Katërmbëdhjetë vjeçe ishte Nora, kur e futën në punë si ndihmëskameriere. Plot i ke shtatë klasë, – tha i ati. – Do të futesh në punë, boll të ushqyem ne! Vajza nuk u ndje. Kishte plot të tjera si ajo që e linin shkollën, të detyruara për të ndihmuar familjen. I vetmi merak ishte Sadiku, një djalë i lagjes ngjitur, që punonte në ndërmarrjen e peshkimit. Çdo herë që dilte nga shtëpia, vajza e shikonte te kryqëzimi i rrugëve me vështrimin nga ajo. Mirëmëngjes! – përshëndeste djali duke u munduar t’i tërhiqte vëmendjen. Përgjigja nga vajza vinte sakaq, por gjithmonë duke e parë shkarazi. Sapo djali mundohej të thoshte diçka më tepër, Nora, largohej me të shpejt. Nora, unë ty të dua, – mori një ditë guximin Sadiku, duke iu marrë fryma. Aq ishte dhe koha për të thënë “mirëmëngjes’’. Ajo qëndroi dhe ngriti sytë. Të dua seriozisht, të kam dashur qysh fëmijë, – guxoi sërish me një frymë, i çliruar tashmë nga një siklet i madh. Vajza u largua pa përgjigje, por afër shtëpisë ktheu kokën duke buzëqeshur, shenjë kjo që ai e mori si shpresë. Më vonë kishin ndërruar letra, ku i shprehnin ndjenjat njëri-tjetrit. Dalja në punë e Norës ndikoi që takimet e tyre të ishin më të shpeshta. Dy vjet më vonë, në periferinë e qytetit, atje ku fillonte një pyll i bukur me pisha, larg syrit të njerëzve, ku ishte vendi i zakonshëm i takimit, Nora, tepër e mërzitur i tha: Sadik! Kam ngelur shtatzënë. Ajo ishte plot gjashtëmbëdhjetë vjeçe dhe djali njëzetedy. Ai u habit sikur përpara të kishte një vajzë të huaj dhe jo të dashurën e vet, të cilën e donte me shpirt. Nuk e shikon që jam trokë, e s’kam ku të fus kokën?! Jemi nëntë frymë në dy dhoma pallati. Pastaj ti e di që kam dhe dy vëllezër më të rritur, beqarë. Kësaj i thonë: miun se nxë vrima e do të marrë edhe fshesën me vete, – i bërtiti vajzës. Nora u trondit edhe pse e priste një kundërveprim të ashpër nga ana e tij. Nuk kishte dashur ajo, po ku mbahej Sadiku! I ishte bërë kurban, duke iu lutur që “ta bënin”. Kishin dy vjet, tashmë, që bënin dashuri çdo herë që takoheshin. Cili ishte faji i saj? Përse bërtiste sikur të ishte armik dhe jo i dashuri, që i kishte premtuar një jetë më të mirë? Abortoje! Do të kemi plot fëmijë të tjerë por ja, sa të mëkëmbemi një çikë e të vëmë ca para mënjanë… – Nisi ta merrte me të mirë, kur pa që vajza filloi të dridhej e tëra. Unë këtë fëmijë do ta mbaj. Ai është i yti dhe nuk e abortoj sikur bota të kthehet përmbys! U zunë keq, po Norës as që i shkonte mendja për abort. U takuan dhe nja dy herë të tjera, duke mbrojtur secili mendimin e vet. Pas bisedës së fundit Sadiku u zhduk nga qarkullimi. Flinte në anije e nuk dilte në tokë. Kur ua zuri në gojë atyre të shtëpisë se donte një vajzë, se që e kishte lënë shtatzënë, nuk guxonte t’ua thoshte, i ati një burrë serioz, ia preu shkurt: Jemi nëntë vetë që jetojmë në dy dhoma. Ke dy vëllezër më të rritur. S’ke mbushur as 22 vjeç e dashke të martohesh. Prit njëherë, prit….Kur Sadiku kërkoi të sqarohej pas bisedës me prindërit, Nora i kishte thënë: Ti, Sadik, ke qenë e do të mbetesh frikacak. Nuk kam për të të kërkuar asgjë. Dua që, pasi të lind, ta njohësh atësinë e fëmijës. Nuk e dija që do të ngelesha shtatzanë dhe as që e doja. Por tani që ndodhi nuk mund ta heq fëmijën. Ti nuk mund ta kuptosh atë që ndjej unë, se je mashkull. Ishin ndarë secili në të vetën. Nora mori në sy gjithçka. Nuk tregoi atësinë e fëmijës, sepse nuk donte që ta detyronte të dashurin të martohej me të, kur zemra nuk ia ndjente. Vajzat që ngeleshin shtatzënë pa u martuar i transferonin në një qytet tjetër për të lindur. Rregulli e kërkonte që Nora ta dorëzonte të porsalindurin në ‘’Shtëpinë e Fëmijës’’ por ajo nuk pranoi të firmoste.