Suplementi Pena Shqiptare/ Bardhyl Agasi: Poezia e Petraq Ristos, një nga majat e poezisë shqipe

134
Sigal

Emri i Petraq Ristos është i njohur për lexuesit shqiptarë si poet dhe si shkrimtar, autor i 18 vëllimeve poetike, i tre romaneve, i librave me tregime, i mjaft skenareve dhe i libreteve për fëmije. Ai është bërë i dashur edhe si botues i GLOBUS R i librave të autorëve të ndryshëm, jo vetëm të letërsisë sonë, por dhe asaj të huaj, klasike apo kontemporane. Në përgjithësi vepra letrare e Ristos ka tërhequr vëmendjen jo thjeshtë nga sasia, por nga niveli cilësor i saj, ku talenti i tij u shfaq më së shumti si poet. Poezia e tij është bërë objekt shkrimesh e diskutimesh në qarqet tona letrare dhe artistike. Me analizën e saj janë marrë kritikë, shkrimtarë dhe poetë të shumtë duke evidentuar dhe zbuluar mjaft vlera dhe arritje të saj, si Razi Brahimi, A.Uçi, apo poetë të tillë si M.Zeqo, K.Petriti, Z.Çela, L.Rama, V.Hyzoti, apo studiues si V.Ziko, N.Lushaj, N.Xhelili etj. Madje poeti ynë i njohur Xh.Spahiu ka treguar një vlerësim maksimal duke u shprehur se.”..poezia e Petraq Ristos e lëvizi poezinë shqipe nga pika e vdekjes”. Tanimë poeti Risto prej disa vitesh jeton bashkë me familjen e tij në Ney Jersej në Sh,B. të Amerikës. Njohja me letërsinë e re amerikane, kontaktet me autorë të njohur të atjeshëm, ndikuan në rritjen e frymëzimit të tij poetik, të imagjinatës së tij krijuese dhe falë një vullneti të diktuar nga talenti i tij gjithnjë në ngjitje ai arriti të botojë njëri pas tjetrit gjashtë vëllime poetike, dhe kohët e fundit botoi atë me titull ” I-MAGJI-NATA LOTUS.

Ndodh që jeta, fati të na njohë dhe me njerëz të shquar, madje edhe të jesh me ata edhe mik, një shok, një bashkëqytetar, një bashkëudhëtar. I tillë isha dhe mbetëm dhe me dy nga poetët tanë më të mirë, më të madhin dhe të paharruarin Moikom Zeqo dhe të talentuarin Petraq Risto, bashkëqytetarë nga Durrësi, shokë të pandarë që nga fëmijëria dhe që na lidhi edhe më shumë poezia. Sinqerisht pasi mbarova së lexuari librin e fundit poetik të Petraqit e ndjeva vehten krenar për miqësinë tonë të ngushtë , sidomos për arritjet e tij në letërsinë tonë. Ndërmora këtë shkrim për librin e tij të ri, jo thjeshtë nga miqësia jonë, por për të tërhequr sado pak vëmëndjen e lexuesit, që të njohë më mirë këtë pasuri poetike që sjell ai. Shprehem me bindjen se Petraq Risto rradhitet ndër poetët tanë më të mirë aktualë. Poezia e tij është krejt e veçantë, tepër origjinale, në përmbajtjen tematike dhe në formë, në strukturën e saj. Tematika e poezisë së tij është e gjithanshme, universale, që trajton që nga ngjarjet e thjeshta të ditës deri tek ato ndërkombëtare nga më të rëndësishmet dhe që i përkasin gjithë njerëzimit. Poezia e tij krahas thirrjes për paqe tingëllon dhe si një kushtrim për luftë ndaj së keqes, shtypjes, shfrytëzimit, armatimit bërthamor, ndërtimit të një bote pa luftra, me “përmbysje historish dhe sistemesh të vjetra”. Poezia e tij kalon në përgjithësime shoqërore përmes një tematike që nuk njeh kufij. Në të ndjehet të jetuarit e poetit me problemet dhe shqetësimet e kohës, me dukuri që ndjehen dhe ndeshen kudo, për më shumë në vendin e tij. si korrupsioni, krimi i organizuar, trafiku i drogës dhe i qënieve njerëzore, plagë që dhembin akoma në periudhën e gjatë të tranzicionit. Emigracioni, ikja gati masive e të rinjve e mbush poetin me dëshpërim. Ai ndjehet i zhgënjyer për gjithçka që ndodh. “Jam në pikën më të lartë të zhgënjimit”,- shprehet ai. Dhe zhgënjimi i tij nuk është vetëm ndaj dukurive negative që ende shfaqen në Shqipëri, por ai merr përmasa edhe me të mëdha ndaj asaj që ndodh në botën tonë në fillim të këtij shekulli, ku planeti ynë kërcënohet nga ndryshimi i klimës, nga konfliktet rajonale dhe globale deri në luftra të përgjakshme, si ajo në Ukrainë, në mes të Europës. Ai i kushton një poemë dramatike, titulluar ” Nata e fluturave, kafka vdekjeje” ku ngjarjet zhvillohen në qytetin, port të Mariapolit.

