Suplementi Pena Shqiptare/ Gëzim Zilja: Poezia ndryshe e Zhaneta Barxhajt

106
Sigal

Sa herë dua të jap mendime për krijime të veçanta, gjë që më ndodh rrallë, në mend më vjen një krahasim brilant i shkrimtarit dhe eseistit shqiptar Lazër Stani. Ai shprehet:“ Çfarë është kritika letrare? Orvatja, përpjekja për të gjetur një përgjigje bindëse për këtë pyetje, përtej përkufizimeve të njohura, gjithmonë më kujton një histori timen, kur isha njëmbëdhjetë vjeç. Atë kohë, babai kishte sjellë në shtëpi një orë kineze, me një pulë ngjyrë kafe në sfond, që çukiste papushim kokrrat e grurit të pikturuara në një enë druri…Një ditë, kur gjendesha i vetëm në shtëpi, i hoqa kapakun e pasmë dhe shikoja ingranazhet se si lëviznin. Zura t’i çmontoj një nga një pjesët e magjishme, i bindur se do ta montoja prapë, duke i vendosur siç ishin të gjitha pjesët.

U përpoqa gjithë paraditen ta ktheja orën në gjendjen e mëparshme, por nuk ia dola… As babai madje nuk arriti ta vinte në punë sërish. Orën e kisha shkatërruar përfundimisht…. Pak a shumë të njëjtën gjë bën edhe kritika me veprat letrare; i çmonton, i destrukton, lë pas vetes një rrënojë. Këto përsiatje të shkrimtarit dhe eseistit shqiptar Lazër Stani po kujtoja, ndërsa kisha mbaruar së lexuari një përmbledhje me poezi të Zhaneta Barxhajt. Vetvetiu mendova: Po kush jam unë që të gjykoj? Ky është problemi. Nuk kemi të bëjmë me aksioma, pohime apo ushtrime matematike. Sepse shpesh hiqemi të ditur dhe plot siguri: Kjo poezi nuk bën se është ashtu dhe kështu, i mungon kjo dhe ajo, nuk ka jetë, vargu është hermetik, i mungojnë figurat letrare (përshtypje të marra nga kritikë të sotëm) ose në të kundërtën e ngremë në qiell, etj, etj. Dikur kritikët e shumtë në shërbim të diktaturës shpreheshin se kur krijimtaria është jashtë ideologjisë së partisë, është e gabuar, dhe si e tillë nuk vlen. Po sot si duhet ta vlerësojmë një poezi, nëse do të guxojmë ta bëjmë një gjë të tillë? Se duhet thënë, duhet guxim i madh. Të themi që është e lodhshme, se fjalët e bukura dhe figurat letrare mungojnë, se është si një mur, që nuk depërton dot brenda, se të trondit, se të bën të qash, të të vijë keq dhe prap nuk e kupton pse? Apo t’i heqim një kryq të madh e të japim verdiktin me fjalët shkatërruese: Nuk vlen. Atëherë përse shkruan poeti? Për veten e vet? Nëse është kështu s’ka pse të botojë libra apo postojë nëpër portale. Po nëse të pëlqen atëherë thuaje më pëlqen.

Nuk je i detyruar të japësh shpjegime. Nga ana tjetër si do të vlerësohet një vepër letrare nëse kritika ose më saktë vlerësimet për të do të mungojnë? Në kushtet kur libri në Shqipëri shitet më shumë nga reklamat shurdhuese, që bëhen sidomos në prag panairesh, duke i çuar në qiell vlerat për libra të shkruar shpesh nga njerëz, që pak ose aspak e njohin letërsinë, por që kanë para e pushtet të pakufizuar nëpër televizione e gazeta? Sigurisht megjithë mendimet e kundërta, kam guxuar dhe do të guxoj të shpreh vlerësimet e mija për ato krijime, ku mendoj se njohuritë dhe kultura ma mundësojnë ta bëjë vlerësimin. Tani eseisti im i preferuar Lazër Stani të bëjë pak pushim, e të mbajë frymën, se unë nuk kam ndërmend të heq duart nga tastiera për një libër me poezi që kam përpara, si këtë të poetes Zhaneta Barxhaj me titullin e çuditshëm që të intrigon aq shumë: “Valltari pa këmbë”. Për të provuar shijen e verës mjafton të pish gjysmë gote dhe nuk është e nevojshme gjithë fuçinë. Nëse do të bënim një analogji për poezinë në rastin e poetes ZH. B. edhe katër ose pesë poezi do të mjaftonin për të kuptuar se kemi të bëjmë me një poete të formuar, që mund të pish gjithë “fuçinë” ( të lexosh gjithë -gjithë librin) ku ndonjë poezi mund të të duket fare kot, duke u ndjerë mirë. Pasi mbaron së lexuari poezitë, ndjehesh i fortë, në formë, më i gjallë, më i mirë me njerëzit, energjik dhe sigurisht më i guximshëm. Dëshiron të jesh më shumë rebel, të shkelësh mbi vijat e bardha të vendosura qëkur dhe askujt nuk i shkon mendja, që duhen fshirë se u ka kaluar koha dhe robërojnë njeriun. Në këtë këndvështrim  Zh.B. është një kalorëse e mendimit të lirë, e dashurisë, e ndjenjave të holla dhe shpërthimeve të mëdha nga ato, që ndihen deri në qiellin e pafund. Ajo thërret me të madhe:

O dilni e shkallmoheni ose për parada mos shkoni…

O dilni dhe zhdukini ose për karrige mos u dukni…

O dilni dhe dhëmb për dhëmbë luftoni ose si mish për top mos shkoni…

Sa herë i ngritëm zemrat peshë sa herë!

