Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Bajrami: Selanik

23
Sigal

Mjegullat po treten pa u ndjerë

dhe pak rrugë për të bërë na mbeti.

Ja mbas kësaj kthese menjëherë

para nesh do shfaqet krejt qyteti!

Me kaq njerëz dhe zogj në bulevard

dhe kaq shumë ngjyra me patjetër

këtu dikur kam hyrë si ilegal

mbi një tren të lodhur dhe të vjetër.

Por tashmë kjo është një kohë e shkuar,

histori e fikur dhe pa vlerë.

Kulla me bedenë ma bën me duar

dhe ky shesh i veshur me mermer.

Ndaj s’më pushojnë këmbët- vetëm eci.

Këtu nuk më lejohet, të ndaloj,

të prek çdo detaj të tij me zemër

Çdo peisazh të tij ta përqafoj.

Në një krah të fala, më çojnë valet:

Pak më tej një varkë me emër blu.

Unë ende s’kuptoj përse kam ardhur,

askush nuk më thotë, pse jam këtu?

Mundet me ka ftuar Aristoteli!

Sot me të tij do rri gjer natën vonë,

busti i tij i bërë prej rrezesh dielli

çdo qelizë të trupit ma pushton.

Me çdo kënd këmbej një buzëqeshje,

tek lëviz i lirshëm dhe pa frikë.

Ky qytet ka dalë prej legjendash;

ndaj është kaq i bukur dhe magjik.

Mjegulla pandjerë vetveten treti,

mbrëmja në çdo shesh si vajzë u shtri.

Ky qytet gjithmonë është peng i detit,

ndërsa unë këto çaste … peng i tij.