Suplementi Pena Shqiptare/ Akademik Ali Aliu: Fjala është magjia poetike e Xhevahir Spahiut

837
Sigal

Ai ia di shpirtin fjalës, për të fjalët kanë magjinë e vet, historinë, mitin

 

Xhevahir Spahiu është nga ajo sërë krijuesish që i mbajnë telat vibrues të poezisë përherë të ngrehur. Ai është poet kudo dhe kurdoherë, në rrugë, në kafe, para auditorit, si spektator, në shtëpi, me miq, mes të njohurve a të panjohurve, mes takimeve të rastit, festive, paraqitjeve publike….Nuk mund t’i mendosh  ndaras Xhevon qytetar dhe Xhevon poet… Dhe është poet i madh, liriku më ekspresiv dhe më frymëzues i shqipes. Është shembull emblematik për debatet e shumta ndër mote se a duhet lidhur domosdoshmërisht njeriu dhe artisti, poezia dhe jeta.

 

Për të përgatitur një fjalë rasti në kuadër të shtatëdhjetepesë vjetorit të lindjes të poetit të madh, njëkohësisht edhe mikut tim këtu e pesëdhjetë vjet të kaluar, sapo nis të them diçka konkrete për artin poetik të tij, sikur nuk shkoqem dot nga Xhevua njeri. Ai, poetin, poezinë e ka frymë të ngjizur nga lashtësia e shtresuar, biblike dhe mitologjike ndër mote, nga vatra dhe rrënjët, si shenjtërim i etnisë dhe hapësirës arbërore. Yllësi shpirtërore tek Xhevahir Spahiu njeri dhe poet, është Naimi, është lumi, mali, është deti Joni, Skrapari, Tirana,Tomori, ulliri, Frashëri, etnia, gjuha – gjuha mbi të gjitha.  Ata që kanë qenë dhe që janë më afër e më gjatë pranë Xhevahir Spahiut, ia dinë dobësinë: nëse Xhevua do të ndjehej thellësisht i fyer, para së gjithash, përkatësisht është e vetmja gjë e shenjtë prekja e kësaj yllësie poetike dhe shpirtërore e tij.

I derdhet një skofiari antike në fytyrë Xhevos. I derdhet një sedër fisnikërie lazgushiane, sedër për të qenë i denjë për truallin arbëror, i denjë për universin njerëzor. Të tillë, si veten, i pranon të tjerët, të tillë i do ata, bile të tillë e do, e ëndërron edhe denoncuesin Miço – e fton atë të heq dorë, të mos i shkëlqejnë sytë nga gëzimi kur e sheh poetin që gabon: gaboj se jam njeri, thotë mes tjerash poeti, duke e ftuar bujarisht denoncuesin që t’i heqë syzet. Jam njeri prandaj gaboj, pse s’ka fatkeqësi më të madhe për njerëzimin nga njerëzit që nuk gabojnë kurrë.

Xhevahiri etninë nuk e mbivendos mbi të tjerat, ka në botën e tij të madhe mirësi për të gjithë, ka begati refleksesh pozitive, miqësore për botën e gjerë, ai e ka dhunti nga natyra apo zoti, e ka trashëgim edhe vizionin naimian të fisnikëruar, është mëtim që hapësirën arbërore e ëndërron për hapësirën universale, duke nisur nga më të parit, siç thotë Naimi – me fqinjët të jemi mirë. Të tillë e ka edhe artin poetik Xhevahir Spahiu, prandaj kudo ka shkelur ajo, poezija e tij, jashtë Shqipërisë, është shumë e pëlqyer, e pranuar si begati e vet. Autori i poezisë, ndërsa, ka gjithandej miq dhe adhurues.