-Është fëmija im dhe e ka një baba. Nëse ai e mohoi, këtë nuk mund ta bëj edhe unë. I marr përsipër të gjitha pasojat. Nuk kam bërë asnjë turp! Sadiku e mori vesh lindjen e fëmijës dhe, sipas fjalës së dhënë duhet të njihte atësinë. Por as këtë nuk e bëri. Gjithë pasuria e tij ishte një krevat portativ në anije dhe rrobat e trupit. Rrogën në krye të pesëmbëdhjetë ditëve e dorëzonte tek i ati dhe mbante aq sa i jepte ai. Kaluan kështu me gjysma lajmesh, e fjalësh plot tetë vjet. Sadiku e dinte që Nora punonte në një lokal si kameriere, por asnjëherë nuk shkoi ta takonte. Një ditë të zakonshme regjimi ra. Komunistët u larguan nga pushteti dhe Sadiku me katër shokë të tij u gdhinë pronarë të anijes. Nora u largua nga internimi dhe u kthye në qytetin e saj me vajzën e vogël. Mori shtëpi me qira dhe filloi punë në njërin nga lokalet e shumta afër portit. Kurrë nuk komunikoi me ish të dashurin ndonëse në thellësi të zemrës ndjente se ende e donte. Për të zënë një të dashur të ri as që bëhej fjalë. Lidhja e vetme që kishte pasur e bënte të acarohej kur binte fjala për meshkujt. Sadik, ka ardhur Nora në qytet. Është me gjithë një vajzë të vogël që duhet të jetë e jotja. S’e ke idenë sa të ngjan, – i tha një ditë shoku i vet, që nuk ishte i vetmi që e dinte historinë e tyre. Nuk mundem t’i dal përpara. Edhe të më pështyjë është pak. Nuk ngjitet më buka e thyer. Kanë kaluar shtatë vjet e kusur. Ku më njeh mua vajza? Pastaj kush e di çfarë i ka thënë dhe e ëma, – psherëtiu Sadiku, duke e quajtur atë muhabet të mbyllur. Po ti shko njëherë, – ngulmoi shoku. Nuk i ktheu përgjigje, por me vete mendoi: Frikacak ngele gjithë jetën o derëzi! Po shko, ore, takoje tët bijë! Shoku kishte të drejtë. Vajza i ngjante aq shumë por trupin dhe ecjen e lehtë në majë të gishtave e kishte si të nënës së vet. Dukej menjëherë që ishte fëmijë e rritur me kujdes. Pamja e Norës e la pa fjalë. Iu duk shumë më e bukur se kur e kishte njohur. Nuk kishte më atë trupin e hajthëm si shtojzovalle, e pamjen e një vajzukeje por të një gruaje që gjithsesi rrezatonte mirësi e bukuri. Pa i thënë gjë ish të dashurës, një ditë u gjend në shkollën e vajzës. Moj Adjona, po sa e bukur je moj! Hajde te xhaxhi Sadiku, se të ka shumë xhan, – Ato pak fjalë mezi i nxorri, se lotët e mbytën dhe nuk mund të thoshte asnjë fjalë tjetër. Është babai yt, – i tha Nora së bijës, kur kjo i tha se ç’kishte ngjarë. Po atëherë përse nuk jeton me ne? Pyete vetë! Kurrë nuk e shau ish të dashurin, kurrë nuk nxorri një fjalë të keqe për të. Të bijës i kishte thënë që ka ikur shumë larg me punë dhe nuk dihet se kur kthehet. Nuk mund ta falte për atë që ndodhi, por dhe veten nuk e mendonte dot në krahët e një tjetri. Mos e bëj për mua, bëje për çupën, – i lutej Sadiku çdo ditë Norës. – Me ty