Suplementi Pena Shqiptare/ Gëzim Loka: “Kanuni, petku i shqyer keq i traditës”

965
Nga Gëzim LOKA

Ajo që dëgjojmë dhe shohim sot nëpër kronikat e trishta televizive, për familje të tëra të ngujuara në veri të vendit, nga frika e gjakmarrjes, përfshirë këtu dhe gra e fëmijë, është një kambanë alarmi për vetëdijen e topitur qytetare dhe shoqërore. Kjo kambanë bie për shtetin, për institucionet, për ligjin e neglizhuar, për drejtësinë e korruptuar, për mungesën e progresistëve dhe idealistëve. Arketipi i keqbërjes dhe krimit, si pasojë e devijimeve dhe çrregullimeve të personalitetit, kushtëzohet nga shumë faktorë, qofshin socialë, kulturorë, ekonomikë, gjenetikë e të tjerë, qofshin të lindura në rrethana të kushtëzuara në faza të caktuara të jetës së njeriut. Por hakmarrja dhe gjakmarrja, si produkt kolektiv i një shoqërie, e kushtëzuar nga Kanuni dhe e ligjëruar në mbijetesën e maleve tona, ka të bëjë me mungesën e gjatë të shtetit në shoqërinë shqiptare. Kjo mungesë është ezauruar me anë të Kanunit të Lekë Dukagjinit, Kanunit të Skënderbeut, Kanunit të Dibrës, Kanunit të Papa Zhulit (në disa treva të jugut të vendit) si dhe disa lloj ligjësish të mishëruara në besëlidhje, karare e itifaqe, që kanë rregulluar bashkëjetesën e njerëzve në komunitet. Në kohën e funksionimit të shtetit, qoftë dhe një funksionim i mangët e me një problematikë të mprehtë si ky i yni, Kanuni duhet të kishte vetëm vlera muzeale. Mbijetesa e Kanunit në Shqipëri, edhe në kushtet e funksionimit të shtetit dhe institucioneve, ka të bëjë me qasjen e grupeve kriminale ndaj traditës, për të gjetur tek disa elementë të saj, strehë për vrasjet, trafiqet dhe keqbërjen e tyre. Nevoja e bandave dhe grupeve kriminale për t’u mbështetur tek Kanuni ka qenë një nevojë e ngutshme, por ky nuk ka qenë një kanun real, por një kanun i modifikuar, sipas nevojës së tyre për të mbijetuar në terrenin e vështirë shqiptar. Periudha tranzitive në Shqipëri, përveç zgjimit të energjive dhe resurseve të fjetura, të ndrydhura apo të keqpërdorura dikur të individit shqiptar, riaktivizoi të gjitha negativitetet e traditës, që iu kanë shërbyer dhe iu shërbejnë grupimeve të caktuara sociale dhe klaneve të aferave të ndryshme, për të mbijetuar në errësirën e botës së krimit dhe të devijimeve të tjera të arketipit social. Starti i lirisë në Shqipëri u projektua dhe funksionoi si start i më të “fortëve”, jashtë të gjitha skemave, formulimeve dhe rregullave institucionale, kodeve morale dhe atyre shpirtërore, që kanë në themel demokracinë e brendshme të individit dhe të shoqërisë, të vetëdijshëm për atë se çfarë kërkojnë të bëjnë në një stad të caktuar të mbijetesës së tyre. Një nga kodet më të keqpërdorura të kësaj tradite është kanuni, simbolika konstitucionale e të cilit, e vlefshme në kohën kur mungonte shteti, po shndërrohet në një mjet ndëshkimi në luftën e egër të bandave të armatosura dhe elementëve të vetë penalizuar në zeje kriminale, edhe tani, në kushtet e funksionimit të shtetit dhe të luftës së tij për të bllokuar botën e krimit. Në zonat ku kanuni ka vepruar si një rregullator i brendshëm i jetës së fisit, veçanërisht në Veri të vendit dhe në disa zona rurale të tjera, po shfaqet dukuria e shndërrimit të tij, në mjaft raste, në një selektiv të përgjakur të dimensionit kriminal të shoqërisë shqiptare. Por jo vetëm në këto zona. Ai po shndërrohet me përdhunë, në këto raste, në një keqinterpret të “së drejtës”, e cila shtegton nga njëra palë kriminale te tjetra, duke lënë prapa saga tragjike vrasjesh në errësirë që i etiketohen kanunit. Kështu, me anë të një kanuni të ri, lahen hesapet dhe qërohen llogaritë midis grupeve e bandave rivale, midis familjeve e fiseve mafioze, për interesa jashtë kanunore, që lidhen me aspekte të errëta të botës së trafiqeve, drogës, vrasjeve seriale, etj. Elementi shoqërisht i rrezikshëm në Shqipëri e ka përshtatur kështu kostumin kanunor të traditës, këtë relikte që ka vetëm vlera muzeale, – dhe shteti me tërë energjinë e ligjit dhe të së drejtës lypset ta bllokojë funksionimin e kanunit me çdo kusht, – sipas qepjes së re të mafies. Vrasjet në