Suplementi Pena Shqiptare/ Fatmir Terziu: Një trung, një sharrë, disa gozhdë dhe një sqepar

137
Sigal

U kollit. Pastaj uli sqeparin poshtë në atë vend ku qëndronin dërrasat. E hoqi lapsin nga veshi. Dhe qeshi. Nënqeshi më saktë me vete. Diçka struku tej thellë, në brendësi të trupit të tij. Por diçka u shfaq. U kap. Ajo që u shfaq dhe u kap ishte një lëvizje e lehtë e buzëve. U duk sikur u ndesh me kohën.

„Koha“ – tha sërrish. Kësaj here me një dihamë të thellë që të grish. Eh, koha… Koha nuk mund të ishte kaq pak një tik-tak mediokër, sa të mjaftonte të bëhej kjo kutizë e vogël (!) Një trung, një sharrë, disa gozhdë dhe një sqepar. Dhe ja e gjitha në një kohë të paparë. Kaq pak kohë për të mbyllur një kohë. Kaq pak kohë?!

Kaq pak kohë mjaftoi të shuhej gjithë ajo kohë. Dhe ajo pak kohë kaloi nëpër duar dhe këmbë. U bë pjesë e historisë. Koha vdiq! Një trung, një sharrë, disa gozhdë dhe një sqepar ishin pjesë të asaj kohe të zakonshme, por u përdorën për të mbyllur një kohë të jashtëzakonshme. Sepse e shihni, ata u përdorën për të mbyllur një kohë të pakohë.

Një trung, një sharrë, disa gozhdë dhe një sqepar u përdorën për të mos e lënë të gjallë, dhe për të rivrarë. Dhe në një çast, iu duk se nga kjo mbyllje e pafjalë, nuk doli asgjë e mbarë. Askush nuk mësoi dhe askush nuk mendoi që mes gabimeve të asaj kohe të paparë, të mësohej të mos gabonte një brez tjetër që të rritej i mbarë.

Një trung, një sharrë, disa gozhdë dhe një sqepar shtrënguan fort damarët e vdekur të asaj kohe për ta vrarë dhe nxorrën gjak. Gjaku doli nga brendësia e asaj kutize të vogël dhe toka u ri-infektua përsëri.

Dhe njeriu që kishte kaluar nëpër duar një trung, një sharrë, disa gozhdë dhe një sqepar për atë kutizë të vogël po i binte me grushta kokës.

„Ndoshta nuk do të kisha bërë atë që bëra.“

Por kur e pa se një trung, një sharrë, disa gozhdë dhe një sqepar kishin mbyllur kohën e pakohë, brofi në këmbë dhe bërtiti me forcë: Kushdo qofsh, ji mirënjohës për një trung, një sharrë, disa gozhdë dhe një sqepar që mbyllën kohën e paparë.