Suplementi Pena Shqiptare/ Agron Tufa: Fiku i bardhë

146
Sigal

E ndjente se do të jepte shpirt pas disa ditësh midis pronës së tij të bukur, të qetë e divine, një oazë e harlisur me pemë e gjelbërim, e rrethuar me gardh të lartë prej rrjetash të dendura me thurimë teli. Por, siç më pati thënë i biri, plaku ruajti një bindje të ngulitur e kokëfortë se, në njëfarë mënyre, ai do vazhdonte të mbetej aty edhe pas sosjes, mes atij Edeni parajsor, që e kishte ngritur vetë me thonj, përmes përpjekjesh mbinjerëzore e privimesh të skajshme, përmes goditjesh të pabesa dhe intrigash të miqve cmirëzinj. “Do të vazhdoj të mbetem këtu, ndonëse i padukshëm, duke soditur jetën e qetë e të lumtur të pasardhësit tim, rritjen e hareshme të nipave dhe mbesave dhe mbi të gjitha – zilinë përvëluese të gjindjes së kësaj qyteze të vogël, të krimbur në ligësi”. Për këtë mendonte qetësisht kohëve të fundit herë me zë, herë heshturazi, më pati thënë i biri, me të cilin më qëlloi të kthehesha njëherë nga stacioni, duke e ndihmuar madje të bartte një vazo të rëndë qeramike me një fidan të madh fiku. Plaku e kishte porositur t’i blinte një varietet të rrallë të ficus carica, të bardhë, të ëmbël e kokërrmadh. Kur ia sollën fidanin plaku e këqyri gjatë dhe u gjallërua sakaq: la shtratin e dergjës, mori bastunin dhe brodhi ngeshëm duke i shëtitur sytë nëpër oazë duke pushuar herë pas here mbi kokën e bastunit, derisa u ndal në skaj të kopshtit, m’u buzë rrugës magjistrale. Shënoi një vend me shkop dhe i bëzajti të birit t’i sillte një kazëm e një lopatë. I biri, djali i tij i vetëm, ia solli veglat, madje u bë gati t’i përvishej punës për të hapur gropën, por plaku nuk e la.“Vetë, vetë”, – këmbënguli ai. “Po pse pikërisht këtu?” – e pyeti i biri. “Kam ndërmend të paraprij një situatë”, – tha plaku dhe si ndeshi fytyrën e hutuar të të birit e vazhdoi arsyetimin: – “kur të mos jem më, gjindja prapë do të më shohin, në njëfarë mënyre… Do të kalojnë rrugës dhe do t’u shkojë goja lëng duke parë fikun tim të pjekur këndej gardhit. Njeriu ndoshta dhe vdes, por jo mendimi, jo vepra… Ato janë të vetmet zgjatime që na përfaqësojnë edhe pasi ta kemi lënë këtë botë”. Biri nuk ishte i prirur për përsiatje andaj nuk ia ushqeu vramendjet të atit. E la të mihte dhe në drekë u mundua, pa sukses, ta ndihmonte të kthehej në vilë. Pasdreke vonë, pas një gjumi çlodhës, plaku mihu sërish me ato forca të pakta e të flashkëta që i kishin mbetur, derisa gropa qe gati. I biri vetëm sa i mbajti fidanin të rrinte drejt në gropën e hapur rrëzë gardhit të telit, buzë rrugës; plaku hodhi dheun në gropë me lëvizje të ngadalta, të rralluara, gjersa sosi. Mandej e ngjeshi dheun me këmbë, i la amanet të birit ta ujisnin fidanin një herë në javë dhe u kthye vetë në vilë, gjithë duke peshuar me duart që i dridheshin mbi kokën e bastunit. Këtë skenë e mbaj mend qartë se e pata ndjekur atëherë nga balkoni i apartamentit tim, që gjendej në anën tjetër të rrugës përkundruall, ndërsa hollësitë e kuvendimit buzë gardhit ku po mbillej fiku m’i rrëfeu i biri, disa muaj më vonë, kur pema e fikut ishte ende filiz dhe mezi pikasej nga ballkoni im përtej rrjetës së telit. Po atë mbrëmje, gjithë sipas kallëzimit të të birit, plaku hëngri darkën, gjithëqysh, një sallatë me perimet e kopshtit dhe djathë, një fetë bukë, një kofshë të pjekur pule, të shoqëruara me një gotë verë të kuqe, të bërë vetë. U shtri mandej dhe u krodh në një gjumë të thellë, prej të cilit nuk u zgjua më. Fikun e kam përcjellë thuajse çdo ditë, nga i njëjti ballkon, përsa kohë banova në atë qytezë; mbaj mend rritjen, gjethnimin  dhe zgjerimin e kurorës ndër vite, derikur gjysma e degëve të fikut kapërceu telat e gardhit dhe u shtri mbi rrugë. Nuk e teproj po të them se nuk mbaj mend kalimtar që të mos mbante këmbët kur kalonte rrugës nën fik; shumëkush shihte me lakmi kokrrat e mëdha, të pjekura e të lëngshme të fikut të bardhë dhe pas një mëdyshje kalimtari vazhdonte rrugën, gjithsesi duke e kthyer kokën edhe njëherë prapa. Por nga ballkoni im, ku rëndom pija kafet dhe cigaret duke bërë sehir rrugën dhe oazën përtej gardhit, kam parë kalimtarë këmbëngulës që nuk i rezistonin tundimit: ata kërcenin, kapnin degët e fikut, i tërhiqnin poshtë, këpusin kokrrat e pjekura me të cilat mbushin xhepa e çanta dhe do të vazhdonin përditë kështu, çdo verë, deri kur të shfaqeshin të zotët. Nisnin atëherë shkëmbime të vrazhda fjalësh, fyerjesh e kërcënimesh, derisa një ditë (ishte viti i pestë i prodhimit), i biri nuk u përmbajt nga fyerja që i bëri një adoleshent, të cilin e kisha parë të vinte rregullisht mbi një biçikletë të lartë nën fik: ngrihej në këmbë mbi ndenjësen e biçikletës dhe mbushte me shkathtësi një trastë bezeje të varur për qafe. Adoleshenti kishte një zhargon të pasur ofendues dhe fjalët lënduese i shoqëroi me një gjest të shëmtuar të aktit seksual, bash në kohën më të papërshtatshme, kur pas shpinës së birit qe shfaqur papritmas e shoqja, një mësuese e njohur në atë qytezë. Biri i tha adoleshentit, që ende qëndronte në këmbë mbi biçikletën e tij nën fik, matanë gardhit: “A ta mban të më presësh sa të dal në rrugë dhe ta shohim sa të vlen lëkura?” “Kur të duash, bythec!” – iu gjegj acarueshëm djaloshi, gjithë duke menduar, me shumë gjasa, se zoti i fikut do të dilte në rrugë përmes një porte, e cila gjendej rreth pesëdhjetë metër më poshtë dhe se do ta kishte kurdo në dorë kohën të bëhej erë me biçikletë. Andaj u ngut të këpuste edhe disa kokrra të tjera fiqsh, para se të shfaqej poshtë në rrugë i zoti i fikut, pa e vënë re fare ngjitjen e tij të rrufeshme në pemë, kacavarjen përmes degëve dhe, mandej, kërcimin befasues poshtë në rrugë. Djaloshi tentoi në grimë të fundit të ulej në biçikletë, por ishte vonë: biri e përmbysi biçikletën bashkë me të, e zuri keq dhe ia ndezi disa shpulla të thata faqeve, gjersa nga hundët e djaloshit rrodhi gjak. Ia hoqi torbën e fiqve nga qafa, e ngriti, e vuri në biçikletë dhe në kohën që adoleshenti i tmerruar u nis, gjithë duke kulluar gjak nga hundët, biri i dha dhe një shpullë në zverk. Pasi mbeti me trastën e tij të fiqve në dorë, pa rreth e rrotull, mandej, ndoshta për shkak se më pikasi mua në ballkon, e flaku trastën me fiq në mes të asfaltit. Mbi të kaloi makina e parë dhe kjo pamje poshtë ballkonit tim s’di pse më ngjau me një iriq të shtypur. Ishin ende orët e hershme të pasdites kur dëgjova zhurma dhe dola në ballkon. Pashë se tani fikut i qenë ngjitur tre burra rreth të dyzetave, të cilët shanin me zë të lartë dhe këpusnin tërbimthi degët e fikut. Si duket atyre nuk u interesonin fare kokrrat. Pak më vonë u dëgjua matanë gardhit dhe zëri i errët e i ngarkuar me fyerje i birit: “Ç’bëni more kështu? Ku kujtoni se jeni? Në mall pa zot? Daleni more, po pse shani? Ju qenkeni me keq se kalamajtë!” Të sharat dhe kërcënimet nga rruga vërshuan duke e mbuluar zërin e birit. Ai u përkul përtokë kapi diçka dhe e vërviti kundër tyre. U dëgjua njëkohësisht britma e mprehtë dhe rënia e njërit që i qe ngjitur gardhit e qe kapur në degët e fikut. Guri e kishte kapur në tytë të veshit andaj dhe shkëpurdhej përtokë si bisht i këputur gjarpri. Pas kësaj u dëgjua krisma e një arme dhe fill mandej dallova kalamendjet e birit që largohej marrakëmbas në thellësi të kopshtit. Atë mbrëmje biri vdiq në urgjencën e spitalit rajonal. Pas të tretave disa burra të fisit e sharruan fikun e bardhë. Gjatë gjithë atij muaji, pas vdekjes së birit, oaza doli në shitje me gjithë vilë. Blerësi i ri i sharroi të gjitha pemët, hoqi gardhet me rrjeta telash, betonoi gjithë sipërfaqen prej dy hektarësh dhe e shndërroi atë në parking. Kafet e mia në ballkon lidheshin vetvetiu me ngjarjen tragjike dhe, para së gjithash me praninë e mundshme, ndonëse të padukshme të plakut, që e kishte mbjellë pikërisht aty fikun, për të “paraprirë atë situatë”…