Suplementi Pena Shqiptare/ Arjana Fetahu Gaba: Kthehem në një e dashuruar!

59
Sigal

Mbi letrën e bardhë,
shkronjat përcëllojnë nga marrëzia
e muzës sime të pabindur,
rendur llogoreve të fatit hyjnor
pa ditur një përfundim.

Unë,
duke diktuar po të njejtën marrëzi,
si vartësja e saj që jam,
dhe ku gjithmonë më mundon frika,
kthehem në një e dashuruar ku e dua nënshtrimin,
sepse me të më lidh shpirti,
që i kam dhënë asaj.

Gjarpëron ajo rrugë,
dhe unë e ndjek këmba këmbës,
sikur yjet mijëra vjet larg,
me sy dhe dëshirë prej një fëmije,
që i pëlqejnë lojërat kukamfshehëti.

Me një zjarr nga gjiret e natës,
e shtroj atë udhë,
duke përgjuar psherëtimat e saj,
që dëgjohen herë herë, lumenjëve
të fjetur mjegullave.

Më pas,
ajo letër e bardhë,
është shkruar me copëza të diellit,
dhe merr formën e një shpirti të sapo lindur gërmadhave,
në praninë e një kori ëngjëjsh.
Të dua pa kushte muza ime e çmendur!