Në krijimtarinë e Saadiut (1210-1290), një nga përfaqësuesit më të shquar të letërsisë poetike persiane, një vend të veçantë zë lulja e trëndafilit.
“O Saadi, – më thonë shokët ,-
Ngrije tendën te lulishtja !”
Trëndafilen që lyp unë
Nuk e ka trëndafilishtja.
*
Trëndafile, moj e bukur,
Që ke nam mbi lule shumë!
Mijë vjet behar të bëjë,
Ti më s’gjen bilbil si unë….
Çdo pranverë në qytetin e Taifit, që ndodhet në perëndim të Arabisë Saudite, lulëzojnë trëndafilat, duke e kthyer peizazhin e shkretëtirës në një trëndafilishte, ku të deh aroma e trëndafilave. Në muajin prill trëndafilat mblidhen për të përgatitur me to vajin, që përdoret për të pastruar muret e Qabesë. Ky lloj trëndafili quhet Rosa damascene trigintipetala, trëndafili me tridhjetë petale. Më 1453 pas pushtimit të Kostaninopojës nga sulltan Memeti, ky urdhëroi, që bazilika e Aya Sofisë të lahej me ujë trëndafili para se të kthehej në xhami. Thuhet se trëndafilat e Taifit kanë ardhur nga plantacionet e famshme persiane rreth Shirazit, qytet ku ka lindur dhe vdiq Saadiu. Atje në Shiraz, ku kanë shtëpinë, trëndafilat me tridhjetë petale, “flasin” dhe dashuria midis të rinjve shprehet me anë të tyre.
Më vonë lexova librin e inxhinierit të luleve Astrit Xhaferajt*me titullin “Rrëfime për lulet dhe njerëzit.” Është një libër që të mahnit me botën e luleve dhe sekretet e tyre. Çdo lule apo pemë dekorative ka historinë e saj, vendin ku ka lindur, gjuhën e saj të komunikimit me njerëzit dhe mënyrën e bashkëjetesën me ta. Sipas legjendës së Shirazit trëndafilat u kultivuan nga persianët e vjetër jo vetëm për zbukurim, aromën dhe vajrat e tyre, por edhe për të gjetur një mënyrë më të stërholluar, më romantike, më të fisme, më delikate për të shprehur dashurinë. Nëse djali i jepte vajzës një trëndafil të kuq dhe ajo më vonë i dhuronte një të tillë, përgjigja ishte se edhe ajo e donte. Nëse ajo i dhuronte gjethe trëndafili, të bardhë ose të verdhë kjo do të thoshte se nuk i përgjigjej dashurisë së djalit. Nëse i dhuronte një trëndafil të bardhë do të thoshte se ishte ende e pa rritur; një trëndafil i verdhë ishte përgjigja plot delikatesë se nuk kishte besim te djali, ose nuk i pëlqente. Në këtë marëdhënie fjala mungon por janë sytë e të dashuruarve dhe trëndafilat që flasin. Shprehja e dashurisë së djalit me trëndafil dhe përgjigja e vajzës po me trëndafil është mënyra më romantike, më e ndjerë, më e bukura dhe më delikate, që kam dëgjuar, lexuar apo parë nëpër filma, në rininëe time të herëshme. Kjo mënyrë të shprehuri e shenjtëron gruan, e ngre në piedestal dhe i jep vend të veçantë në mardhëniet vajzë-djalë, ku zemra troket, shpirti mbushet plot dhe liria për të zgjedhur nuk ka kufi.
Ndjej keqardhje dhe një pështjellim në stomak, kur në emisionin e “Përputhen” në Top Chhanel shikoj banalitete, fjalor rrugësh, mungesë të theksuar respekti të djemve për vajzat dhe anasjelltas, ku rëndësi kryesore merr krevati dhe paratë e jo ndjenja e shenjtë e dashurisë dhe krijimit të familjes në të ardhmen. Aty shenjtërohen e zbulohen shalët, cicat dhe forca mashkullore. Me këta tregues dashuria midis të rinjve është shumë larg dhe shpresat për një familje të shëndoshë lindin të vdekura. Po e mbyll këtë shkrim të shkurtër sërish me disa vargje të Saadiut, shkruar shtatëqind vjet më parë:
KËNGË…
Veç me shpresën e agimit e gdhij natën në mundim,
Ndoshta, mike, aromën tënde më sjell era në agim.
Çudi, druri i dashurisë s’po jep frutat që pres unë,
Ndonëse derdhet posi shiu, mbi të loti i mallit tim!
*
Dhe pse qenke e “pabesë” për ty lutem natë e ditë,
Dhe pse s’paske dashurinë, të kërkoj me mallëngjim.
S’do pushoj duke kënduar dashurin’ e mikes sime,
Vetëm vdekja do ta ndalë, këtë gojë në shfrime.
Shqipëroi Vexhi Buharaja