Këto vajza mbrëmjen me hënën e shtuan,
teksa presin yjet një nga një mbi flokë.
Bisedat e zëna si mbyllin se duan
T’i mbyllin me djemtë,t’i mbyllin tok.
Zërin e tyre përhapin horizontet,
në këtë mbrëmje me zëra përshpëritës.
Secila do që të mbetet tingull i një note,
dhe asnjë borxh të mos i ketë ditës.
Ato sjellin aromën e një fushe të mbjellë,
dhe për veten e tyre asnjera s’kujdeset.
Luten që në shpirt vazhdim i një ëndrre të jenë,
të kthjellta, të bukura si mëngjeset.
S’u ngopa me gjumë
S’u ngopa kurrë me gjumë,
nën kokë vija një laps e një letër.
Nëse në vetën e parë dje isha unë,
me ju sot bëhemi shumë, shumë më tepër.
S’u ngopa kurrë me gjumë në jetë,
zgjimin e bëja buzë një transheje.
Pushka në sup më cekte te retë,
fytyrën e fshija me një cep reje.
Në jetë s’u ngopa kurrë me gjumë,
pranë një transheje diçka nga vetja lash,
apo atje tek një arë me grurë,
për të fjetur me hënën rash.
Kjo mbrëmje
Kjo mbrëmje sot, sepse më trëmb,
tek shoh një zog që dikë prêt!
Që t’i bëj sherr s’e kam ndërmënd,
dhe po të hesht se kam të lehtë.
Herë mbrëmja bie drejtë tek unë,
herë vjen si gjë pa mbrojtje.
Ajo që desha sonte aq shumë,
ndoshta qe fshehur tek një ndrojtje.