nuk më lan as oqeani e jo deti, por nuk kam reshtur së dashuri asnjë minutë. Më fal, se ja, kështu jam unë: frikacak e i pavendosur. Por kam ndryshuar. Do të ndryshojë edhe më. Keni për ta parë, ti dhe vajza. Norës iu bë e pamundur jeta në qytet. Në çdo cep të tij i shfaqej Sadiku, që e ndiqte si hije, pa guxuar t’i afrohej. Një ditë u gjendën ballë për ballë. Ishin jo më larg se një pëllëmbë nga njëri-tjetri. Norës, që kishte vite pa e parë nga aq afër, iu duk i dobësuar dhe i lodhur. E tronditur ktheu kokën anash dhe qau. Djali e kapi me të dy duart butë dhe e pa në sy. Dalloi në fytyrën e saj të trishtuar, diku në cepin e syve buzëqeshjen shndritëse dhe vezullimin e syve si dikur. I prekur, u ul në gjunjë, i mori dorën dhe ia puthi, gjest ky i pandodhur ndonjëherë midis tyre. Nora e kapi nga supet dhe e ngriti ngadalë, kur pa, që ai as kishte ndërmend të lëvizte apo të fliste. Po e bëj për vajzën, – i tha, – se ti nuk e meriton. Do ta shohim, – iu përgjigj pa thënë asnjë fjalë më tepër. Por me vete bëri një betim, se do të bënte gjithçka për lumturinë e gruas dhe të vajzës. Me anijen, ku tashmë ishte bashkëpronar, merrnin karburant në shtetin fqinjë dhe e shisnin në qytet. Fitimet nuk ishin të vogla. U mëkëmb ekonomikisht. Zuri me qira një shtëpi të bollshme dhe mori me vete Norën dhe të bijën. Për dasmë nuk ishte kohë por as Nora nuk e zuri në gojë një gjë të tillë. Ajo që ndihej më mirë ishte vajza, tashmë plot tetë vjeçe. Në shkollë nuk e shanin më nën zë dhe ai epiteti i shpifur “kopile” ishte harruar. Nuk pranonte kurrsesi që në takimin mujor me prindër në shkollë, të vinte e ëma. Donte të atin, të cilit i përgjërohej çdo herë të mos mungonte. Sadiku, mezi i mbante lotët kur shikonte që e bija e tërhiqte nga mënga e xhaketës, duke e çuar të takonte çdo mësues, madje edhe pastrueset. Vetë ai, shkollën nuk e kishte dashur ndonjëherë. Edhe ato shtatë klasë me shkelma i kam bërë, se më detyronte im atë, – thoshte me të qeshur. Është babi im, është babi im, – i jehonte në vesh cicërima e së bijës netët e vështira pa hënë, kur i kapte furtuna në Kanalin e Otrantos, dhe dallgët ngriheshin mullar. Tashmë kishte lenë kontrabandën e naftës dhe merrej me transport klandestinësh. Të joshur nga fitimi, filluan të transportonin njerëz gjithë farë llojesh, drogë e armë. Anijen e peshkimit e shitën dhe blenë gomone të shpejtë e mjaft praktike për transport. Sapo shkarkonin mallin në bregun përballë, vendosnin me pilotin kursin, ndiznin motorrët dhe pa këmbyer një fjalë e ndalonin gomonen që fluturonte mbi ujëra në bregun tjetër, ku e prisnin gruaja dhe vajza e vogël. Një pjatë supë nga dora jote e kalon edhe restorantin më luksoz, – i thoshte së shoqes, kur e shihte duke gatuar. I pëlqente kur ajo shtronte mbulesën, pecetat, lugët e pirunjtë gjithë kujdes. I kishte munguar ajo tavolinë qysh fëmijë. Më shumë mbante mend të kishte ngrenë ushqimin në këmbë sesa ulur. Kurse tani… Lere punën se do të na marrësh në qafë! Nuk kemi ç’i duam paratë, kur je çdo herë me qefin në kokë. Po merrni në qafë njerëz, – i thoshte Nora, kur dëgjonte se ç’thuhej lart e poshtë për skafistët. Nuk jam si ata. Ne bëjmë vetëm transportin, nuk na duhen të tjerat. Qafsha ty! – e gënjente sy më sy. Të