Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Hushi: “Pata e artë”

1566
Dikur në kinemanë e vjetër të qytetit tonë shfaqej një film që e mbushte sallën gjithmonë plot.

Quhej “Pata e artë” Një përrallë që i tërhiqte njerëzit e varfër si me magji; tamam ashtu si vetë puplat magjike të patës së artë në film. Ishin vitet ’80 dhe qyteti ishte në kulmin e varfërisë së tij dhe kinemaja e vjetër ishte si një shpresë ku njerëzit mund të vrisnin monotoninë dhe vogëlsinë e qytetit me një rrugë të vetme. Ne filmat e vjetër dhe të stërpërsëritur njerëzit harroheshin duke u përqendruar në ekranin e arnuar, shkrinin imagjinatën dhe stresin e tyre në ato pamje aq të ndryshme nga qyteti i rëndomtë ku jeta i ngjante një filmi të përsëritur, të vjetër, me të njëjtat ngjarje, personazhe dhe halle. Unë vetë kisha gjetur edhe një mënyrë tjetër për t;iu larguar asaj përditshmërie vrasëse dhe pothuaj pa asnjë shpresë; lexoja libra dhe jetoja në botën e ngjarjeve e të personazheve të mi. Ndihesha si vizitor në atë qytet të vogël dhe me njerëz të mirë. por që vogëlsia e kishte kthyer në një qytet ku zienin thashethemet dhe meskiniteti. Por shpesh kur në kinemanë e qytetit nuk shfaqej “Hamleti” apo “Zotnia R”. që ishin filmat më të zakonshëm, unë ulesha në radhën e 5-të për të ndjekur filmat a rrallë që jepeshin. Dhe një nga filmat e mi të preferuar ishte “Pata e artë”. Jetoja në një shtëpi përdhese buzë rrugës së makinave, rrethuar me gardh dhe trëndafila. Para derës së shtëpisë kishim një pus me ujë të ftohtë e të kulluar, ku verës ftohnim dhe shalqinjtë. Disa metra më pas ishte një rrëkenë e vogël ku laheshin rosat e shtëpisë. Ishin rosa të buta e të mira që unë i doja shumë, qysh kur ishin rika, zogjtë e vegjël të rosave që unë i merrja me kujdes në krevat edhe kur flija … Por ato rriteshin shpejt. Por gjithsesi unë i doja fort edhe ashtu të rritura. Por një ditë nëna ime bleu një zog pate. Ishte me pupla të ndritur si borë të bardha që unë e quajta ” Pata e artë”, sipas filmit që kisha parë. E ushqeja vetë dhe kujdesesha për të me një merak qe nuk ia besoja kujt. U lidh aq shumë me mua sa nuk e hante më ushqimin në tokë po të mos ishte në dorën time. Më ndiqte nëpër kopsht dhe u miqësuam aq shumë sa e merrja në prehër dhe, pasi vinte sqepin në supet e mi, mbyllte sytë në dremitje. Më lumturonte aq shumë dashuria dhe miqësia e “Patës së artë” sa mund të rrija me orë pa lëvizur, duke lexuar ndonjë libër, vetëm që mos t’ia prishja qetësinë. Zgjohej në mëngjes para meje dhe më priste tek dera e dhomës së gjumit. Fillova ta merrja edhe me vete jashtë shtëpisë dhe ta shëtisja.

Pranë rrugicës tonë kishim një kanal që shkonte diku larg fushave dhe përdorej për vaditje!
Pata e artë futej gjithë qejf, notonte dhe zhytej plot kënaqësi dhe sapo ngrihesha si për t’i thënë mjaft tani, rrihte krahët dhe dilte nga uji duke më ndjekur. Shpesh e merrja në krahë duke ia puthur dhe përkëdhelur gjoksin e bardhë e të shndritshëm. U bëmë aq miq sa nuk besoja se Patën e artë mund ta zëvendësoja me ndonjë nga shokët e mi të feminisë. Më mungonte kur largohesha nga shtëpia dhe mezi prisja ta shihja kur kthehesha. Dhe ajo rrinte e më priste, pas portës, rrihte krahët duke guasur gjithë lumturi sapo vija këmbët në oborr. E merrja në krah dhe ajo mbyllte sytë në gjoksin tim. E doja aq shumë sa një ditë që rrinte me kokë varur dhe nuk e hëngri bukën e përzier me barishte të ziera nga duart e mia, u bëra shumë merak. Atë ditë piu veç ujë dhe të nesërmen rrinte ulur, e pafuqishme dhe nuk ecte. Gjithë natën nuk vura gjumë në sy nga meraku. Asaj kohe s’bëhej fjalë për ambulanca veterinare dhe me kursimet e mia bleva një pako me tetraciklinë. Ia dhashë të pinte një çerek tabletë dhe pas dy tre orësh u ngrit. Po atë ditë hëngri në duart e mia dhe ma ktheu përsëri lumturinë me dashurinë dhe gjallërinë e sajë. Por erdhi një ditë që s’do ta harroj kurrë në jetën time. Pata e artë ishte rritur dhe miqësia jonë ishte forcuar akoma dhe më shumë. Padyshim që ajo ishte bërë shoku im më i mirë. Më ulej pranë kur lexoja dhe kokën kishte dëshirë ta mbështeste në supin tim. Dilnim shëtitje të dy dhe gëzohej duke rrahur krahët kur e çoja të lahej. Por kohët ndryshuan. Qeveria komuniste e asaj kohe nxori një urdhër që në qytet, të hiqeshin gjithë shpendët apo gjëja e gjallë siç quheshin me gjuhën e shtetarëve të asaj kohe. Radiot dhe gazetat e kohës e paraqitnin si një fushatë kundër kapitalizmit dhe çdo kundërshtim i këtij urdhri konsiderohej veprim armiqësor. Im atë që i kishte provuar nja dy tre gjyqe si “armik” i mundshëm, që kishte tendenca për pronën private një natë foli gjithë merak. Duhet ti heqim pulat, rosat, nuk ia kemi ngenë të shkojmë nëpër gjyqe . Dhe Patën, më tha dhe shikoi nga mua gati me dhimbje. Jo, thashë menjëherë i vendosur. Pata është shoku im. Do ta mbajë qoftë dhe të mbyllur në dhomën e gjumit. Të nesërmen filloi therja e pulave dhe rosave. Në fund të muajit s’na mbeti më asgjë në oborr, përveç Patës së artë. Shpesh komshinjtë tanë që vinin për ndonjë kafe dhe muhabet, shihnin gjithë kërshëri, nëse i kishim hequr të gjitha. Por kur ime më u shpjegonte se Patën e artë se trajtonim si shpend, por si pjesë të familjes, “shokun e djalit”, të gjithë bënin çudi me këtë kurajë për të kundërshtuar ligjin e hekurt komunist. Një ditë sapo isha kthyer nga shkolla dëgjova zëra dhe thirrje njerëzish në rrugë.

