Suplementi Pena Shqiptare/ Agron Mema: Muaji i letërsisë dhe arteve në Konispol

532
Në kuadrin e muajit të letërsisë dhe arteve, shkrimtarët e klubit “Krijuesit jonianë” kanë zhvilluar një takim me nxënësit e shkollës së mesme të bashkuar “Bido Sejko” të Konispolit. Shkolla ka përfunduar së fundmi rikonstruksion e sajë me investime serioze, sidomos në ambientet e jashtme dhe palestrën sportive. Para se të fillojë ky takim letrar, drejtoresha Bukurie Braho, na bën një ekspoze të punës investuese vitet e fundit në infrastrukturën shkollore, si në atë mjedisore edhe në atë didaktike. Në mjediset dhe ambientet e brendshme e të jashtme duket një qëndrim mirëmbajtës dhe i kujdesshëm, falë edhe drejtimit të kësaj gruaje , që në opinion quhet tolerante, por në punë shohim të jetë ndryshe. Por Bukuria, e cila ka qenë edhe kryetare e këshillit bashkiak të Konispolit, thotë se drejtimi është art më vete dhe toleranca element i këtij arti, kur kjo tolerancë i shërben së mirës, mbarëvajtjes së punës dhe jo së keqes. Fillon një takim mbresëlënës me shkrimtarët Pajtim Çaushi, Spiro Thomari, Alush Avduli, Hekuran Halili dhe një bashkëbisedim me nxënësit që nuk munguan pyetjet e shumta. Shkrimtarët Jonianë, përshëndetën drejtoreshën Braho dhe mësuesin e letërsisë Sami Alimema si organizatorë të këtij takimi. Në fjalën e tyre shkrimtarët prezantuan krijimtarinë e tyre dhe folën mbi zhvillimet e letërsisë dhe arteve në Shqipëri dhe në botë, pse është e nevojshme të lexohet një libër dhe të ngushtohet qëndrimi në internet, ç’farë përfiton nga leximi i librit dhe cili është misioni i vërtetë i letërsisë dhe artit realist. Por nuk kanë munguar as pyetjet e shumta të nxënësve drejtuar shkrimtarëve pjesëmarrës, ç’ka tregon se leximi i librit artistik ende nuk është braktisur nga rinia shkollore, ende ka shkëndija që mbanë ndezur shpresën e rikthimit tek leximi, por edhe se ka nxënës që shfaqin haptazi interesin për letërsinë dhe duan të dinë më shumë dhe këtë e kërkojnë nga vet protagonistët aktiv, autorët dhe shkrimtarët.
Sigal