shohim dhe ne dy ditë të bardha, – i drejtohej gruas në netët kur deti ishte i dallgëzuar e nuk mund të lundrohej. Nga i pabrekë e i pastrehë tashmë kishte një shtëpi të vetën, të mobiluar, vajza kishte dhomë të veçantë dhe së shpejti, do të blinte makinë me kilometër zero. Ja dhe nja tri-katër rrugë sa të bëjmë ca lekë për t’i pasur mënjanë se nuk i dihet. Mos të vuajmë më si atëherë… Dua që jeta e Adjonës të jetë e bukur, – i thoshte Norës, kur ajo i lutej që ta linte atë lloj pune. Ja, kjo është rruga e fundit. Ke për ta parë që këtë herë do ta mbaj fjalën. Do të kemi aq para sa të blej një barkë të vogël peshkimi. Peshk ka sa të duash dhe unë di të gjuaj,- i tha atë natë Norës, që ia la ndërresat mbi divan. Rrinte larg duke u shmangur të mos e prekte, madje as ta shihte në sy. Shkon ters po i takove njerëzit e familjes para nisjes edhe sikur të përshëndetesh me kokë apo të të thonë ‘’rruga e mbarë’’ ose “mirë ardhësh”. Ndryshe është e sigurt që diçka shumë e keqe do të ndodh gjatë lundrimit! – thoshin me bindje skafistët. Sadiku erdhi të merrte fenerin e dorës, që për dreq e kishte harruar. Në këto raste që ishin shumë të rralla, hapte derën, merrte ç’i duhej dhe dilte pa u përshëndetur me të shoqen. Kur ai largohej ajo ngrihej, dilte jashtë, shikonte një copë herë të mirë nga deti, kthehej, kyçte derën, i hidhte një sy vajzës që flinte, e puthte dhe shkonte edhe vetë të shtrihej. Ky rit kishte tre vjet që vazhdonte. I shoqi po dilte tinëz si zakonisht pa i folur, kur e bija iu hodh në krah. Ku do të shkosh kaq vonë o ba? Vetëm do të na lësh mua me mamin? Nuk e dinte e përkëdhelura e babit, që ai e bënte atë veprim gjithë javën. Kur ajo zgjohej mëngjeseve dhe ndodhte që ai nuk ishte kthyer, e ëma e qetësonte, duke i thënë se babi ka dalë herët për punë. Sadiku nuk duroi, e përqafoi dhe e puthi fort të bijën. Sot është kohë e mirë për peshkim se hëna del vonë dhe deti është i qetë. Në mëngjes, sa të dalë gjumi, hajde në dhomën tonë. Të premtoj se do të jem aty. Po u vonova do të vij të të marr në shkollë. Po akulloren? – pyeti duke e kapur nga faqet. Akulloren e dua me lajthi, – cicëriu vajza, duke e kapur batutën në ajër. Ah, mezi do ta pres mëngjesin, – tha e bija, kur u shtri në krevat. E zuri gjumi me buzëqeshjen prej engjëlli, duke pritur mëngjesin, babin dhe atë akulloren me lajthi. S`ëmës, që besonte fort, si i shoqi, bestytnitë për nisjen e skafeve iu drodh zemra, kur pa të shoqin të përqafohej me të bijën. Budallallëqe janë. Fjalë koti. E ç`lidhje ka një përqafim babë-bijë me detin e trazuar, defektet në motor, policinë apo rojën bregdetare? U shtri, por gjumi nuk e zuri deri në mëngjes. Filloi të kalonte në mendje të gjitha fatkeqësitë e ndodhura në det vitet e fundit: Vërtetohej në të gjitha rastet se dikush nga ekuipazhi ishte përshëndetur me gruan, dashnoren, me të afërmit para nisjes ose në rrugë i kishte uruar rrugë të mbarë. Hajt se rrëmojnë e rrëmojnë njerëzit derisa e gjejnë shkakun edhe kur ai nuk ekziston, – anonte mendja e gruas në favor të jetës. Po pse erdhi? – pyeste përsëri veten. Pse nuk ndenji edhe ca në bilardo ose në klub me shokët e të vinte më vonë? Ende pa zbardhur doli nga shtëpia. Deti vazhdonte të ishte i qetë. Hëna jo e plotë, që