Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Xheka: Trokitje në portën e shpirtit

233
Sigal

Trokitje në portën e shpirtit

Ndiej çdo ditë e më shumë trokitje

në portën gërdallë të shpirtit…

Jetoj në kohë të çmëndur çuditërisht

dhe unë i marr si mesazhe corone

apo dhe, si sinjale stine të vitit.

Ndiej çdo ditë e më shumë trokitje,

sidoqë të jenë nuk më trëmbin.

Mua më ka lodhur kaq shumë kjo jetë…

i ruhem mandateve për miq edhe shokë,

për rininë më shumë se moshën e tretë.

Ndiej çdo ditë e më shumë trokitje

në portën gërdallë të shpirtit…

dhe dal me gjak të ngrirë në kafene.

Miqtë më tregojnë për trokitjet tyre!

Shajnë qeverinë për këtë botë të re.

Mirë dreqi, po qeveria më keq se korona!

Ajo të merr dhe mbyll hallet e llangosur.

Qeveria ta merr shpirtin çdo ditë:

të fyen me pensione lëmoshë, pensione

të turpshme, që s’dalin as për t’u varrosur.

Ndiej çdo ditë e më shumë trokitje,

në portën gërdallë të shpirtit…

Dhe lus të jenë sinjalet e pleqërisë,

të më vijë vdekja e të më marri sa më parë,

sa të vuaj lojën e fëlliqur të qeverisë.