Suplementi Pena Shqiptare/ Duke lexuar librin e autorit Bashkim Hoxha “Një ditë si Skënderbeu”

890
Sigal

Nuk më ndodh shpesh, që të lexoj brenda një nate një libër, që ai të më rrëmbejë dhe të më duket se personazhi kryesor jam unë, je ti, jemi ne.  Sapo lexova pak rreshta, ai më përpiu dhe u gjenda i mrekulluar në këtë libër të shkurtër në faqe e të mëdha  në emocione, ide, kënaqësi. E lexoja dhe në çdo moment isha vet si personazh, jetoja jetën time, jetën tonë me të gjitha aspektet e saj. Autori me detaje të vogla, me përjetime reale, me një  retrospektivë të mirëgjetur e mirëshkruar  të bënte një aktor real në Shqipërinë ku jemi, në Shqipërinë që duam dhe nuk e duam. Madhështia e thjeshtësia e shkruar, gjuha e përdorur shqipe, e pastër, plot emocion, fjalia dhe stili më kthyen të guxoj e të shkruaj pak gjëra që sjell libri “Një ditë si Skënderbeu”. Realiteti dhe fillimi i shkruar me një detal interesant për pirjen e kafesë, dihet që kafeja është një institucion i rëndësishëm në historinë e jetën shqiptare. Aq më shumë në ditët  e sotme, dhe është një gjetje e goditur nisja e librit “Një ditë si Skënderbeu” me atë.  Kafja e mëngjesit, kafja e fejesës, kafja në mort, kafja, kafja por në ditë e sotme kafja është simbol i korrupsionit apo i nisjes së një bisede apo drekë a darkë pune,apo si peshqesh për nderet e bëra. Por nëse deri dje ishte si një Whats ap modern edhe i thashethemeve, sot vazhdon edhe si kohë e vrarë kot, me biseda pafund apo kafe internet, ku rrimë në tavolina me orë me sytë tek celulari. Dhe kjo ndodh në shoqërinë tonë e shtrirë horizontalisht, vertikalisht duke prekur çdo qelizë të saj.  Jetojmë në një shoqëri  ku të gjithë pothuaj jemi kushërinj të parë dhe asgjë nuk bëhet pa kafe dhe pa miq dhe ky është një problem i madh i ndërtimit të shtetit shqiptar, që fillin si padashur me atë kafenë e cila më vonë na robton shpirtin dhe…  Që në faqet e para  kjo kafe ndërthuret me  një mesazh të qartë filozofik që mban ky libër, për të na bërë gati për një  lexim ekstravagant të një pasqyre  plot shkëlqim të Shqipërisë që nuk  duam:

“Jo se e desha Çezarin më pak, por se e desha Romën më tepër.

A do të donit më mirë të rronte Çezari dhe të vdisnit si robër që të gjithë,

sesa të vdiste Çezari dhe të rronit të gjithë të lirë?…”