sapo kishte nxjerrë sqepin mbi kodrinat e qytetit i jepte një ngjyrë të zbehtë verdhacuke sipërfaqes stërmadhe të ujit. Po kjo ngjyrë si fytyra e një të vdekuri, që ka marrë deti sot ç`të jetë vallë? – pyeti veten. Nuk i pëlqeu ajo ngjyrë e verdhë limoni… Tutje mbi ishullin e vetmuar ravijëzohej një re e zezë që lëvizte ngadalë drejt perëndimit, duke gëlltitur yjet që po shuheshin. Re të tilla ishin paralajmëruese të stuhive, por me kohë ajo u zhduk në qiellin që po merrte blunë e zakonshme. Pas pak nisi një puhizë e lehtë dhe era e jodit të guduliste flegrat e hundës. Ditë më të mirë për lundrim nuk mund të kishte. Po fle deti sot, po fle, – mendoi me shpirtin e lehtësuar. E ç’mund të ndodhte atë natë të qetë, me atë çerek hënëze të vonuar?Se mos ka marrë pak shpirtëra deri sot kjo lubi në barkun e saj. Mbase është ngopur o zot! – foli me zë, duke parë edhe një herë sipërfaqen e ujit që nga e verdhë ishte kthyer në të florinjtë. Detin e kishte dashur ngaherë, jo vetëm se aty në bregun e tij ishte rritur dhe kishte mijëra kujtime, por edhe sepse peshkimi i kishte shërbyer familjes së saj si burim të ardhurash. Kur filloi transporti i klandestinëve ndryshoi mendim. Shpesh e përfytyronte si përbindësh, që kur zemërohej, ngrinte valët sa një shtëpi, duke gëlltitur në barkun e vet anijet e vogla ngarkuar me burra, gra, djem e vajza. Kur yjet e fundit u shuan një e nga një dhe dita vendosi sundimin e saj të përkohshëm, diku larg u dëgjua uturima e motorëve të skafit, që vetëm veshi i njeriut të stërvitur mund t’i kapte.Po kthehen si duket! E ç’qe gjithë ai merak i kotë, moj budallaqe! E gdhive në këmbë pa fjetur kot së koti, – iu drejtua vetes, duke buzëqeshur, e çliruar plotësisht nga ankthi i natës së gjatë. Kryqëzoi duart para gjoksit ende vajzëror, mori frymë thellë dhe u fut brenda. Dukej një agim i mrekullueshëm pas gjithë atij ankthi. Bëri dush, u fshi, parfumosi pjesët intime dhe u pa para pasqyrës. Supet e lakuara, gjoksi i plotë, i fortë, me thithkat e zgjatuara, barku i sheshtë, petë si i një adoleshenteje, kofshët e derdhura, vithet e kërcyera rrumbullake, për të cilat dikur bëheshin kurban djemtë e Skelës, fytyra e bukur por pakëz e lodhur, buzët e plota mishtore, e bën të kujtohej se ishte ende e re, e bukur dhe plot dëshira. U ndje mirë nga ajo që pa në pasqyrë, hodhi mbi trupin lakuriq një robdëshambër të hollë, u shtri mbi krevat, duke ëndërruar të shoqin me atë trup të fortë detari gjithë muskuj, me aromën e kripës së detit përzier me atë të jodit e të algave, që i pëlqente aq shumë dhe e dehte para se i shoqi ta prekte, pëshpëriti: Sot është një mëngjes për dashuri…Sadiku, nuk u kthye atë mëngjes, as atë ditë, as të nesërmen, as të pasnesërmen, as atë muaj e as atë vit. Kishin mbërritur shëndoshë e mirë në bregun tjetër, zbarkuan njerëzit, ndezën motorrët në maksimum, bashkë me pilotin dhe me shoqëruesin, ishin drejtuar andej nga erdhën. Lajmi u vërtetua nga pohimet e të gjithë klandestinëve, që kishin mbërritur në bregun tjetër. Në netë të tilla, e shumta në orën katër të mëngjesit skafistët ishin në shtëpi. Nora, i tha së bijës që gjatë natës kishte shpërthyer stuhia dhe i ati me disa peshkatarë të tjerë ishin strehuar në një ishull grek dhe do