Suplementi Pena Shqiptare/  Fuat Memelli: Sinicari që mblodhi këngët e Sinicës

440
Sigal

 

Një “rruazë” tjetër i shtohet “gjerdanit” të botimeve për Sinicën.

 Fuat Memelli, Boston

 Para disa ditësh doli nga botimi libri ”Flladi i këngëve të Sinicës” me autor sinicarin, Perikli Pano. Është kjo një ngjarje e veçantë jo vetëm për autorin, por edhe për sinicarët, pasi në faqet e librit gjejnë këngët e kënduara në vendlindjen e tyre shumë vite më parë, e që këndohen edhe sot. Nga faqet e librit duket sikur vijnë zërat e të parëve të tyre që nuk jetojnë më, ku më të spikaturit përmenden edhe në libër. Kopjet e para u shpërndanë në Sinicë, në shtëpitë dhe sokaket e gurta, apo në “sallën” e blertë të oborrit të shkollës, ku sinicarët ishin mbledhur më 20 Maj për të festuar ditën e Shën Kollit. Perikliu nuk do promovime klasike me presidiume e moderator, por thjesht, siç është vetë, aty me bashkëfshatarët duke biseduar, apo duke pirë një gotë raki kumbulle.  Aty ndihet më mirë se kudo flladi i këngëve të Sinicës.  Ky botim është fryt i një pune disa vjeçare të sinicarit Perikli Pano, me profesion ekonomist, i cili ka gjurmuar e mbledhur si bleta nektarin  200 e ca serenata e këngë të tjera të kënduara në Sinicë (përjashto  këngët popullore.). Ai ndalet edhe në disa disa tradita të fshatit ku këndoheshin këto këngë, etj. Edhe t’i numërosh kaq këngë, lodhesh! Këto këngë janë mbledhur nga një sinicar këngëtar, një ndër më të mirët e ditëve tona. Ai që i kujton muhabetet dhe serenatat e bëra në Sinicë këto 50 vjetët e fundit, patjetër që do ketë parë e dëgjuar Peron duke kënduar tok me sinicarë të tjerë. Por, ai jo vetëm këndon, por i bie edhe kitarës. Bukurinë librit ia shtojnë kopertina, faqosja dhe ilustrimet e piktorit të njohur, Robert Guci, i cili prej 40 e ca vjetësh merret me këto punë. Në shkrimin e Peros që shoqëron këtë botim, me thjeshtësinë që e karakterizon, ai e quan këtë “një punë modeste”. Unë do të thosha se kjo nuk është punë modeste, por shumë më e madhe.  Kjo është një vlerë e çmuar për disa arësye. Do ta quaja këtë një studim të mirëfilltë, i cili vlen për një disertacion, megjithëse Perua nuk kërkon “grada”, pasi ai pëlqen të mbetet një “ushtar” i thjeshtë. Vlera tjetër e kësaj pune qëndron në faktin se, ajo është një homazh për sinicarët që i kanë kënduar ndër vite këto këngë e nuk jetojnë më, por do jetojnë  emrat e tyre në kujtimet tona, si dhe në faqet e këtij libri. Veç këtyre, tekstet e këngëve të mbledhura, janë një “ilaç” kundër harresës së tyre. Perua thekson se “këngët që nuk këndohen, harrohen”, por unë do të thosha se ato harrohen edhe kur nuk shkruhen. Ky thesar i çmuar shpirtëror, nuk duhet lënë të harrohet, pasi muzika ngjall jo vetëm nostalgji, por edhe shpresë.  Dua të theksoj edhe diçka tjetër. Shpesh kur mblidhemi këtu në Amerikë në ngjarje të ndryshme familjare apo shoqërore, fëmijët më thonë që t’i shkruaj tekstet e këngëve të serenatave korçare,  e sidomos atyre të kënduara në Sinicë. Një pjesë të tyre i di, por një pjesë jo. Tani kur fëmijët apo miq të tjerë do më kërkojnë këto tekste, do t’u them: -I kini në librin e Periki Panos! Kështu do lehtësohem nga kjo punë. Dhe jo vetëm unë, por edhe shumë sinicarë të tjerë, fëmijët e të cilëve do t’i kërkojnë këto tekste. Jam i sigurt se libri do kapërcejë kufijtë e Shqipërisë e do shpërndahet edhe te sinicarët që janë në emigracion. Veç ndonjë kile raki kumbulle ‘pe Sinice’ që ata do marrin me vete kur të shkojnë në Shqipëri, pa dyshim do marrin edhe këtë libër, siç kanë marrë edhe botimet e tjera për Sinicën tonë të bukur. Ky libër i Peros është i teti në serinë e librave të botuar për Sinicën dhe sinicarët. Para disa ditësh doli nga botimi libri me poezi i sinicarit Besnik Memellit ” Sytë e tu-dy liqene binjakë”, kopjet e para të të cilit u shpërndanë po në Sinicë. Është duke u “gatuar” edhe një libër tjetër për Sinicën nga profesor Niko Ketri. Megjithëse ca me vonesë në krahasim me fqinjët tanë, sidomos dardharët, edhe sinicarët po i shtojmë “rruazat” e botimeve në “gjerdanin” e Sinicës. “Loja” mbetet e hapur dhe “lojtarë” të tjerë mund ta pasurojnë këtë punë. Urime Perikli Pano dhe presim të na “gostitësh” më botime të tjera!