 

Krijimtarinë Xhevahir Spahiu e ka qenie, e ka ngjizje dhe brumosje, e ka ind trashëgimie, e ka zjarr jete dhe përjetësie, ka ngasje të zgjuar, vigjilente, e vibrim fijesh poetike, është vetë ai që ofron valë vibrimi , është vetë çasti i valëve trazuese nga thellësitë e Jonit dhe majat e Tomorit, të shndërruara krejt dhe tok në përsosje estetike. Xhevahiri poet nuk rrëfen, s’ka ngasje afishuese, ai ofron vibrime shpirti moteve të kaluara, moteve që rrjedhin, moteve që do të vijnë. Dhe, të mos harrojmë, arti i tij poetik, valëzimi i përhershëm i tij në kohë nuk është indiferent. Ai vetvetiu është përhapje me mëtim harmonimi, përsosjeje, është injektim paqeje, mirësie, është mëtim i davaritjes së territ nga drita. Arti i Xhevos është sintezë shtresimesh nga të gjitha shtigjet, nga të gjitha perspektivat kohore, sintezë kuptimi e kuptimësimi i botës. i universit, është shkrepje imazhesh metaforike që rrezatojnë shkëlqim të përjetshëm.

Tërë thesari i gjerë poetik krijues i Xhevahir Spahiut është shenjë, shenjtërim që gurron gjithandej në gjithësi, tek njeriu, shpirtëzimi, që vjen shkrepje estetike, që vjen emocion i vetëm disa vargjeve:

Mjegulla u var

Mali s’duket më

Fusha mbeti pa Zot, pa zë.

(Tomori)

 

Nuk e përfytyron dot poeti hapësirën, etninë, njësoj gjithësinë, pa frymë, pa një fluid mbrojtës, pa një sogjetim të përhershëm, të zgjuar, njësoj si tek poezia Apolonia, që e trishton poetin, me përballjen me trupat resht, pa fund, me koka të prera:

Koka mermeri diku

Trupa pa koka këtu

 

Në një nga pranverat e viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, gjatë një udhëtimi nëpër Maqedoni, i shoqëroja poetët Xhevahir Spahiu dhe Spiro Dedja. Unë i jepja veturës diku në dalje të Manastirit, ku kishim fjetur një natë, drejt Prespës, Ohrit, Strugës në perëndim. Ngjiteshim rrëzë malit Pelister. Të tre si në një përgjumje kur Xhevua na zgjoi duke nisur një këngë fare si për vete, i shkëputur krejtësisht nga ne. Ishte një këngë me iso e Skraparit, që janë njësoj me atë të Prespës sime. Që atëherë, në ambiente më intime familjare kemi kënduar bashkë. Xhevahiri e do muzikën, artin e pikturën, sidomos ngjyrat, ato të ndezurat të tij. Gjatë qëndrimit tim në Tiranë në vitet 91, 92, Xhevahiri më çonte në atelietë e miqve të tij piktorë. Me një rast e luta të më përzgjedhë një pikturë. Ai iu qep njërës që shquhej nga ngjyrat e forta, të përflakura, njësoj si metaforat e tij:

Tek tingujt vdes

Tek ngjyrat çmendem

Tek fjala vdes, çmendem, përmendem!

Fjala është magjia poetike e Xhevahir Spahiut. E ka dhunti të zotit ndjeshmërinë, ndërsa adhurimin e ka nga Naimi. Xhevahiri ia di shpirtin fjalës, për të fjalët kanë magjinë e vet, historinë, mitin, ato janë të pashtershme në mundësinë e tyre për të përkapur dhe për të artikuluar nuancat tona të shpirtit dhe të mendjes. Xhevahir Spahiu e zotëron si një mjeshtër madhor fuqinë për të transformuar fjalën, është poet që e ndjen fuqinë çudibërëse të saj, transformimin figurativ të saj, është mjeshtër superior në të zotëruarit e kësaj fuqie të brendshme të saj, të fjalës, e zotëron atë deri në çmontim të brendshëm, deri në dekonstruksion të formës, për të krijuar mandej imazhe poetike estetikisht të majave në artin poetik të shqipes.