të ktheheshin sapo deti të qetësohej. Zemra që i ndolli keq atë natë, qysh në nisje, dukej sikur do t’i kërcente nga gjoksi e do të dilte jashtë. Kaluan disa ditë dhe e kuptoi se të pakta do të ishin shpresat që ai të ishte gjallë. Ç’të gjeti moj fatzezë? – i drejtohej çdo ditë vetes. – Mirë se me të keqen je mësuar, por ç’t’u desh që u martove? Vetë ke bërë si ke bërë, me burrë dhe pa burrë, por kësaj kërthinje si do t’ia bësh? Isha aq rehat me veten dhe vajzën… – mendonte hera-herës. Atëherë e dinte që nuk kishte burrë dhe e kishte të fjetur mendjen që çdo gjë do ta bënte vet. Po tani? Rojat bregdetare në të dy anët e kufirit patrulluan ditë me rradhë por nuk gjetën asnjë shenjë. Fillimisht Ada, e pyeste çdo ditë t`ëmën pastaj rrallë e më rrallë. Dikur ashtu e menduar, gjë e pazakontë për moshën e saj të njomë i pëshpëriti Norës: Ma, o ma! Babi na braktisi sërish, ë? Po unë them se ai do të kthehet. Ke për ta parë! Gruaja u gjend shumë ngushtë. Nga mund t’i kishte lindur ajo pyetje që nuk kishte fare lidhje me të vërtetën? Nuk mendonte kurrë se në Skelën e vjetër, mbushur me baraka llamarine, pluhur e pocaqi, ku rakia, konjaku e fërneti pihej jo me gota por me shishe e kazanë, dikush do t’i thoshte të vërtetën vajzës. Këpucarë, mekanikë, peshkatarë, kamerierë, berberë e karrocierë, e përkëdhelnin, e përqafonin dhe i thoshin pothuaj të njëjtat fjalë: Ende nuk të është kthyer babi? Mos u mërzit zemra e vogël se do të vijë. Dikush gjithë dashamirësi i dhuronte dhe ndonjë lek për ta shpenzuar. Më mirë kështu, – mendonte Nora. – Le të mbajë shpresë se i ati do të kthehet një ditë, sa të rritet e të forcohet. Pastaj, sigurisht do t’ia them të vërtetën. Dalëngadalë ngjarja e Sadikut kaloi në plan të dytë. Pa u mbushur muaji ndodhi diçka tjetër, edhe më e tmerrshme. Një skaf me pesëdhjetë veta në bord, mori flakë sapo kaloi Kanalin e Otrantos. Vetëm tetë veta mundën të shpëtonin. Një sy i kujdesshëm vinte re se numri i grave dhe vajzave, veshur me të zeza, në qytet dhe në rrethina po rritej në mënyrë jo të zakontë. Kjo nënkuptonte që deti vazhdonte të merrte e të merrte jetë njerëzish. Krahas guaskave dhe leshterikëve, pas stuhive, në breg gjendesh hera-herës ndonjë kufomë njeriu. Në rrjetat e peshkatarëve mbushur me peshk, ndodhte të gjendej dhe trupi i ndonjë fatkeqi. Lajmi në këto raste përhapej me shpejtësi deri në rrugicat e ngushta të periferisë së qytetit. Nëna dhe gra të reja, kredhur në të zeza vraponin atje ku flitej se deti kishte nxjerrë kufomën. Në dy raste që Nora shkoi, kufomat e shpërbëra e të fryra nga uji nuk ngjasonin fare me atë të të shoqit.Zot! – mendonte. Si do ta kaloj gjithë jetën kështu, me një burrë as të gjallë, as të vdekur? Më shumë i besonte një varianti që pëshpëritej nën zë. Thuhej se njëri prej anëtarëve të ekuipazhit që kishte shuma të mëdha lekësh borxh, kishte vrarë dy shokët dhe me gomonen e trastën me lekë të fituara atë natë ia kishte mbathur në Spanjën e largët. Fjalët vinin prej andej nga thuhej se ai jetonte, si ato letrat e nizamëve dikur, të rralla, pa zhurmë, por të mbushura plot lot, dhimbje dhe vdekje. Për skelarët tashmë ajo ishte një grua e ve si shumë të tjera, që ua kishte marrë burrat deti. Me ndihmën e miqve të të