Suplementi Pena Shqiptare/ Ali Bregu: “Taksa e samarit”

899
Sigal

Dy fjalë përcjellëse për librin me fabula: “Taksa e samarit” e fabulistit

Ditët e fundit doli nga shtypi libri më i ri dhe i radhës me fabula i autorit Ali Bregu. Libri në fjalë titullohet “Taksa e samarit”, një titull sa intrigues aq edhe realist për kusuret e shoqërisë si kundër është kjo e jona, e mbingarkuar nga mbipesha njëzetë e shtatë vjeçare e politikës së mbrapshtë shqiptare.

Libri përmbledh 160 fabula koncize, poetike dhe ritmike. Autori, duke qenë i pranishëm dhe i ndjeshëm ndaj problemeve të kohës, synon që nëpërmjet motos së guximshme: “Prej dëshirës bujare, mendimit të thekur / me armën e fjalës pa zjarr e pa hekur /mbi letrën e bardhë prej lapsit të nxirë/të ndreq pakëz botën ta bëj më të mirë”, me thjeshtësi e modesti synon të ndreqë diçka për të mbarën dhe të mirën e shoqërisë.

Shoqëria njerëzore, në krejt jetëgjatësinë dhe ekzistencën e saj është e molepsur me vese e virtyte. Virtytet i përshëndesim dhe i inkurajojmë por veset…E janë pikërisht këto vese të mbrapshta të shoqërisë të cilat fabulisti i vë në shënjestër të armës së tij pa zjarr e pa hekur. Lexoni librin e ri me fabula të Ali Bregut ku pothuajse në secilën prej tyre ndihet ndeshja e autorit me të keqen e sotme por edhe të përhershme që ka shtënë rrënje e po zhvillohet në shoqërinë tonë si: kriminaliteti, korrupsioni,prostitucioni,padrejtësia, nepotizmi, paaftësia dhe dyfytyrësia e pushtetarëve që hiqen se janë kundërshtarë ndaj njëri-tjetrit por sikundër gurët e një muri mbajnë njëri-tjetrin ashtu mbajnë njëri-tjetrin edhe ata për interesat e tyre jetike. Këto e shumë prapësi të tjera por edhe dukuri dhe fenomene të përhershme dhe negative të shoqërisë njerëzore fshikullon dhe synon të ndreqë autori. E gjithsesi synimet mbeten synime por kur këmbëngulet në realizimin e tyre diçka do të përfitohet.

Personazhet e fabulave janë të larmishme. Ato janë marrë nga bota e kafshëve, shpendëve, insekteve,banorë të botës ujore, fenomene të natyrës por edhe njerëz. Alegoria e fabulës drejtohet kundër tyre duke bërë rikoshete te vetë njerëzit që përmbajnë këto vese.

Të shkruara me kujdes, falë tematikës të larmishme por edhe koncizitetit, poezisë së mirëfilltë, intonacionit tingëllues dhe muzikazilitetit që krijon ky, fabulat e Ali Bregut lexohen dhe përvetësohen me ëndje dhe lehtësi që nga më i riu deri tek më i moshuari, nga më i pashkolluari deri te intelektuali i nivelit superior.

Duke qenë të tilla edhe morali i tyre përvetësohet lehtë e shpejt nga lexuesit duke u bërë kështu pronë e tyre e duke u kthyer në një armë të fuqishme për luftimin e së keqes, e cila është rrënjëzuar apo mund të bëhet e tillë në shoqërinë tonë.

Më shtrenjtë qylafi se koka

Kur i pa. vilat luksoze,
Të zotët tharë e rreshkur ,
E huaja s’u bë xheloze
Veçse tha si me të qeshur

E me zërin pak të kotur :
“- ju shqiptarëve ju kushtoka
me ç’po shoh për rreth e rrotull ,
më shtrenjt’ qylafi se koka ! ”

AMANETI I KOPRACIT

Të kursejë.tokën për varr
Ku ha gur pula pa dhëmbë,
“Kur të vdes, tha, vertikal,
Pingul më vini, më këmbë.”

Punë leshi

Furkës leshin me dredhi
Ia rrëmbeu druga karshi.
Duart, fillin trrak e frrak
Lemsh e bënë, rrumbullak.
Shtizat sa mbyll sytë e hap,
Nga lemsh e bënë çorap.
“””””
Dikush e lexoi dhe qeshi:
“-Qenka fabul punë leshi!”