Suplementi Pena Shqiptare/ Eva Gjoni: Fragment…

775
Sigal

Po qëndronte shtrirë në shtrat, por gjumi nuk ishte me të atë natë. U ngrit dhe shkoi pranë dritares, binte një shi i imët dhe hëna ndriçonte mjaftueshëm. U ul dhe po shikonte të shoqen që po flinte me një dorë futur nën jastëk, e donte shumë, ajo ishte krijesa më e brishtë që kishte njohur, ishte person që nuk rrëmbehej kurrë dhe atë e donte pafundësisht, nuk kishte dyshuar se ai ndonjëherë mund të ishte tërhequr nga një femër tjetër. Por jeta është aq e çuditshme dhe rastësitë e saj të bëjnë aq konfuz, ti je i papërgatitur t’i përballosh apo t’i përjetosh, kjo është jeta!!!

Iu kujtua një histori e shumë viteve më parë … në Barcelonë…

Kishte shkuar për një udhëtim pune, një seminar tre ditor. Paraditja ishte e ngarkuar, ndërsa pasdite ishin të lirë, mendoi të shkonte nga plazhi, koha ishte e bukur, megjithëse ishin ditët e fundit të shtatorit.

U sistemua në plazhin më të afërt, donte vetëm të shtrihej në shezllon dhe të shijonte rezet e diellit që ishin të ngrohta dhe jo përvëluese. Pranë çadrës së tij, shezlloni afër ishte bosh, por nga çanta dhe peshqiri mendoi që aty duhej të ishte një femër, që ndoshta kishte shkuar për t’u larë. Nuk i interesonte asgjë, donte të mbyllte sytë dhe të flinte … i pëlqente ai gjumë që bënte nën rezet e diellit.

Po flinte kur ndjen që ca pika uji e lagën ne tërë shpinën, hap sytë dhe ashtu gjysmë zgjuar me shikim të turbullt shikon një vajzë të re, i ranë në sy dhëmbët e saj të bardhë, po buzëqeshte.

Më fal i tha … ju laga, ( ajo tundte flokët e saj të lagur nga deti, trupi i nxirë në bronz, një lëkurë që dukej aq e lëmuar, e butë me pikat e ujit vende vende, e trullosën fare)

I tha vetëm – Më zgjuat…

Ajo buzëqeshi përsëri, meqë u zgjuat, unë quhem Ana, dhe i zgjati dorën.

Ai u ngrit, preku dorën e saj – Greg, unë quhem Greg.

Ajo fliste një anglishte të pastër, por dukej që nuk ishte nga vendet anglishtfolëse.

Nga jeni e pyeti ai?

Unë jam Suedeze, kam ardhur për një konferencë, po ju?

-Unë jam Anglez, kam ardhur për një seminar pune.

-Në cilin hoteli po qëndroni?- I tha ajo

-Në Barcelona Tower

-Vërtet!!! Jemi në një hotel .. çudi!!!

Ajo ishte një vajzë me shumë temperament, fliste pa pushim për punën e saj, ishte e pasionuar në atë që bënte, kjo gjë i hante shumë kohë, të gjithë ditën e saj, nuk kishte lidhje të qëndrueshme, pasi gjithmonë puna behej pengese, ajo nuk i kushtohej dot lidhjes, e para për te ishte karriera, jam e re, thoshte, tani kam energji dhe mendja ime punon pa pushim për atë që bëj. E kam lënë veten time mbas dore, por puna që bëj më jep shumë kënaqësi, më bën të ndihem e rëndësishme, më bën të ndihem mirë. Por kam dhe unë momentet e mia që ndihem vetëm, dhe të tjerët nuk mund të presin këto momente që unë t’iu kushtohem. Jeta është e gjatë, do mendoj më vonë për këtë gjë.

Kjo ishte përgjithësisht çfarë iu kujtua nga biseda me Anën. Pastaj…

U kthyen bashkë në hotel ….

Në ashensor ishin vetëm të dy, ai ndjeu aromën e parfumit të saj që ishte i përzierë me avujt e trupit të nxehtë nga dielli, ndjeu një pështjellim, u mundua të kontrollonte veten. Ashensori ndaloi në katin e tij e përshëndeti, ajo mbajti derën.

Ku do darkosh sonte, po je i lirë në orën 7:30 më prit te holli…

Ai ishte i mpirë nuk e ndjente trupin, i tha një, ok që nuk iu duk si zëri i tij, dikush brenda tij ishte përgjigjur!!! …

Ndonjëherë i dukej sikur po mendonte për një të pa njohur, pastaj kuptonte që i kishte ndodhur atij dhe çdo gjë i shfaqej si një vegim. Po ja tregonte natës historinë ose në fshehtësi të shoqes që flinte. Kishte nevojë ta tregonte ose, ndoshta, donte ta kujtonte…

Vajta në dhomë dhe u ula në krevat, po mendoja, çfarë të bëj, të shkoj? Një darkë është, asgjë më shumë. Nguronte se ajo ishte aq e bukur dhe e lirshme, ajo ishte gjithë jetë e gatshme për çdo aventurë. Ndërsa unë isha i rezervuar nuk mund të ndihesha komod me njerëz që nuk i njihja, nuk isha i lirshëm, nuk mund të shtyhesha drejt aventurës.

