Suplementi Pena Shqiptare/ Albert Z. Zholi: Libri “Italia, shteti fqinj demokratik perëndimor” një mesazh miqësie

530
Për Italinë si shtet, si Perandori, si vend i Artit dhe Kulturës, si një nga shtetet më të zhvilluara të botës, si një vend me bukuri të rralla natyrore, si një vend me pasuri të mëdha kulturore, për popullin e saj punëtor dhe artdashës është shkruar shumë, por z. Agim Gruda e ka parë këtë vend në një këndvështrim tjetër, duke sjellë, kujtime, mbresa, copëza historish, meditime, përjetime, tregime nga babai i tij, kryesisht të bazuara në 110 vjetët e fundit. Italia është një shtet fqinj me ne, që në thellësi të historisë ka pasur marrëdhënie shumë të mira, por ndër momentet historike do të përmendim katër prej tyre që historia ka dëshmuar për lidhje të forta: Së pari, marrëdhëniet e saj me Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun, për t’i bërë ballë sulmeve osmane që kishin synim pushtimin e Evropës. Së dyti, pritja që i bëri populli italian shqiptarëve (arbëreshëve) të larguar nga vendi i tyre pas vdekjes së Skënderbeut. Së treti, ndihma e madhe që i dhanë arbëreshët Garibaldit në krijimin e shtetit të ri italian dhe së fundi, mikpritja që i bëri populli italian popullit shqiptar në emigrimin masiv në vitet 1990, pas rënies së komunizmit. Italia (zyrtarisht: Republika Italiane, italisht: Italia, respektivisht: Repubblica Italiana) është shtet në pjesën jugore të Evropës, në Gadishullin Apenin. Pjesë e këtij vendi janë dhe ishujt në Detin Mesdhe, Sicilia dhe Sardenja. Në Alpet e larta në veri të saj gjendet kufiri me Francën, Zvicrën, Austrinë dhe në brigjet e Adriatikut kufizohet nga Sllovenia. Në brendësi të këtij shteti gjenden dy shtete të vogla: Vatikani dhe San Marino. Roma, ish-kryeqyteti i Perandorisë Romake në lashtësi, është edhe kryeqytet i shtetit të ngritur në bërthamën e perandorisë. Perandoria Romake ishte perandoria që u ngrit dhe u qeveris nga qyteti i Romës gjatë 6 qindvjeçarëve, Para Krishtit. Dy datat që shënojnë fillimin dhe fundin e Perandorisë Romake janë viti 27, (fillimi i vitit të principatës së Oktavianit, me marrjen e titullit “August”) dhe 395, pas Krishtit, kur me vdekjen e Teodosit Perandoria, u nda përfundimisht në mes, në pjesën perëndimore atë lindore. Nga koha e Augustusit, gjer në rënien e Perandorisë Perëndimore, Roma zotëronte Euroazinë Perëndimore dhe Afrikën e Veriut dhe përbënte shumicën e popullsisë së rajonit. Zgjerimi i Perandorisë Romake nisi shumë më parë se shteti romak të kthehej në një Perandori dhe arriti kulmin e saj nën perandorin Trajan, me pushtimin e Dacisë në vitin 106. Në këtë kulm, sipërfaqja e zotëruar nga Perandoria Romake përfshinte rreth 5 900 000 kilometra katrorë. Tregtia, artet dhe kultura arritën lulëzimin e parë të lartë të tyre gjatë kohës së Perandorisë Romake dhe në zonat e qeverisura nga ajo. Perandoria Romake ushtronte ndikimin e saj jo vetëm brenda kufijve të saj, por edhe përtej tyre. Gjuha latine si gjuha e Romës, ishte gjuha zyrtare që përdorej në mbarë Perandorinë Romake. Perandoria Romake e Perëndimit ra gjatë qindvjeçarit të 5-të dhe 6-të. Perandoria Romake e Lindjes njihet gjerësisht sot, si Perandoria Bizantine, e cila i ruajti traditat ligjore dhe kulturore greko-romake së bashku me elementet helenike dhe ortodokse të krishtera edhe për një mijëvjeçar tjetër, gjer në rënien e saj në duart e Perandorisë Osmane në vitin 1453. Vlen të përmendet se, ndikimi në kulturë, ligj, teknologji, arte, gjuhë, fe, qeverisje, ushtri dhe arkitekturën e qytetërimeve që pasuan, vazhdon ende sot. Sistemi qeveritar i Perandorisë Romake ka ndikuar shumë në sistemin shtetëror Evropian, para së gjithash në drejtësi dhe ligjshmëri. Shenja më e mirë që shpreh bashkimin e popullit është flamuri. Ai i Italisë u njoh si i tillë, më 7 janar 1797, në Rexhio Emilia nga kongresi ku merrnin pjesë përfaqësuesit e Bolonjës, Ferrarës, Rexhio Emilias dhe Modenës, nga i njëjti kongres që kishte shpallur Republikën Çispadane. Autor i këtij propozimi ishte patrioti e shkrimtari i njohur Giuseppe Compagnoni (1754-1833).


Sigal