Nën mjegullën e turbullt kundron Dhjetori,
me drita, që ndizen e fiken në shpirtin tim…
Vorbull kujtimesh me vrull hapat i mori,
lotët e qiellit formuan kristale pambarim.
Përtej kornizave të heshtura mbi mur,
me ngjyra flasin kujtimet e tua…
Përherë kjo dhomë do të marrë nur,
petk nostalgjie mban veshur mbi mua.
Me globa të blunjtë rrethuar gjithë shtëpia;
dhe qielli gri papritur kthjellohet…
Një bredh i bardhë zbukuruar nga dashuria,
kur gjithë familja sëbashku takohet.
Prej argjendi rrugët janë kthyer,
këpucët me argjend lyer kushedi.
Pas në kohë të kthen muaj i vyer,
i ftohti i hidhur jep dhe bukuri…






















