Suplementi Pena Shqiptare/ Arsinoi Zengo Kallço: Mendime të një dite me shi

937
Sigal

“U nisa të vij tek ti, Por më zu një veskë shi…”

Kjo këngë më këndohet sot ndërsa shoh në dritare shiun që bie. Në fakt prej disa ditësh është kohë me shi. Dhe besoj se jeni dakort me mua po të them se shiu ndikon në gjendjen tonë shpitërore në mënyra të ndryshme. Kjo edhe në varësi të tipave psikolgjikë, sikurse thonë psikologët.

Tek unë, shiu sot më zgjoi një dëshirë të bukur, të flas për Dardhën, për Dashurinë dhe Korçën. Kam fatin dhe nderin të jem pasardhëse e Motrave Piktore Zengo, të cilat janë dhe prezantueset më të shquara të familjes sonë. Kam lindur në Dardhën e bukur dhe plot shëndet, ku tradita dhe kultura, janë ruajtur dhe zhvilluar nga Kisha dhe nga Shkolla e cila është kontribut i pastër i ‘Shoqërisë Dardhare’ në Amerikë. Ne kemi tre kisha në Dardhë të cilat kanë shërbyer si vatra të emancipit dhe përparimit. Dhe s’ka dyshim që vendin kryesor e ka emancipimi i gruas, si zonjë në shtëpi dhe në shoqëri. Falë këtij zhvillimi kulturor do të shkëlqente ylli i Motrave Piktore të cilat në vitet ‘30 do të meritonin vlerësim kombëtar, duke përmendur vlerësimin e lartë që poeti i madh Lasgush Poradeci do të shprehte për piktoret tona. Nuk e teproj po të them se në vitet ‘30 shihje një konkurencë kulturore me disa zona orthodokse në Korçë si, prsh, Boboshticën, e cila ishte e përmendur për organizime kulturore me raste festive ku spikaste roli grave në këto festime. Nuk ka dyshim, se ata që emigruan në Amerikë, sollën shumë në Dardhë. Sollën mënyrën e jetesës, modelin e sjelljes, kulturën e komunikimit, konceptin për jetën. Sigurisht që nuk do harrojmë modelin e veshjes deri tek makinat ‚Ford‘, të cilat ishin një element shumë i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit. Dua të shtoj këtu edhe faktin që në vitet ‚30, Dardha kishte zyrë të promovimit të turizmit në Korçë dhe në Tiranë . Dhe jam e lumtur kur shoh sot, që turizmi në Dardhë jo vetëm është shtuar, por edhe ka marrë formë elitare. Gjithkush që shkon atje ka dëshirë të kthehet përsëri.

Këto po mendoja ndërsa shiu rigon në xhamat e dritares time. Dhe natyrshëm mendoj për veten, atë vajzën dardhare që Dritëroi i madh e ka quajtur ‘Sorkadhja Dardhare’. Nuk e fsheh që ndonjë herë më duket sikur poeti e ka shkruar për mua atë poezi. Atë që perëndia më fali, shtati i lartë, apo sërmaja e lëkurës, kollona e qafës apo e verdha e flokëve, e kanë si kryefjalë Syrin e Kristaltë ku ngjyrat vallëzojnë dashurinë që perëndia pati kur më krijoi. Atë dashuri që më fali edhe mua në shpirt. Atë dashuri që jo gjithkush që e ka mund ta shprehë. Atë që unë me modesti po dua ta shpreh sot, ndërsa shiu m’i zgjon kujtimet si harpë. Falë edukatës dhe qytetarisë që Korça e ka të pashoqe në Shqipëri, një vajzë e bukur kur del të shëtisë  ,gjithmonë do marrë vlerësime shpotitëse nga djemtë. Dhe kjo të sjell një ndjesi mikluese e cila në fakt të kthehet në një adrenalinë shëruese. Se është thënë gjithmonë, komplimentet për një zonjë janë ushqim i shpirtit. Dhe teksa kaloj në rrugë, dëgjoj një bisedë që si rastë sisht bëhet me zë të lartë: ‘ Shiko more këtë bukuri- eh, ka pirë ujë Dardhe’ apo  ‘ Kush të zbukurovi mojjj, Hëna apo Dielli’. Papritur  një rebesh shiu më përmend.

Dhe kthehem tek jeta ime. Pata fatin të shkoj të studioj në Janinë dhe më pas në Selanik. Atje gjeta mirësi, përkushtim dhe kujdesin mësuesve të cilëve u jam mirnjohëse përjetë.

Mund ta quaj Selanikun si qytetin tim të dytë. Atje kaloj shumë kohë me prindërit, me motrën, por ‘Sorkadhe e Dardhës ‘ unë ndjehem vetëm në Korçën tonë të bukur, të kulturës dhe të dijes, ku të ka kuptim edhe Dashuria. Këtu e krijova familjen time, këtu u lind dhe Biri im, Tomi. E shoh teksa rritet rritet pa e kuptuar, ndërsa unë dhe im shoq i gëzohemi djalit, famijes jetës tonë. Kam fatin të jem në punë e rrethuar nga kolegë që më vlerësojnë dhe i vlerësoj. Lumturohem shumë kur më thonë: “Arsinoi ka shpirt fisnik’ apo “ je kaq gojëmbël sa edhe e bukur’ apo ‘ shpirti fisnik i Arsinoit është më i bukur se bukuritë e saj’-.Vërtet jam e lumtur kur më japin këto vlerësime.

Sepse Sofia Loren ka një këshillë të vlefshmë për ne gratë . ‘Vetëm bukuria për një femër nuk mjafton.Nëse asaj i mungon bukuria shpirtërore, Eleganca dhe Edukata qytetare, klasi i saj, ajo është një bukuri e zbrazët, e akullt, që nuk transmeton asgjë .’  Janë të shumte poetët dhe studiuesit që kanë analizuar shpirtin e gruas. Në të gjitha etapat e shoqërisë njerëzore është treguar kujdes që të njihet shpirti i gruas. Më kujtohet një thënie nga Modigliani ‘ Kur t të njoh shpirtin tënd, do të pikturoj sytë e tu’. Të gjithë elementët shoqëror dhe kulturor të një qyteti ndikojnë në formimin tone, ashtu sikurse pasuria shpirtërore dhe intelektuale e secilit prej nesh e bën qytetin. Ndaj e dua shumë qytetin tim, Korçën, pasi më ka pasuruar shpirtërisht, por edhe une i jap më të mirën që unë kam. Me familjen time, me kolegët e punës me miqtë e zgjedhur që kam, unë e pasuroj shpirtin tim. Nga Aristoteli kujtoj një këshillë, e cila mendoj se vlen për të gjithë ne “ Vlera e njeriut tregohet vetëm në Shoqëri” ndaj dhe unë  mendova ti ndaj me ju këto mendime.

Ma ndërpret këtë gjendje meditative kënga korçare ‘Syçka si ato të tuat,/nuku gjenden në dynja…’ kurse për Shpirtin, më flisni ju që keni qenë me mua..!