U tremba disi dhe s’e dija se ç’po ndodhte! Nëna ime hapi portën e drunjtë gjysmë të kalbur dhe në derë u duken dy civilë dhe dy policë. Ai që kryesonte dhe binte në sy ishte vetë kryetari i komitetit ekzekutiv. Kemi ardhur për kontroll. Partia ka dhënë urdhër të hiqet gjënë e gjallë nga çdo shtëpi. Borgjezia dhe kapitalizmi nuk kanë brirë. Armiku i klasës këtë kërkon, të mbyllim sytë ne, filloi ai të recitonte nga parullat klishe të kohës. Ime me ishte zverdhur dhe s’foli asnjë fjalë. Unë sikur u përmenda dhe mora menjëherë Patën e artë në krah dhe e futa fshehurazi në dhomën e gjumit, poshtë krevatit tim. Policët dhe dy civilët u futën në shtëpi pa marrë lejë dhe po kontrollonin qurin siç i thoshim ne ahurit, dhe dhomat me radhë… Kur e panë se s’gjetën asgjë iu drejtuan nënës time: Kështu ju duam, revolucionarë!Armiku është i keq dhe kërkon të na përçajë mes nesh. Ne na informuan se ju mbani pata e rosa… -shtoi kryetari. -Prit shef, tha një polic që e kisha parë dikur në stadium tek u turrej tifozave duke i qëlluar si bishë. Dua ta laj merakun, tha ai ndërsa filloi të më shikonte me ngulm dhe me një dashakeqësi që të drithëronte.

U shtanga dhe zemra po më rrihte me forcë. -Mos e ngani Patën e artë. S’ju ka bërë asgjë. Është shoku im -zuri të thërriste qenia ime, thellë meje. Polici m’u afrua, më kapi për krahësh dhe duke më shtyrë, me foli gjithë ligësi. Ç’ke që dridhesh maçok… Çfarë fsheh aty poshtë krevatit…?

Joooo! S’ju lë ta merrni patën time – ulërita me sa zë që kisha….-Haha- ta tregoj unë patën ty këlysh borgjezi, tha polici dhe pasi më shtyu përsëri me forcë, ngriti mbulesën dhe zgjati duart diku poshtë krevatit. U dëgjua një klithje gjithë dhimbje. “Pata e artë”- thirra me sa fuqi që kisha dhe nga sytë më vërshuan lotët kur pashë policin që po i thyente krahët shpendit tim. Mos ma merrni ju lutem – zura t’i lutesha. Qenke vërtet këlysh borgjezi, m’u hakërrua para fytyrës Kryetari i komitetit! Po e zgjate do të marrim dhe ty me vete e të ta gjejmë vendin – më bërtiti i egërsuar dhe shikoi nga policët. Lëreni djalin, thirri nëna ime dhe për të më mbrojtur më doli përpara me trupin e saj! Për herë të fundit pashë Patën e artë që po përpiqej të ikte nga duart e policit i cili po ia shtrëngonte krahët me forcë teksa ajo klithte me dhimbje. Atë ditë mallkova me gjithë zemër atë sistem çnjerëzor dhe kriminal të quajtur, socializëm. Nuk do t’i fal kurrë ata njerëz që vranë shpirtin tim, atë miqësi të shenjtë me “Patën e artë”. Krahët e këputur të një krijese të jashtëzakonshme dhe të pafajshme! Vitet kanë kaluar dhe do të shkojnë, por Patën e artë unë s’do ta harroj kurrë! As atë dashuri të shenjtë që u vra aq mizorisht, e cila do të vazhdojë të jetojë me përrallën e Patës së artë dhe fluturimin e shpirtit tim, edhe kur të mos jem më në këtë botë!


Sigal