Suplementi Pena Shqiptare/ Elona Agolli: Dialog me Fishtën dhe Mjedën

500
Sigal

Nga Elona Agolli

Dialog mbi Mjedën dhe Fishtën :

Moikom Zeqo : Përmendët Mjedën. Të tjerë do të lartësonin më shumë Fishtën.
Dritëro Agolli : Mjeda është më poet se Fishta. Është më i kultivuar, më profesional, më fin, më interesant.
Zeqo: Me poemat si mozaik sonetesh për qytetet antike, Mjeda bën një eksperiment të çuditshëm: një tendencë për një mikroepos iliro-arbër. Këtë s’e ka bërë kush deri më sot veç Mjedës. Në këto poema kemi dhe një rikonstruksion të mitologjisë ilire.
Agolli: Fishta është një poet që duhet njohur patjetër. Ka për fat të keq shumë folklorizēm, shumë vargëzime e rima foljore, citime të këngëve popullore. Mjeda është i një dimensioni tjetër. Por gjithmonë është shfaqur në historinë e letrave shqipe më modest, më i heshtur, pa kurrfarë buje e sensacione eseistike. Mjeda është më i sigurtë në modestinë e tij, sesa Fishta në rikrijimin e një kulti të ri.
Zeqo: Çudi ! Në të gjitha kohërat dhe regjimet politike Mjeda sikur është lënë mënjanë, pak si në heshtje. Më saktë, nuk është ngritur në atë lartësi që i përket.
Agolli : Kjo është e vërtetë. Po vlerësimi i një poeti si Mjeda kërkon në vetvete nga ata që e vlerësojnë më tepër kulturë  dhe koncept  estetik më të specializuar.