Poezitë e Zhaneta Barxhajt janë nga ato që dalin nga shpirti i njeriut, nga përvoja njerëzore, marrëdhëniet me njerëzit dhe dashuria pa fund për jetën. Kërkon me çdo kusht ta jetojë atë që zoti na ka dhënë, si njeri i lirë, si femër, si nënë e si një ëndërrimtare e pandreqshme. Ka shumë pak pretendime për jetën materiale, me kusht që mos t’i prekin edhe një fije të vetme, sepse për të nuk ka marrëveshje: ose e plotë dhe si duhet ose hiç dhe zjarri në majë t’i dalë.

Në poezinë “Pa titull” ajo i drejtohet zotit t’i plotësojë dëshirat e saj fare të thjeshta nga ato baziket:

 

I kërkova zotit, vetëm gjëra vogëlane,

nga ato thërrimet e tryezës së madhe.

Si pak bukë me djathë, ca gllënka vere,

ndonjë bastun të mbështetem udhëve nga eci,

dhe njerëz, njerëz të sinqertë.

 

Duket sikur këto i mjaftojnë poetes për të bërë atë jetën tjetër të thjeshtë, pa shumë kërkesa, por vargu i fundit që mbyll katër të parat janë nga ato, që përmbysin botën. Këtu fillon vuajtja, se zoti si duket pak ka hedhur të tillë në vendin e saj. E vuan poetja gjendjen, katrahurën në të cilën ndodhet shoqëria shqiptare, pa rregulla, pa ligje pa dashuri e solidaritet dhe shkruan me një rresht përgjigjen e zotit:

Këtu, vetë Jezusi zbriti nga kryqi,

dhe më gozhdoi në vend të tij.

Gjeji, më tha,

meqë të duket e vogël dhe e thjeshtë.

Gjithë kjo luftë për ekzistencë për pak liri, për një copë bukë, për një shpatull ku të mbështesë kokën në ditë të vështira, për të gjetur pak prehje, pak qetësi e lodh poeten deri në stërmundim.  Nëse ka një zot le ta ndihmojë, t’i shtrijë dorën:

 

Kthej kokën vërdallë për një pemë a një mur,

ku të prehem sado pak,

e shoh vetëm gërmadha.

Kërkoj me sy për njerëzit,

të gjej një shpatull a një krah

për t’u pështetur cazë.

Por, s’ka…

Si gjithë romantikët e djeshëm e të sotëm poetja në këtë gjendje kërkon pak dritë nga dielli, por ai djeg aq shumë dhe pak freski nga hëna, por ajo ftoh aq sa të plevitos. Është një gjendje që vështirë të shpjegohet që duket pa rrugëdalje. Duket se gjithçka e rrethon nuk i jep dot jo vetëm shpresë, por e gremis edhe më thellë në oqeanin e pesimizmit dhe udhëkryqit. Vjen pastaj me vargjet ulëritëse, akuzon gjithçka dhe me pa të drejtë dhe i hidhet për gryke kohës se ajo e paska fajin, se ajo e bën të vuajë, se ajo është e padrejtë se ajo e ka braktisur se ajo nuk është në gjendje t’i fal pak qetësi e dashuri, që i ëndërron, si nomadët e shkretëtirës oazin e afërt. Vargje e më tutjeshme të trondisin thellë, të luajnë vendit, kur poetja i hakërrohet kohës. Këto vargje nuk trokasin, por bubullijnë e shkrepëtijnë si vetëtimat para shtrëngatës:

Atëherë hiqem zvarrë dhe i hidhem në fyt kohës:

I ulëras, e godas, e çjerrë, e nduk,

me thonj e me dhëmb gjithë babëzi.

Ty nuk të fal dëgjove..,

nuk ta fal të mos më quash njeri…

Në poezinë “Malli” Zhaneta Barxhaj kap një temë tërësisht të zakonshme e njerëzore: Mallin. Malli është i gjithëpushtetshëm te njeriu, Malli për nënën, për burrin, për djalin për atdheun, për gurët e shtëpisë, që i ka lënë atje kur u largua dhe bari ka zënë e rritet nëpër shkallë, për varret e prindërve, që nuk mund të çojë një tufë lule e të qaj sa t’i pëlcasë koka, e t’i luajnë sytë vendit. Edhe kur qetësohet e nuk ndihet ai aty është prap1, sepse nuk mund të ndahen.

E tromaksa mallin.

Me sa zë kisha, i bërtita me duar në vesh,

dhe e mbërtheva me dacka.

Nuk u ndje, është hilecak i madh,

do rri ca sus, që të shpërthejë prapë.

Po hajde o dreq,

se mbemë duke u rrahur.

Unë dhe malli,

tërë brinjët i lamë peng.

Poezia është si melodia e një kënge. Edhe kur nuk fiton në një garë a festival ajo e mira pëlqehet dhe këndohet. Madje fituesja e festivalit mund të mos përmendet më, ndërsa melodia e këngës bëhet aq e përhapur dhe rron pafundësisht. Poezitë e Zhanetës dallohen për elegancën e vargjeve, ndjeshmërinë që shpesh kapërxen imagjinatën e lexuesit të zakonshëm, thellësinë e ndjenjave, respektin e pakufishmë për qenien njerëzore, trishtimin e madh për botën e egër, që na rrethon, që jo rrallë kalon në shpërthime urrejtjeje ndaj se keqes, deri në pesimizëm,  përkushtimin absolut ndaj dashurisë deri në  mohim të vetvetes. Prandaj mendoj që poezitë e saj kanë vlerë, lexohen me ëndje. Janë si melodia e një kënge që thamë më lart, mbeten në kujtesë e të bëjnë më të mirë. Si te poezia “Valltari pa këmbë” që vallëzon, fluturon në ajër dhe as që e prek tokën, qan e madje edhe këndon në vargjet e saj.