Suplementi Pena/ Shpendi Topollaj: Edmond Halilaj nderohet me titullin “Mjeshtër i Madh”,  në 66 -vjetorin e lindjes

224
Sigal

 

Me motivacionin “Në vlerësim të veprimtarisë së suksesshme si aktor i humorit, veçanërisht atij shkodran, ndihmës  së vyer në çuarjen përpara të kësaj gjinie si në teatër, ashtu dhe në ekranin televiziv shqiptar”, Presidenti i Republikës, zoti Ilir Meta, i akordoi me rastin e ditëlindjes, titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” artistit të njohur Edmond Halilaj. 66 vite në jetën e njeriut nuk janë pak, por në jetën e një artisti nuk janë as shumë. Nuk janë shumë, pasi tani mund të shpërfaqet me gjithë forcën e vet, e gjithë ajo përvojë që ai ka grumbulluar. Ca më shumë kur ky artist është humorist si Mondi. Dhe çfarë humoristi. Jo i kultivuar nëpër shkolla të specializuara, por i lindur i tillë. Pra, një artist që ka mbetur gjithmonë vetvetja. Nga ata që ka ditur të mbijetojë dhe të triumfojë mbi dallgët, shpesh të pamëshirëshme të fatit. Nga ata që kanë çarë me forcat e veta, pa mbështetjen e dikujt tjetër. Nga ata që nuk i ka lëshuar kurrë dhe u ka qëndruar besnik talenti. Se talenti është kapriçioz; ai shkon tek ai që i hahet muhabeti. Tek ai, ku ndihet mirë. Tek ai që e di se nuk do të turpërohet nga veset dhe menskinitetet e të zot. Talenti është i pandarë nga vlerat e mirëfillta njerëzore. Dhe Edmond Halilaj i ka të plota ato. Kjo kuptohet fare lehtë teksa sheh sesa e duan shokët, miqtë e njerëzia në përgjithësi. E duan, se ai e di rëndësinë e të qeshurës. Se ajo, ashtu sikurse thosh Viktor Borge “është distanca më e shkurtër ndërmjet dy njerëzve”. Dhe për të njerëzit janë të gjithë njësoj. Ai, me të gjithë është i sinqertë në humorin e tij. Ai, edhe ato që tregon i ka të sinqerta. Të sinqerta dhe të vërteta. Mondi e di se fundja, humori është e vërteta me pak zbukurime në fund të saj. Ai është nga ata që humorin e fillon nga vetja dhe pastaj shkon te të tjerët. Humori i tij është i shëndetshëm, edukues. Jo vulgar e bajat. Mondi ka dhe dhuntinë e një kujtese të mahnitshme, ndaj dhe asnjëherë nuk përsërit të njëjtën gjë. Kjo e mban të freskët dhe e bën të këndshëm. Është i besueshëm, pasi te ai nuk ekziston ndjenja e cmirës dhe përçmimit ndaj kolegëve. Është modest deri në kufijtë e të pabesueshmes, dhe sa herë bije fjala, flet për artistët e tjerë me nderim, respekt e simpati. Ai, thekson se prej tyre ka mësuar dhe se mes tyre, pohon se ke qënë gati një nxënës. Kjo atij ia  rrit vlerat. Nuk ka virtyt më të madh se thjeshtësia. Le pastaj thjeshtësia e modestia. Është vetë ajo që ai bën, lëvdata më e madhe. Për të ka rëndësi zbatimi i asaj shprehjes së Horacit te “Satirat”: “Mutato nomine de te, fabula narratur”, pra “Me një emër të ndryshëm në fabul flitet për ty”. Pra, ndihet i lumtur kur sheh se nuk i ka shkuar mundi kot; çdokush ka gjetur në rolet, skeçet, anekdotat a barsaletat e tij, pra në skenat e teatrove, ekranet e kinemave e televizioneve apo tavolinat e kafeneve, diçka nga vetja. Se të gjithë kemi se ç`të korrigjojmë për t`u bërë më të mirë. Se vetë bota edhe pse rrotullohet rreth harmonisë hyjnore të saj, gjithmonë ka vend për përsosje. Rëndësi ka që ajo dhe jeta mbi të, është e bukur. Aq e bukur, sa nuk duhet të lemë asnjë çast të na ikë kot. E meqenëse përmenda Horacin, atë poetin që me satirat e tij të mprehta, goditi mrekullisht veset dhe zakonet e këqia, po kujtoj edhe thënien e tij prej hedonisti të vërtetë: “Carpe diem!” që do të thotë “Gëzoje ditën!” Gëzoje duke ua zbukuruar edhe të tjerëve atë. Duke ua zbukuruar me gjërat e mençura artistë si ky thonë. Dhe gjërat e mençura nuk duan t`ia dinë nga vitet që ikin. Madje ato sa më shumë që kalon koha, aq më shumë mënçurohen. Prandaj, i themi atij: “Kurrë mos mendo se duke dalë në pension, je larguar edhe nga arti yt. Ti tani, krejt i pavaruar, mund t`i jesh afruar akoma më shumë atij. Jetë të gjatë dhe të lumtur familjarisht dhe suksese të më tejshme!”