radhë me kooperativistët e tjerë para derës së llogarisë për të marrë vlerën ditëve të punës që kishte kryer. Dhe prej andej u kthye në dyqan, të merrte tollonin (racionin) mujor të ushqimeve me të cilat do të festonte bashkë me gruan, djalin 11 vjeçar dhe vajzën 9 vjeçare që u kishte premtuar se Babagjyshi i Vitit të Ri do t‘i gëzonte me dhurata. Me këtë dëshirë të mirë hodhi sytë në raft ku qendronin lodrat e kauçukut, po një tundim shpirtëror i errësoi sytë, se nuk i kishin mbetur lekë për të blerë qoftë edhe një lodër. Arriti në shtëpi me shpirt të vrerosur dhe një pyetje e godiste pa pushim në kokë: “Si do t’ua bënte fëmijëve që u kishte premtuar? Të vetmen natë që prisnin gëzim, ta kthente në trishtim? Tavolina u shtrua me ato pak gjëra që mundi të përgatiste e shoqja, po ai rrinte i heshtur dhe kur shikonte fëmijët që prisnin të befasoheshin nga dhuratat, diçka e kapte në fyt dhe nuk gëlltiste dot asgjë. I ra ndërmend se i ati i kishte lënë një teke gjuetie me të cilën rrallë gjuante për ndonjë shpend të egër. U çua pa thënë asgjë, shkoi në depon e vogël që mbante veglat e punës në errësirë mori teken dhe doli në rrugë. I futi fishekun në gojë dhe qëlloi drejt qiellit. Vuri teken në vend, dhe sa hyri në kuzhinë tha me zë të lartë: “Babagjyshi i Vitit të Ri vrau veten! Nuk ka dhurata!” Vajza e lemeritur tha: “ Pa Babagjysh do rrimë ne? I ati e përqafoi dhe iu përgjigj: “ Mos u mërzit xhan i babit! Do vijë tjetri vitin e ardhshëm!” Ndërsa djali e shikonte i heshtur dhe mendonte se me të vërtetë Babagjyshi kishte vrarë veten?!…