“Të vrarët e ditës s’i çojnë dot në varreza. Varret i hapin shpejt në oborr…”

Poeti ngrihet i revoltuar kundër çdo lufte që plagos paqen në botë, qoftë dhe ndaj atyre rajonale, apo vendore, që u duhet dhënë fund njëherë e përgjithmonë, duke mos mbetur në armëpushime që nuk të çojnë në asnjë zgjidhje, veçse janë spekullime dhe demagogji.

“…Armë pushimi është gënjeshtër e plagosur, lutje para pushkëve, kthyer në kryqe…”

Me nota satire dhe ironie ai ndalet dhe në ngjarjet në lindjen e mesme, kryesisht në konfliktin e gjatë dhe të pazgjidhur izraelit o palestinezë.

“…”   A mundet rripin e Gazës Ta përdorim si rrip për orën e dorës, pa pranga natyrisht,,”.

Poeti e ndjen vehten qytetar të botës. Ai pozicionohet në rradhët e artistëve që ngrenë zërin në mbrojtje të demokracisë, të të drejtave të njeriut në çdo vend, kundër sistemeve dhe qëndrimeve diktatoriale, autoritariste. Poeti guxon që për ekzistencën e tyre të ngarkojë me përgjegjësi dhe vetë popujt. që duhet të përdorin me mënçuri të drejtën e tyre të votës dhe të mos manipulohen apo të mashtrohen nga propaganda e partive nëpër fushata zgjedhore, duke vuajtur pastaj pasojat e gabimeve të tyre.

I japim gabimit pushtet, qëllon që habitemi kur gabimin e shohim mbret..”

Poezia është gjinia ku shfaqet më hapur individualiteti i krijuesit, uni poetik, personaliteti dhe karakteri përmes qëndrimit të drejpërdrejt, shpirtit shpërthyes, nervit poetik. Duke lexuar poezitë dhe poemat edhe në këtë vëllim të fundit të Ristos, ky individualitet shfaqet i plotë që arrihet të dallohet vetëm tek poetët, poezia e të cilëve tingëllon fuqishëm, falë një cilësie të lartë artistike. Në përgjithësi natyra e poetit është opozitare. Dhe në poezitë e këtij vëllimi shihet qëndrimi i papajtueshëm ndaj çdo realiteti të hidhur kudo që ai shfaqet.

Risto është  i vetëdijshëm për çdo qëndrim të tij, ai e shikon rolin e tij në shoqëri si të një profeti, që ka për mision ndriçimin e mendjeve dhe të zemrave të njerëzve, mbajtjen ndezur të zjarrit të lirisë, që lufton kundër të keqes në të gjitha format e prezencës së saj dhe si një dukuri shoqërore që i kundërvihet lirisë, demokracisë, drejtësisë, progresit.. Dhe këtë qëndrim të tij ai e shpreh hapur dhe pa ekuivoke.

“…S‘i duan profetët në vendin tuaj, atje profetët duhen veç të huaj.

Më mirë thjesht, poet vetëm shkruaj. Mbaj zjarret ndezur, mos I shuaj në furrën e jetës, bukë dritë gatuaj..”.