shoqit, Nora, arriti të ngrinte diku një barakë, duke e përdorur si Bar-Kafe. Një pjesë të parave ia dhanë shokët e Sadikut dhe as që ia hodhën në sy. Kur Nora u tha se do t’ua kthente borxhin pasi të mëkëmbej pak financiarisht, ia prenë shkurt se paratë ishin të të shoqit që ua kishte dhënë borxh dikur. Ku i dihet? – mendoi. -Ndoshta është e vërtetë, se ai i shkreti ishte i keq për veten, pa për të tjerët nuk kursehej. Dikur, në një natë të gjatë dimri, ashtu gjysmë zgjuar e pa veten në krye të kortezhit që përcillnin të shoqin e vdekur, mbyllur në arkivol, drejt varrezave të qytetit. Pastaj iu bë se ishte në shtëpi, ku priste njerëzit për ngushëllimet. I doli gjumi, por çuditërisht u ndje e lehtësuar. U ngrit, hodhi krahëve një pallto të vjetër të të shoqit dhe doli jashtë. Dy hapa larg ishte deti. Nuk mund ta shikonte, aq e thellë ishte errësira që kishte pllakosur. Qielli ishte i zi blozë dhe në të nuk dukej qoftë dhe një yll i vetëm. Gjithsesi e ndjente që deti ishte aty pranë si përherë. Dukej sikur sapo ishte zgjuar nga gjumi. Filloi të luante, duke shtyrë ato dallgëzat e vogla, që llapashiteshin e shkumonin në kreshtat e vogla të tyre, derisa shuheshin mbi rërën gri. Solli në mendje gjithë ato gra e nëna, që kishin pasur fatin e saj, që kishin humbur njerëzit e dashur në det. Të gjallët që kishin lënë pas e ishin pasuruar me paratë e tyre, jetonin në vila e kishin filluar biznese, madje u kishin ngritur dhe varre madhështorë, rrethuar me kangjella e lule. Më të shumtët kishin mbetur trokë e nuk mundnin t’u ndërtonin një varr të thjeshtë. Këta ishin dy herë të mjerë: nga varfëria që ishte bërë pjesëtare e familjes dhe zija e përjetshme për birin, burrin apo vëllanë e humbur në atë betejë absurde për t’u pasuruar… -Eh, kështu janë të gjithë në këtë qytet! Nuk ka njeri pa halle në këtë botë e halli hallit nuk i ngjan. Sikur të ishte pak më ndryshe! Por si duket ky do të jetë fati ynë, gjithë jetën, nën frikën e të nesërmes së pasigurt. Ta kem mirë atë vajzë sa të rritet, e t’i bëj yzmetin dyqanit… Ra në paqe me veten, duke pranuar përfundimisht që ashtu ishte shkruar fati i saj. Hyri brenda, mbylli derën me dryn, kaloi në dhomën e së bijës dhe e puthi siç bënte gjithmonë. Larg, shumë larg, thellë nga mjegulla e zezë sterrë dëgjoi zhurmën e njohur të motorrëve të skafit. I dukej sikur vinin nga një botë tjetër e panjohur.Po kthehen. Ndoshta të gjithë që kanë shkuar po kthehen shëndosh e mirë, e nuk kanë fatin e burrit tim! – mendoi. Si duket e keqja nuk do të ndalej. Veç fatkeqësive dhe avarive në det, kishte filluar lufta midis grupeve, që drejtonin trafikun dhe çdo javë do të kishte të vrarë e të plagosur madje djem ende të mitur. Ishte si një mallkim që po pllakoste qytetin. Por kjo nuk kishte të bënte me fatin e saj tashmë vejushë, me një fëmijë për të rritur. Hapi pak perden e dritares, zakon i vjetër ky, që kur i shoqi ishte gjallë. Dalëngadalë hapësira qiellore e pa anë, po ngjyhej me një të kuqe të purpurtë e që vende- vende kishte ngjyrën e gjakut. Disa re, që rrekeshin midis ngjyrës së errët që po ikte dhe të kuqes që po zotëronte gjithandej, filluan të lëviznin drejt faqeve të kodrinave përballë. Po lindte një ditë e re, me pak gjasa për të qenë e bukur.