Në pak faqe, në pak rreshta autori me mjeshtëri pasqyron e sjell tablonë e Shqipërisë ku jemi, ku jetojmë, ku punojmë, e Shqipërisë në filxhan të kafesë, e cila është bërë fat e rregull, por,  në një rresht të vetëm kupton gjendjen reale të showt, ekranit, komedisë, dhe invadimin e skenës  nga humori dhe shfaqjet vetëm me seks, tradhti, fjalor banal, duke ju larguar klasikes, së bukurës, e një shikuesi e lexuesi  që kërkon  të kaloj kohën mes kësaj  skene që po përjeton  luftën e ekranit tallava e  plot banalitete me veprën reale e plot art e letërsi që frymëzon, emocionon, përjeton, zbukuron, pasuron, vetëdijeson e bekon rolin madhor që mbart në vetvete  fjala dhe arti, edukimin e argëtimin modern. Me pak fjali e faqe me një rresht e një telefonatë: Takim në Kryeministri! Dhe njëherazi autori na fut, jo vetëm në funksionimin vertikal të shoqërisë dhe administratës, por na ëmbëlson atë pikë që kemi nevojë të gjithë, mungesën e shumtë të liderëve, miteve, lavdinë kombëtare dhe ku mund të gjesh një mit si SKËNDERBEU, për të festuar, për të prekur e rrekur ngacmimin e vetëdijes sonë  për të thënë  me zë të lartë: Oh sa mirë me kenë Shqiptar! Dhe për këta mite ka nevojë, Fatimja, sanitarja e teatrit, përfaqësuese e vegjëlisë shqiptare dhe pastaj për të kaluar deri lart, në majat e larta të artit, sportit, politikës, administratës shtetërore. Dhe : “Hajt, gëzuar.”“Gëzuar. Paç fat! Paç fat, Skënderbe!’ ”  një gjetje e bukur e plot emocion për fatin tonë të përbashkët, për fatin tonë për të bërë botën të zilepset nga madhështia e  madhështisë e shqiptarëve në Ballkan e më tej, shpesh ky fat kthehet në komedi nga një komb ku të gjithë jemi kushërinj të dytë, arsye e mjaftueshme kjo do të thoshte autori, që ky vend kurrë mos të bëj dot shtet dhe fat edhe i Skënderbeut do ngelet i tradhtuar jo nga hamzanjtë, por nga pangimja e njerëzve për pushtet e para të përfituara në emër të popullit, apo nga artileria e rëndë e fjalës që lëkund  shoqërinë shqiptare nëpër mjet fjalës e agjitacionit tallava.  Sepse sot: “Mirë e ka Fatmira. Kohët e fundit heronjtë e rëndë, burrat, janë rralluar, gati-gati mungojnë. Mungojnë dialogët tronditës dhe, edhe kur ndodh që të jenë, spektatori i pret me qesëndi, ndërsa kritika ka shpikur një fjalë dërmuese: Patetizëm…” Shkruan autori. Të ndodhur në këtë realitet të rremë e të trishtë, shkrimtari  ulurit, e sensibilizon gjithkënd që ka sy e vesh se: Po iki! Po ikën! Po ikni! Po Ikim!  Po, po ikim të gjithë turravrap drejt kërkimit të një botë tjetër, me vrap e me dhimbje, larg këtij vendi që nuk bëhet, që nuk e lenë të bëhet pa e vjedhur, vrarë, shkatërruar, dhe në mungesë të një grushti për ti rënë në ballë apo me shpate të praruar skënderbej-ane për të çarë në mes këtë mal që nuk bëzan, dhe po na mbyt të gjithëve. Por,dakord të ikim! Por Ku? Përse? Sa do ngelemi???  Ikja është bëre lehtë, sepse tashmë këtu dhe fjala mik është sot është iluzion, ai është kthyer në realitet në armik, miqësia është kthyer në pabesi, e përdorur si të duash si Arturo Ui, si diktatori Hoxha, apo edhe sot si iluzion i një gjelle  të ngrohur në mikrovalë, ku shija e saj nuk ka lidhje me të vërtetën, kështu pra edhe  miqësia, miku, po shkon drejt mashtrimit, monotonisë, korrupsionit, e piramidës se ne këta jemi, ky vend nuk bëhet, a për të goditur demokracinë, që ja deshët demokraci, merreni, gëzojeni ajo nuk ka vlerë. E në këtë rrumpallë skënderbej-të e rinj, udhëheqësit tanë  të rritur sa në diktaturë, sa dhe në tranzicion, të mësuar të flasin ndryshe dhe jo atë që mendojnë, a thua se janë si Skënderbeu i rrëmbyer e rritur mes armiqve, duke bërë sikur i donte, e përbetohej për besnikëri ndaj tyre, edhe këta sot duke i hipur kalit popull korrin lavdinë, marrin grada, dekorime, troje, male, fusha, prona, marrin dhe detin e privatizojnë madje, duke u përbetuar se ata janë shpëtimi ynë, vuajnë për ne, luftojnë për popullin, rrinë pa gjumë për atë, sakrifikojnë gjumë e familje thjeshtë për popullin kalë, që nuk i zbresin 24 orë, dhe këtë Bashkimi e thotë me qetësi, maturi, me pak fjalë e shumë e shumë emocion. Duke lexuar libri  do më duheshin gazeta të tëra të jepje mendime modeste, sepse është i gjithë një filozofi realiste, është plot mesazhe e vërtetësi që  të bëjnë një kalorës syhapur, e aspak një kalë të Skënderbej-ëve të rinj, këta  të rinjtë udhëheqës e disa me pamje  e fizikut të brishtë a thua të depiluar a homoseksualë, nuk kanë lidhje me heronjtë udhëheqës të popullit kalë për të punuar por edhe për të mbajtur  Skënderbej-të, që askush nuk do ti pranonte për heronjtë këta  të zbehtë nga zullumet, sherret, vjedhjet, korrupsioni e frika e së nesërmes  që mund të gjykohen nga… Ne nuk i duam këta heronj kopje të shëmtuar të Skënderbeut, ne duam heronjtë shtatlartë e muskulorë, të sigurt e të vendosur, por ku ti gjemë, fati na ka sjellë të durojmë këta. Por, ne  po nginjemi  e kjo pakënaqësi po mbarset e gati për të plasur. Shoqëria po gatitet për të lebetitur këta heronj prej letre që na kanë helmuar çdo qelizë jete e shprese, duket sikur bërtet e thërret Bashkimi edhe për Skënderbeun e letrave. E gjithë kjo realizohet brenda një dite, brenda një periudhe prej 8 orësh, brenda një dhomë e një institucioni, që na fakt ajo zyrë është Shqipëria reale, ajo skenë është Shqipëria që jetojmë e provokohemi çdo sekondë, orë, muaj, vite e gjithë jetën, e përshkruar me aq mjeshtëri nga autori, me një gjuhë të thjeshtë, me fjali e dialogë të shkurtër, me një gjuhë të pastër, që të rrëmben e rrjedh si ujët e Valbonës e kulluar, që të ta shumëfishon etjen për lexime. Në atë dhomë të vogël e një ditë të zakonshme,  Bashkimi gjen detaje për të dhënë mesazhe të mëdha, plot dritë dhe besim, ide dhe kërkesë për ndryshim. Mjafton të lexosh rreshtat kur shkruan për dashurinë, femrat dhe gruan që ka dashur, dhe menjëherë vetëdijetësohesh, tund kokën për të besuar që nuk je në ëndërr për të thënë: Kjo shoqëri, ky sistem dhe me Skënderbeun ka gërryer e dërrmuar, shëmtuar e shkatërruar edhe dashurinë, njërën nga gjërat më të bekuara që ka krijuar zoti, e këtë gjë e ka prurë me mjeshtëri Bashkimi nëpërmjet atij udhëtimi në Romë të  personazhit Skënderbe vetëm një ditë, në fakt i katandisur kështu apo shprehur kaq mjeshtërisht: “… Kam pasur aq shumë fytyra sa nuk e di cila është fytyra ime e vërtetë….”  Rreshta që të bëjnë të përjetosh një realitet plot dhimbje, por ja që edhe kështu mund të jemi falë skënderbej-ëve të përditshëm që kemi lart, poshtë, anash… Dhe kjo na bën të gjithëve që një gjë është e vërtetë “… jetën time e kam ndrydhur brenda vetes me heshtje, ndërsa jetën e të tjerëve e kam jetuar me brohoritje…” Alegoria, sarkazma, dhimbja, epizmi, urrejtja dhe dashuria  të prekura me aq dëlirësi nga autori të fusin në një imagjinatë ndjellëse të paparë, ndeshesh me ndjenja të pafundme, por sinqerisht këto perla të prarua të sajdisura me një stil real, shpesh janë  mbështetur e ngërthyer edhe  tek trashëgimia jonë e pasur kulturore, mjafton të lexosh këto vargje të ofruara nga Bashkimi për të kuptuar ndryshe  botën ku jetojmë dhe ëndrrat e ngelura në sirtar apo bollëku vetëm për skënderbej-të e sotëm:

Oh, medet, veshur petë petë,

ëmbëlsi e rrallë, zhytur në sherbet,

po nuk e shijova,lërmëni të vdes,

po s’mund ta prek dot,oh, medet,

është për të tjerë,i gjithë ky sherbet…

Natyrisht, me gjetje fare të thjeshta Skënderbeu vetëm një ditë, në mes të ditës flet dhe sjell shembullin se një shoqëri e cila ndodhet në tranzicion të tejzagjatur, nuk ka si mos të prek dhe familjen, qelizën shoqërore e mbarsur sa me plagën e varfërisë ekonomike, divorceve, mungesë juridike rregullash e mirësjelljes, fëmijët e braktisur, rrogat e ulëta dhe të keqdhëna ndaj  punonjësve në sistemin publik e privat, por dhe një mentalitet të ri në sjelljen e çifteve të divorcuara  tashmë që edhe bashkëpunojnë për  të mirërritur fëmijët, e plagë të tjera të dhunës në familje, barazisë gjinore. të gjitha këto janë dhënë në pak faqe,  por në kulm të ditës, Në orën 12 pa 10 minuta. Dhe Skënderbeu një ditë të vetme, nuk mund ti shpëtoj as gjendja reale e institucioneve artistike, në pikë të hallit, me kushte mjerane pune, me foni mjerane, pa ngrohje, pa dhoma e gardërobë të mbytur nga lagështia, me një skenë të vjetruar e plot zhurmë, si për të treguar edhe vizonin qeveritar për artin skenik, për teatrin dhe artistët. Me pak rreshta dhe shumë problematikë reale.

Ne artistët e njohur nuk kemi jetë private.  E vazhdon e vazhdon me përballje Skënderbeu me malin e vështirësive dhe intrigave në këtë vend me emrin e bukur, Shqipëri. E kështu vazhdon dita në mes miqsh-armiqsh, të pangopur, tradhtarë, lajkatarë, servilë, thashethemexhinjsh, digjitalë, e trima e frikacak, të gjithë kundër të gjithëve, a thua se, ne nuk jemi fajtorë për këta faktorë jetënxirës që edhe Skënderbe të jesh nuk e përballon dot. Do të  doja t’i bija gjatë, por “Një ditë si Skënderbeu”  i z. Bashkim  Hoxha është një libër që  duhet lexuar, ai të zbukuron e lehtëson shpirtin dhe i jep vlerë bibliotekës tuaj i shkruar për të gjithë.

Prof. As. Dr Xhevdet Zekaj: