Erdhi koha të hyj tek njerëzit e lashtë
me thesin e rëndë mbi shpinë ngarkuar,
me shpresën të gjej gjilpërën në kashtë,
ndonjë kujtim të bukur, në vite harruar.
Nuk lëndohem për vitet që më rrodhën
dhe për plagët-dhimbje nuk jam pishman,
as për rininë që pa mëshirë ma vodhën
dhe ëndrrat-lehonë m’i dogjën dhe vranë.
Po të më kishte qenë jeta fushë me lule,
pa provë-sfidat jashtë forcës njerëzore,
të më kishte përkëdhelur fati me pekule,
ndoshta do të isha pa shtyllë kurrizore.
A ndoshta tani do më ishte harruar varri,
nuk do të arrija të shkelja në këtë prag,
Kujtimeve të mia do t’u kishte mbirë bari
e nuk do lija pas as këngë e as një varg.

Tani jam i qetë dhe shpirtin e kam plot
nuk është pak të quhesh “njeri i lashtë”!
Kush e ka gjetur përjetësinë në këtë botë,
pa provuar dhimbjen, t’i shkojë gjer në asht?!





