Pastaj iu kujtua e shoqja, çdo bënte ajo në një situatë të tillë. Ajo nuk do tundohej nga asgjë, ajo nuk shikonte asgjë përveç atij, ishte e dashuruar verbërish me të. Ai gjithmonë i thoshte, duhet të më shikosh më realisht, nuk jam perëndi jam si ty, e ndoshta më i keq se ty,budallaqja ime e vogël, i thoshte me përkëdheli.

Bëri dush u vesh dhe po qëndronte përpara pasqyrës, i fliste vetes – Do shkoj, një darkë, një flirt i këndshëm, më tundon të shkoj, asgjë nuk do ndodhë, po kaloj dy, tre orë në shoqërinë e një femre magjike. Jeta të vendos në situata të tilla, të njohësh njerëz të ndryshëm. Nuk është mëkat të jesh i sjellshëm, të shkëmbesh mendime, të njohësh njerëz të rinj, me një botë të ndryshme nga e jotja. Eksperiencë asgjë më shumë, i tha vetes, normal nuk do ia thoshte të shoqes ketë, por asgjë që të lëndonte atë nuk po bënte.

Doli … e ndjente se po bënte diçka që e vinte në siklet, por e tërhiqte…

Ajo po e priste e ulur në kolltuk …ooo zot flokët e saj kishin marrë një shkëlqim të argjendtë, ishte e freskët. Kishte veshur një fustan të bardhë dhe ja nxirrte më në pah ngjyrën e lëkurës .

Iu afrova.

-Mirëmbrëma Ana, keni shumë këtu?

Jo, jo, sa u ula, ikim di unë një restorant të mirë dhe shkohet në këmbë. Orët kaluan pa u ndjerë ajo ishte femër magjike, si ka mundësi që nuk e vlerësonte këtë gjë te vetja!!! I dukej sikur ishte në një ëndërr.

Po ecnim përkrah njeri tjetrit. Ana, i thashë duhet të kuptosh botën brenda vetes, ti ke aq shumë jetë brenda teje dhe nuk njeh aspak atë jetën jashtë, përse po e ndrydh, shpirti yt është kaq i bukur, nuk di si te bindet që e le ashtu mënjanë dhe merresh me punë. Ajo ndaloi dhe u kthye nga ai.

-Për të qetësuar shpirtin lexoj dhe dëgjoj muzike,- më tha, aty në atë botë fluturoj por kthehem shpejt në tokë, se më kalojnë si shigjeta mendime të projekteve që jam duke bërë. Gjatë darkës kuptova që ishte dhe njeri me shumë humor, çdo gjë ishte aq bukur. Koha kaloi shpejt, do doja të qëndroja gjithë natën nën shoqërinë e saj.

U kthyem në hotel dhe përsëri ishim vetëm në ashensor, ajo më qëndroi pranë, po më shikonte në sy.

-Çfarë ngjyrë të bukur i ke- më tha, një jeshile e thellë, njerëzit me sy jeshil janë njerëz me shpirt të pastër. U afrua dhe më shumë dhe unë ndieja frymëmarrjen e saj. U përkula dhe preka lehtë buzët e saj, m’u prenë gjunjët, u largova se në atë moment nuk e kisha më veten nën kontroll. Ashensori ndaloi te kati im, por unë nuk lëviza, ajo shtypi butonin për në katin e saj, qëndronim shumë pranë, për pak çaste Ana mbështeti kokën në supin tim. E mbështolla me krahët rreth belit dhe kësaj here e putha vërtet, kishte pasion, e ndjeva atë puthje … sa m’u mor fryma .

Ashensori qëndroi në katin e Anës, ajo doli dhe po priste t’i shkoja pranë, por unë kisha ngrirë nuk mund të lëvizja, e dija që po të shkoja, ndoshta do kaloja natën më të zjarrtë të jetës sime, por a do mundesha ta bëja, do mpihesha, do kontraktohesha dhe nga emocioni i tepërt do qëndroja i kontraktuar si pa jetë, më mirë-jo,-jo i thashë vetes.

-Ana më mirë jo, nuk mundem -, je e mrekullueshme, ndoshta kjo më pengon, nuk dua të kem si një mendim që të më rëndojë gjithë jetën, natën e mirë, e mira Anë!

Nuk shkoi dhe asnjëherë nuk e kuptoi, se nuk shkoi për veten apo për të shoqen, kishte frikë se e bëri për veten e tij, kishte frikë të hynte në atë magji që afronte ajo grua, nuk donte ta njihte atë ndjenjë që do provonte atje, do e kërkonte gjithë jetën, por a ishte ajo jeta që ai donte?! Jo, aspak, jeta e tij ishte shumë më plot, shumë më intime edhe ai ndihej i lumtur brenda jetës që e rrethonte. Sot iu kujtua, s’e di përse, por kishte pasur raste që e kishte parë dhe në ëndërr, ishte zgjuar me ankth, mendonte se ndoshta duhej të shkonte me Anën në dhomën e saj, mbase nuk do i mbetej si një peng, por çfarë do ndodhte më vonë, nuk ishte i sigurt për këtë. Mbase ky ishte ai çasti që të vjen një herë, por ai e la të shkojë, nuk e preku dhe ndoshta kështu duhej, fati i tij ishte ndryshe, por … s’e dinte …. u afrua pranë krevatit duke zgjatur dorën, pranë kishte atë, gruan e tij të mrekullueshme.