seri, që po mbajnë peng familje të tëra, individë të implikuar në zejet e krimit të të gjitha spektreve e ngjyrave, por edhe njerëz të pafajshëm, që ndëshkohen vetëm për lidhjet e gjakut me të inkriminuarit, duke e zhytur atë në pellgun e ndotur të instinkteve barbare, po shndërrohen në një normalitet të sëmurë në këtë vend, amullisë dhe katrahurës së të cilit, nuk po i duket fundi askund. Është më tepër se e dhimbshme, gati një fatalitet, të dëgjosh përditë lajme të trishta për familje të tëra që po shkojnë drejt shuarjes, për viktimat e radhës që mbushin kronikat e zeza nën okelion “larje hesapesh”. Bie fjala, në rrethin e Tropojës, janë me qindra të vrarët në emër të këtij kanuni të ri, absurd, ku mpleksen të gjitha fijet e krimit të rëndomtë dhe atij të organizuar, me të gjitha prapavijat e hapura dhe të fshehta të segmenteve dhe klaneve mafioze, që menaxhojnë me “duar të pastra” këtë “rreth fatal”. Po kështu, në këtë “rreth fatal” të kësaj psikoze të re kanunore, janë shënjuar qindra viktima në Fushë Krujë, Mat, Vlorë, Fier, Berat, etj duke na kujtuar çdo ditë, se jetojmë në një vend ku jeta e njeriut vlen pak, shumë pak, aq sa ç´vlen një fjalë e lëshuar qesim ose një biletë e prerë për në parajsën e bardhë të drogës e të skemave të tjera mafioze. Dimensioni linçues i këtij pseudokanuni ka vepruar e vazhdon të veprojë edhe mbi femrën, në kundërshtim me kanunin tradicional të shqiptarëve, qoftë Kanuni i Skënderbeut, qoftë ai i Lekë Dukagjinit, që përjashtojnë në mënyrë kategorike ushtrimin e hakmarrjes, ndëshkimit dhe gjakmarrjes mbi gruan. Rrekja për t´ua përshtatur Kodin e të Drejtës Zakonore Shqiptare instinkteve të ulëta të një race që kërkon të mbijetojë me anë të eliminimit të gjithkujt që iu bie ndesh interesave të saj kriminale, sipas parimit mafioz se “e drejtë është gjithçka që më shërben mua”, kryhet me një precizion të lartë, nga një dorë e stërvitur, që i intereson t´ia faturojë kanunit të gjitha faturat e krimit ordiner dhe atij të organizuar në Shqipëri. Kjo është dora dhe koka e mafies. Ky është mekanizmi që ka përdorur ajo kudo ku është shfaqur, qysh në fillimet e veta matanë brigjeve tona e deri larg, në kontinentin e ri. Në këtë mënyrë, krimi pajiset me një alibi të fortë dhe vepron si një strukturë e pavarur, duke paralizuar shtetin në luftën e tij për të siguruar normalitetin dhe shenjtërinë e lirive dhe të të drejtave të banorëve të këtij vendi. Nuk themi ndonjë gjë të re kur themi se në vendin tonë tanimë është ulur këmbëkryq mafia. Madje këtë e pohojnë gati të gjithë politikanët e të gjithë spektrit politik, vetë ekspertët e antikrimit në Ministrinë e Brendshme, në strukturat dhe organet e drejtësisë, etj. Psh, para disa vitesh, në rastin e tërheqjes së ambasadorit Kuko nga kandidimi për postin e Presidentit të Republikës, pas konsensusit të shpallur midis pozitës dhe opozitës shqiptare, dy krerët e dy partive më të mëdha në vend, deklaruan se zotit Kuko i ishte bërë presion nga mafia shqiptare dhe ajo rajonale, në bashkëpunim me shërbimet e fshehta brenda e jashtë vendit, në dispozicion të saj. Por, fakti që mafia kërkon të monopolizojë Kanunin, ta nxjerrë atë në skalionin e parë të luftës për larje hesapesh midis pjesëtarëve që dalin jashtë skemave të saj funksionale, tregon se ajo është e vetëdijshme për peshën që ka pasur dhe vazhdon të ketë kanuni në mbijetesën sociale të shqiptarëve. Asnjë Kushtetutë, në asnjë vend në botë, nuk ka pasur atë fuqi dhe shenjtërim, sa ç´ka pasur kanuni historikisht për shqiptarët. Kanuni është kthyer në një strukturë psikike të shqiptarëve, kështu që, duke u përshtatur nga mafia dhe krimi i organizuar, përgjatë akteve të tyre me prapavija të fuqishme politike, synon të identifikojë botën e krimit me një nga konstitucionet më të thella të vetëdijes juridike të botës shqiptare. Në këtë mënyrë, protagonistët mafiozë, që janë në krye të kupolës së krimit në Shqipëri, të lidhur me mafien rajonale dhe më gjerë, ndihen të pajisur me një alibi të fortë. Ata mund të veprojnë në hije, duke ia përcjellë, siç thamë, shumë prej faturave të krimit të gjithfarshëm, veçanërisht atij