Suplementi Pena Shqiptare/ Flutura Açka: Një orë Pinok

145
Sigal

 

Djaloshi shtyu derën e rëndë prej druri të hyrjes së ndërtesës dhe ktheu në të majtë të korridorit të ngushtë kah tabela e klinikës ku kishte lënë takimin, diku pranë sheshit Santa Maria del Pignone të Firences. Kishte disa ditë që kishte ardhur për pushime në Firence dhe kishte shoqëruar të afërmit në një ndeshje miqësore futbolli, ku në nxitm e sipër në lojë, kishte pësuar një shembje dhe kishte patur dhimbje e vështirësi muskulare në qafë dhe në krahun e djathtë. Të tijët kishin kërkuar për ndonjë klinikë masazhi, por në javët e Ferragostos në Itali zor se gjeje ndonjë klinikë të hapur. Por ja, u gjend një mundësi për t’i shpëtuar atyre dhimbjeve! Nuk ishte një klinikë klasike masazhi, si ato që ishte mësuar me klubin e sportit në atdheun e tij, por flitej se ky lloj trajtimi – Pranoterapia – i bazuar në valët e duarve, ishte e përhapur dhe kishte emër të mirë nëpër Toskanë.“Është një burrë i vjetër që më ka ndihmuar disa herë”,- i kishte thënë i afërmi i tij, një futbollist profesionist i klubit të të rinjve të fiorentinës. Dhe e kishte shoqëruar për te klinika ku sapo kishin hyrë.“Ulu, ulu”,- u foli një zë nga brenda,- “mbaroj shpejt.” Djemtë u ulën në ndenjëset e hollit dhe ndërsa i kushëriri u zhyt në botën e telefoniT të tij, ai u përqendrua te sendet e shumta që shquheshin në hollin e ngushtë. Nga brenda vinin zërat e një bisede, që ndonjëherë shoqërohej edhe me ndonjë klithmë të lehtë dhimbjeje, mbase të atij që po trajtohej brenda. Holli ishte lyer në të bardhë. Dy dollapë të mëdhenj me kanate të qelqtë, ishin të mbushur përplot në raftet e tyre me gjithfarë formash, masash, materialesh, pamjesh e ngjyrash. Një orë muri e ngulur disi lart mbante në mes foton e një bufi, një kalendar. Ca më tutje kishte sërish stampën e një bufi. Një mbajtëse druri në njërin cep ishte e gdhendur anash saj me formën e një bufi. Bufë të mëdhenj përgjonin pikëllueshëm mbi dollapët dhe zgjateshin drejt tavanit prej druri, plastike, allçie, stofi. Gjithfarë kimie e shpikur nga njeriu. Njëri prej tyre ishte i ballsamosur. Ai ishte më afër natyrës dhe të fshehtës së kësaj pseudofaune misterioze.

Koleksioni i bufëve brenda dollapëve, që kishin madhësinë e mureve, ishte i papërmbajtur. Me qindra bufë që të duheshin ditë t’i rrokje me detaje. Maskota të shumta, që duhet t’i kishin marrë të zotit vite për t’u blerë a mbledhur bashkë aty, mbase nga e gjithë bota. Edhe nja dy korniza kishin bufë të qëndisur nga kushedi ç’gra, ndoshta ndonjë dhuratë e vyer për shërbimin a shërimin që i zoti i asaj klinike u kishte bërë pacientëve të tij. U ngrit që t’i afrohej e ta këqyrte nga afër atë dinasti shpendësh që kurrë ne jetën e tij nuk e kishte parë aq të përqendruar. Pati një si ngathje, si të ndiente se i kishin mbirë pupla si të bufit dhe sytë t’i ishin shqyer dhe rrumbullakuar paq m‘u si ata shpendë të shumtë të pyllit mental para tij. Deshi ta pyeste të kushëririn, por tjetri ishte ende i zhytur në telefonin e tij dhe mund të mos i bënte kureshtje më ky holl, mbase ngaqë kishte qenë edhe herë të tjera, ndaj vazhdoi eskursionin e tij shpesor nëpër raftet. Puplat gati të kadifenjta të bufit, ishin nga gjërat që e dallonin nga zogjtë e tjerë, edhe pamundësia për të parë nga afër, madje edhe rrotullimi gati i plotë që i bënte qafës për shkak të dyfishit të vertebrave që kishte në dallim nga njeriu. Iu kujtuan këto nga ora e zoologjisë së dikurshme, por nuk kishte pasur kurrë kureshtje për bufin si shpend, as për shpesët në përgjithësi. Si mund të adhuroje një shpend si pula që nuk fluturonte? Një hop më pas nga kthina e tutorit të Pranoterapisë doli një burrë i gjatë, i përshëndeti dhe humbi me nxitim pas derës së jashtme. “Eja”, thirri tjetri nga brenda. Tutori patjetër. Kushëriri i tij vazhdonte i zhytur në virtualitet, kështu që u nis vetëm për në kthinën ku e thirrën. Tutori ishtë një burrë në moshë të tretë, me flokët të shpërhapur pa kontroll rreth kokës së tij të madhe, me duar si panxha dhe sy të mëdhenj.