Në vëllimin ” I-MAGJI.-NATA…LOTUS “, vend të dukshëm zënë poezitë lirike, veçanërisht ato ku i këndohet dashurisë. Në poezitë erotike shkëlqen një ndjenjë e thellë, e bukur, gazmore, me një figuracion, që i buron dhe merr ngjyrim nga poezia jonë e traditës, nga kënga jonë e bukur popullore. Këto poezi janë plot ngrohtësi, ritëm, dritë, optimizëm, me humor të këndshëm.

“…Ti më saze buzësh, unë më harmonikë,

Eja të më puthësh, puthja bën muzikë..”.

Poeti Risto shprehet se poezitë që i këndojnë dashurisë nuk mund të shkruhen pa ndjenjë, se ndryshe ato janë të ftohta si të jenë në morg. Nuk ngjallin emocione. Ato duhet të burojnë nga shpirti, me ndjenjë të vërtetë, të pastër, realiste. Poeti tërheq vëmëndjen për të mos u pajtuar kurrsesi me shfaqje që e shëmtojnë këtë ndjenjë sublime, apo që ndikojnë për një degjenerim moral, të shthurrjes morale, sidomos tek të rinjtë, që për fat të keq.po shihet një shtim i rasteve, që i kundërvihen moralit tonë të shëndoshë, në emër të liberalizmit pa limit të shoqërisë demokratike.

“…Tashmë prostitutat nuk hiqen virgjëresha

madje virgjëreshat na vihen në lojë.

Tashmë është kohë tjetër, portë pa mentesha,

mure pa bojë.”- shprehet ai me nota ironie

Lirizmi përshkon poezinë e Ristos, duke ruajtur një ritëm muzikor, që mund ta ndjesh dhe ta shijosh më mirë nëqoftëse e lexon me zë atë duke e dhënë tingëllimin e një poezie recitative, Këtë veçori të saj e ka shprehur dhe vetë poeti, tek e ka shndërruar në një metodi të recituarit e vargjeve të tij, madje para pasqyrës, me një interpretim aktorial. Poeti përdor suksesshëmvargun e lirë, vargun e gjatë, të shtrirë, të thyer dhe tek e lexon me zë ndjen rrjedhshmërinë e lirshme, ritmike. Poezisë i japin muzikalitet dhe përdorimi shpesh i reminishencave, i përsëritjes së fjalëve, të vargjeve, madje jo rrallë dhe e strofave të plota. Krijimi i neologjizmave, pasurimi i fjalorit të tij poetik dhe dy kuptimësi alegorike kthehen në një tendencë, që duket jo vetëm në këtë vëllim, por pothuaj në të gjithë librat e tij, madje deri në titujt e tyre. Lloje të ndryshme frutash ku shkëlqejnë figura të shumta dhe ku vezullon me shndritshëm metafora. Atë e shijon brënda fjalës, brënda vargut, dhe shpesh e gjithë poezia është metaforë. Petraq  Risto është nga poetet tanë që lëvrojnë gjerësisht dhe sukseseshëm këtë figurë artistike. Shumë prej tyre të rrënjosen në mendje ngaqë je mrekulluar gjatë leximit. E pamundur të rreshtosh një pjesë të madhe të tyre, por të tilla si “..Mbi një pikëz vesë dritës i shket këmba.”,”Hëna për inat diçka luan me hijet, në skenën e dritares, prapa perdeve.”, “.Nga mëngë resh bien shira..” “.Luleshtrydhet e plagëve në pyllin e luftës.,.”… kujtimet prushërojnë në mangallin e kafkës”,”Nga baroti na u nxinë pëllumbat..” etj etj, apo poezi e gjitha metaforë si psh poezitë ” Afsh “, “Papa,s Pilar “,”Kur ti kërceje”, ” I burgosur nën lëkurën time.”, ” Ky mëngjes i veshur me smoking dritë .” etj.

Vëllimi poetik ” I-.MAGJI-.NATA…LOTUS > shënon një arritje të re të poezisë së Petraq Ristos, duke e ngjitur atë në majat e poezisë më të mirë shqipe dhe pse jo dhe të asaj bashkëkohore. Ajo po kapërcen dhe kufijtë kontinentalë, duke u botuar dhe në Amerikë, Francë, Spanjë,Rumani, Angli etj. Me universin e tij poetik Petraq Risto rradhitet ndër poetët më të mirë universalë me zërin kumbues të shqipes.

 

BARDHYL AGASI