të organizuar, Kryedokumentit të së Drejtës Shqiptare. Përdorimi i Kanunit si një ombrellë për merimangën e krimit dhe mafian në Shqipëri ka hyrë në një fazë të pakthyeshme. Kjo psikozë mban peng familje e fise të tëra, që janë përfshirë në skema antishoqërore dhe që luftojnë dhëmb për dhëmb, në një luftë për jetë a vdekje me njëra – tjetrën, për të menaxhuar “resurset” e antiligjit, tërë zejet antihumane dhe antisociale të një tranzicioni unikal. Tejkalimi i funksionit social të Kanunit dhe shndërrimi i këtij funksioni në një xhungël pasionesh të errëta nën skllavërinë e egos kriminale, pra shndërrimi i kanunit nga një mjet për kufizimin e vrasjeve në një mjet për t´i dhënë “okay-n” çdo akti të përgjakur për llogari të donë-ve të fshehtë, shënon fillimin e një barbarie moderne në emër të traditës zakonore shqiptare. Shoqëria shqiptare asnjëherë nuk ka qenë më e zbuluar ndaj krimit të organizuar dhe mafies, të cilat duke i ofruar botës së krimit “dorashkat” e një mbështetje të këtij soj, i kanë hedhur asaj në fyt një lak të egër. Kështu, dalëngadalë, por në mënyrë simetrike, po krijohet një përligjje kolektive ndaj krimeve mafioze të motivuara në emër të këtij pseudokanuni dhe alibitë e përdorura në këto raste, për fat të keq, po fitojnë terren dhe qytetari. Aksioni politik i konsensusit midis opozitës dhe pozitës sigurisht që ia ngushton rrezen e veprimit dhe të spektrit goditës kësaj nëme të kohëve moderne shqiptare, por nuk e paralizon dot atë. Lypset të ridimensionohet dhe të plotësohet spektri ligjor, të zhdërvjelltësohen institucionet e antikrimit. Lypset që të unifikohet qëndrimi i spektrit politik kundër mekanizmave kriminalë të shoqërisë shqiptare, një unifikim real dhe jo fasadë, që mund ta ngushtonte rëndshëm rrethin e veprimit të këtyre mekanizmave. Shoqëria shqiptare jeton periudhën e një krize vertikale, ku janë mpleksur të gjitha rrethanat e disfavorshme të një tranzicioni të çuditshëm, që po shtyhet në kalendat mitike të fqinjëve tanë të Jugut, por dhe shansin e fundit për të dalë nga tuneli i errët, ku duan ta mbajnë të mbërthyer vendin mafia dhe protagonistët me “jaka të bardha”. Baronët e krimit, hakmarrjes dhe gjakmarrjes kanë kthyer vendin e shqiponjave në një tokë të rivalitetit të botës së keqbërjes, hashashit dhe krimit, duke e zhvendosur ofertën e Bashkimit Evropian për Shqipërinë në kalendat greke. Bota e krimit ordiner dhe atij të organizuar lyp që t’i vesh Kanunit dhe traditës një kostum moderniteti, por ky kostum iu rri atyre aq ngushtë, sa çdo përpjekje e tyre në këtë drejtim duket absurde dhe groteske. Si pasojë e gjithë kësaj, hakmarrja dhe gjakmarrja në disa treva shqiptare ndodhin me një përpikmëri logaritmike, si vdekje të paralajmëruara nga bota e krimit dhe të pandëshkuara nga institucionet e shtetit dhe të së drejtës. Shoqëria shqiptare, tejet e lodhur nga kjo histori, veçanërisht familjet e përndjekura nga hijet e frikës së ndëshkimit dhe hakmarrjes, familjet në gjak dhe të ngujuara nga frika e krimit, apelon që më në fund të bllokohet nga shteti ky dimension antishoqëror me pasoja të rënda sociale, ekonomike e humane, të ndërpritet ky makth keqbërje e krimi pa alibi, që po e çon Shqipërinë vite të tëra pas në hartën e vendeve të sigurisë, të ndërpritet kjo aferë vdekjeje që kërcënon çdo ditë e me një agresivitet të rëndë rendin dhe stabilitetin qytetar. Pesëdhjetë vjet komunizëm, plaga e gjakmarrjes, me të gjitha derivateve e saj, ngujimin, hakmarrjen, shfyturimin e së drejtës, jo vetëm që u shua dhe nuk iu dëgjua emri, por shoqëria duket se u vetëdijësua për absurditetin e kësaj pjese të traditës, që lidhet me të drejtën zakonore shqiptare. Mirë që shteti dhe institucionet e tij nuk funksionojnë, po ku janë idealistët që nuk duken askund? Në Kosovë, një trevë shqiptare me një problematikë të ngjeshur kanunore, çdo mit gjakmarrje e hakmarrje e shembi Anton Çeta me pajtimtarët e tij, po në Shqipëri pse nuk po del një Anton Çetë? Apo thjeshtë në këtë vendin tonë të një mijë çudirave, pajtimtarët bredhin pas “berihajt”, duke përfituar fonde e shpërblime të majme në emër të gjakut?!

Sigal