“Duke jetuar me kaq admirim për bufin, ka marrë edhe trajtë bufi,” mendoi djaloshi, jo pak i habitur, jo pak në faj për mendimin. “Ulu”, i tha tjetri dhe i kërkoi që ta përkulte qafën me kokën mbështetur në shtratin mes tij dhe djaloshit. “Më thuaj ku të dhemb.” Djaloshi u përkul dhe ia shpjegoi me gishta hartën e dhimbjeve të tij. Pranoterapisti filloi ta shtypte aty ku djaloshi ankohej se kishte dhimbje. Me gishtin e madh, me rrotullime të forta në krye e më pas edhe më të zbutura, ai i kushtoi djaloshit minuta të tëra dhe e shoqëroi çdo turielë vibruese me pyetjet se sa përqindje i ishte lehtësuar dhimbja. Herë-herë lëshonte psheretima të shpeshta dhe ia vinte duart në kokë. Aq e shpeshtë ishte pyetja mes atyre vibrimeve gjithë dhimbje, sa djaloshi nuk e kuptonte në ndihej më i lehtësuar apo jo, thjesht e pa të udhës të thoshte se ishte lehtësuar, duke e lehtësuar kështu mbase edhe tjetrin dhe t’i linte të kuptonte se po shërohej. “Tani shtrihu, që të merrem edhe me krahun. Pashë që të dhemb edhe ai.” Djaloshi u shtriq në shtratin e lartë dhe priti derisa pranoterapisti erdhi rrotull dhe u ul në të djathtë të tij.

Tjetri filloi sërish me po të njëjtën ngulmin të pikëzimit të energjive të tij në krah dhe me sytë e mbyllur e me po të njëjtat pyetje të pareshtura për përqindjen e lehtësimit të dhimbjes.

“Ndonjëherë fjala shëron më shumë”, mendoi djaloshi. Këmbëngulja e tjetrit mund të ishte masazhi dhe ilaçi më i mirë që mundej. Se sa ishte lehtësuar, do ta ndiente më vonë kur të dilte nga ajo klinikë e populluar me bufë nga e gjithë bota dhe vibrime marramendëse mbi trupin e tij.

Ndërsa tjetri e shtypte në krah, djaloshit iu bë sikur tutori po i ngulta ca butona të çuditshëm, sikur po ia bashkonte copat, asisoj që kur të ngrihej të ndihej i tëri e të mos ishte më ashtu copash nga dhimbja. Iu kujtua libri më i dashur i tij i fëmijërisë dhe i tha ngadalë burrit të vjetër që i mbante sytë e mbyllur: “Më duket sikur jam Pinoku e ju jeni mjeshtri Geppetto. Ju jeni Geppettoja im.” Tutori ndali frymëmarrjen e tij të thellë një çast dhe i ngriu gishtërinjtë e tij aty ku sapo kishte mbaruar vibrimin. Qëndroi një hop ashtu krejt i përhumbur. Kur i hapi ca çaste më pas, sytë i kishe të përlotur. “Kam mbi pesëdhjetë vite që merrem me këtë zanat, që jetoj në Firence, ku kam lindur unë, ku ka lindur Pinokioja personazh, ku ka jetuar mjeshtër Geppetto që e ndërtoi e ku i krijoi edhe mjeshtër Carlo Collodi, por askush nuk ma ka thënë deri më sot këtë. Të faleminderit, Bir!” Tërhoqi hundët dhe iu kthye sërish krahut të djaloshit, duke i fshehur lotët pas syve të tij të mëdhenj, duke i fshikur shtjekët e njomur me gishtat e trashë dhe duke marrë frymë thellë pas çdo vibrimi që i bënte mishit të butë të djaloshit, i cili sapo ishte ndier në duart e tij si Pinoku i pambrojtur. Ashtu symbyllur, djaloshi vërejti se si koka e mjeshtrit rrotullohej ngadalë me po atë lehtësi si e zogjve të tij të adhuruar. Ca kohë më vonë u ngrit dhe e falënderoi Geppetton e tij. Tani ishte një Pinok që mund të lëvizte fare lehtë, falë atij përqendrimi që mjeshtri kishte patur në nyjëzat, pejzat dhe indet e trupit të tij të shembur. Kur doli jashtë ndjeu se qe në mes dy botësh. Iu ndie se pas shpine një flatrim të çuditshëm shpendësh, a thua se zogjtë kishin dalë nga bota e tyre e ngrirë pas qelqit dhe ishin endur në hapësirë për ta lëvizur ajrin në shenjë falenderimi për gëzimin që i kishte dhuruar mjeshtrit të tyre atë pasdite me ato fjalë të rralla. Mu aty në zemër të Firences, ky djalosh i largët i ardhur vetëm për pak ditë në zemër të Toskanës, kishte bërë atë që as fiorentinët e shumtë, klientë të asaj klinike, nuk kishin mundur dot. T’i jepnin kuptim valëve njerëzore. Jashtë dielli i butë i pasdites së Firences kishte një shkëlqim të paqtë dhe në supet e tij dhe në krahun e shembur po e njëjta rrymë vibrimi ia bëri më të lehtë ecjen.