Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Xhafka: Qirinjtë

668
Alqi ka disa vjet që ditëlindjen e Shpresës, gruas së tij, e organizon vetë nga fillimi deri në fund. Që kur fëmijët, djali e vajza, u martuan dhe ikën në shtëpitë e tyre, ai planifikon vetë gjithçka. Qysh disa javë para në mendje krijon disa skenarë festimesh. Ta bëjnë festën në shtëpi a lokal? Apo më mirë në ndonjë udhëtim? Brenda Shqipërisë apo jashtë, p.sh. në Greqi, Itali, Francë? Sheh turet e agjencive, peshon lekët që ka me ato që duhen dhe mban shënime. Kështu ikin ditët e ky skenar plotësohet me pijet, me frutat, me arrat, me tortën. Ah, si harrove lulet,moj kokë! E nxit imagjinatën me tulipanë, trëndafila, zambakë… Kështu deri dy ditë para. Aty pastaj ngec. Duhen blerë qirinjtë, ato janë mosha e vertetë. Para ca vitesh ai shkonte serbes tek dyqani i Nestit dhe merrte një qiri numër 5 dhe një 0. Kujtdo i tregonte me gaz se gruaja e tij mbushi 50 vjet. Më pas,kur nisi të rëndohet ky numër ai pati ankthin e parë. Jo se po plakej, por sepse gruaja po mbushte një moshë që ai nuk guxonte ta mendonte se ajo do ishte ndonjëherë aq. Nga që u njohën të rinj, thuajse sa mbaruan gjimnazin u dashuruan e u rritën bashkë. Ai e shihte si zbukurohej Shpresa çdo vit. Kjo nusja jote sikur rinohet dita ditës, i thoshte nëna e Alqit. E ai e besonte. E besonte se e shikonte gruan e tij që edhe pas rritjes së fëmijëve ruante freski e gjallëri. Kishte linja elegante, një të ecur rinore e të qeshur, ah, ajo e qeshur e rrëzonte për tokë Alqin. E bënte që dashuria e tij ndaj gruas të ishte disa fish më shumë se kur duheshin marrëzisht. Sivjet ankthin e kishte aq të madh sa natën shihte ëndërra me numra. Shpresa për dy ditë mbushte 63. Ai nuk do vinte 63 qirinj se s’kishte tortë t’i nxinte. Por do vendoste si gjithnjë dy numra; 6 dhe 3. Në mëngjes, ashtu i merakosur, i dha mendja një zgjidhje. Numrat e qirinjve nuk do i merrte te Nesti. Do shkonte te kancelaria nga ministritë. U fut në dyqan dhe porositi, nuk e thoshte dot 6 si fillim. -Dua numrin 3, por edhe 6, -i tha shitëses. -Do numrin 36? -e pyeti ajo. -Po, po. Kam ditëlindjen e vajzës, andaj. U gëzua që biseda rrodhi kështu. Mori dy qirinjtë dhe rrugës po imagjinonte si do i vendoste në tortë. Në shtëpi i futi në sirtarin e lugëve dhe u harrua pas gjërave të tjera. I përmbushi të gjitha. U shtrua tavolina me fruta e arra,u vunë lule kudo, erdhën fëmijët me nipër e mbesa dhe ja, trokiti çasti dramatik. Vendosja e qirinjve me numra. Doli andej, në anën ku ishte Shpresa, vuri 6 dhe 3 mbi tortë, ndezi çakmakun dhe sa nisën qirinjtë të lëshonin flakën e tyre, Alqi vrapoi e doli përballë gruas. Tamam përballë e lexonte qartë numrat 3 dhe 6. U ngazëllye se ajo vërtet atij i dukej si grua 36 vjeçe, si atëhere kur kishte dy fëmijë të vegjël, kur ishte plot gjallëri e bukuri. Hiç nuk ka ndryshuar,njësoj ka ngelur, i gëzohej pamjes dhe harroi se vendosja 3 dhe 6 ishte truk i tij, jo mosha reale e Shpresës. Por ec e mbushi mendjen Alqit. Ai ishte aq i gëzuar dhe i lumtur sa qysh tani po mendonte se si do e vendoste numrin 64 në tortën e vitit tjetër. Hahaha,4 dhe 6 do i ble numrat. Do festoj ditëlindjen e motrës, do i them shitëses. Por e zuri ankthi. Mos 46 vjeç janë shumë për gruan! Shpresa fryu qirinjtë e tymi iu end ne fytyrë si velloja e dasmës para aq e aq vitesh. Alqi rendi në kujtime e fluturoi lart si ajo shtullunga e qiririt deri sa Shpresa i vuri në dorë gotën e shampanjës. -Gëzuar, vërsniku im! – Gëzuar, bija ime!
Sigal