Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Bajrami: Shtëpia e shkrimtarit

60
Sigal

Shtëpia e shkrimtarit ka mbetur po ajo
(Si atëherë, kur ai na priste tek dera).
Mbi tryezën plot pluhur, sheh libra ngado
shfletuar përgjysmë nga era.

Edhe dorëshkrimet, kanë mbetur në mes!
Lirikat në vargje mërdhijnë.
Ai kurrë se besonte, që do të ikte kaq shpejt;
besonte kaq shumë përjetësinë.

I gëzohej çdo vargu si fëmijë i mitur
(Nuk ndahej nga ta ditë e natë).
Edhe kur gishtërinjtë zunë t’i ngrinin papritur,
dhe dhimbjet e hodhën në shtrat.

Në ditët e fundit, hidhte sytë nëpër rafte,
si të kërkonte nga librat pak ndihmë!
Nga dhimbja për të, gjithë shtëpia ofshante
mbështjellë me mërzi dhe trishtim.

Nga vaji i saj edhe muret janë lagur.
Ato nuk janë tharë edhe sot !
Këto lule që varen pa jetë në dritare;
në fakt nuk janë lule, por lot.

Shtëpia e shkrimtarit, ka mbetur po ajo!
(Vetëm librat në raft janë rralluar)
Ato janë larguar prej tij, u bë kohë
ta ndjekin nga pas, ku ka shkuar…