Mexhit Prençi: Rikard Larja ishte yll që ndrriçonte edhe në errësirë

494
Sigal

Flet kritiku letrar Mexhit Prençi: Rikardi ishte njeri me gërma të mëdha dhe portreti i tij do të mbetet i qëndisur me fije ari. Si actor ai solli në filëm natyrshmërinë,thjeshtësinë dhe realizmin si vërtetësi jetësore dhe qasjen modern artistike

RIKARD  LJARJA JETON NË KUJITMET E NJEZVE MË TË DASSHUR, TË  MIQVE SHOKËVE DHE KOLEGËVE

Ishte yll që ndriçonte  edhe në errësirë.

MEXHIT PRENÇI-kritik arti

Ishte NJERI ME GERMA TE MËDHA., fisnik e njerëzor, simbol i mirësisë dhe bukurisë. Nuk dua të përsëris vlerësimin e e miqve, shokëve dhe kolegëve,që ia qëndisën me fije ari portretin e tij si aktor  ku solli në film natyrshmërinë, thjeshtësinë  dhe realizmin si vërtetësi jetësore dhe artistike, por do të vlerësoj një dimension tjetër vlerash në rrafshin e letërsisë ku shkrimtarja Ljarja  hyn pa trokitur, ku shquhet për mjeshtërinë artistike dhe qasjen moderne

1

Pas romanit “Në një humbëtirë këtej rrotull”, libri i ri “Kohë qensh” me katër rrëfime, i botuar nga shtëpia botuese Ombra GVG, me  dashamirësinë dhe kujdesin e botuesve Vasilika e Gëzim Tafa,  është një prezantim dinjitoz i këtij shkrimtar modern, me një profil  të spikatur në prozadi, (që siç kam theksuar edhe për romanin e parë që sapo citova), vjen në letërsinë tonë pa trokitur, me një profil të spikatur artistik.

2

Njeriu i jetës, i arit &  letrave Rikard Ljarja janë të shqetësuar, angazhuar, dyzuar, mosbesues e dyshues, të vetmuar e të vetizoluar në botën e tyre njerëzore dhe artistike, të qetë në dukje, – valët  vlojnë në thellësi, të mbyllura….Vetëm kur arrin pika e vlimit shpërthejnë. Shkrimtari Ljarja ndjen nevojën e domosdoshme të rrëfejë. Dhe rrëfen sipas gjendjeve psikologjike, ashtu siç i vjen atij. Shkarkohet nga çdo pushtim i ndërgjegjes njerëzore dhe krijuese. Shkruan e shkruan. Po, ashtu siç e nis ashtu edhe e ndërpret menjëherë të shkruarit, edhe me ditë të tëra. Vetëm kur uria për rrëfim ulërinë brenda botës së tij të trazuar, ai menjëherë ulet e nuk di të ngrihet së shkruari, rrëfehet. Me të drejtë ai nuk i quan “tregime” shkrimet e tij, por “rrëfime”. Thelbi semantik: rrëfim  për t’u çliruar nga çdo pushtim i ndërgjegjes së tij njerëzore e krijuese nëpërmjet një lufte vetpastruese nga e keqja, rutinorja, steriotipitë. Dhe krejt i hapur, i lirë, i shpenguar shfaq vetveten si shkrimtar  dhe qytetar. Ajo që zjen përbrenda tij buron nga bota reale, nga perceptimi dhe përjetimi i realitetit i cili shndërrohet në botë artistike e shprehet në mënyrë figurative, origjinale: artistike dhe estetike, tropologjike e metaforike, simbolike dhe alegorike, me  gjuhë dhe stil unikal. Gjithçka buron prej qenies së tij njerëzore të veçantë dhe prej un-it krijues si shkrimtar i tillë.

2

Shumë shokë e miq të tij që e njohin si aktor, me emër të mirë, nuk besojnë se Ljarja personalitetin e tij e ka më të lartë e të spikatur  si prozator. Ai që ka lexuar veprat e tij të rralla e të pakta e ka uruar Ljarjen, i befasuar dhe pak i hutuar! Ljarja erdhi në letërsi nëpërmjet një pune krijuese të heshtur, dyzetecavjeçare, duke shkruar, pa ditur kush se shkruan, (përveç ndonjë miku), duke lexuar cilësisht lëtërsinë shqipe më të mirë dhe letërsi botërore, duke shkruar e grisur i mbyllur në vetvete, duke medituar e shkruar, si një asket letrar.

(Kur ishim student të artit dramatik, në oborrin e Teatrit Popullor, të ulur në stolat para skenës verore, më lexonte poezi dhe prozë të shkurtër, ashtu siç unë i lexoja kritikat e para të mia dhe, bisedonim për artin, lirinë krijuese, për atë që ishte e pranueshme, apo e mospranueshme për kohën… Rikardi vështronte majtas e djathtas, i frikshuar se mos vjen ndonjë prej atyre që përgjonin, e na dëgjonte!… (Të tillë gjedeshin në çdo mjedis.) Mirëpo për të botuar nuk ka guxuar. Kjo si për sendrën e tij krijuese: jam apo s’jam i talentuar, që ia thoshte subkoshienca e tij, e cila dyshon për gjithçka, por më shumë  për frymën e errët që kishin shkrimet e tij me prirje moderne.)

4

Dyshimi dhe frika për të botuar e kanë shoqëruar edhe në dekadën e funditpavarësisht se jemi në kohë tjetër, ku liria krijuese jo vetëm është me tepri, por nuk njeh asnjë kufi, çka abuzohet me te, megjithëse nuk i ka munguar nxitja e miqve që të botonte. Nuk e di si i erdhi guximi tani së fundi, ndonëse isha i bindur se një ditë do të vinte. Tani, dy vepra të tij janë në qarkullim, kushdo mund t’i lexojë, kushdo është i lirë t’i pëlqejë a mospëlqejë siç shprehet dhe autori; ato janë të pranishme, ekzistojnë, ndërsa për mua si kritik, janë me vlera artistike, estetike e mesazhore dhe autori me profil letrar origjinal e të spikatur si shkrimtar moden, me shpërthime  krijuese spontane, por që kërkon vullnet e punë këmbëngulse krijuese, dhe vetëdijësimin për të synuar rendet e larta estetike, siç do të thoshte Bennedette Krroçe.

5

Libri “Kohë qensh” përmban: një parafjalë, dhe katër rrëfime“Hodo Beg Gjini”, “Kllapi” “Histori qensh”“Praradreke dhe një ditë me diell”. Secili prej tyre është shkruar me stil të veçantë, me ngarkesa psikologjike të ndryshme, me gjuhë sipas karakterit të personazheve, kohës e mjedisit. I pari, është rrëfim historik për Hodo Beg Gjinin, familjen e pasardhësit e tij dhe, për Shkodrën nën sundimin disa qindvjeçar turk e lidhjet me Venedikun…. Rrëfen për një rracë që ka mbijetuar me seleksionim natyral… Kjo i ka detyruar të venin rregulla e kanone, ndryshe do të zhdukeshin. Brezat njerëzorë kanë ushqyer njeri-tjetrin me virtyte dhe, me qëndresë nëpërmjet luftës ekzistenciale, dramatike e tragjike, ashtu si dhe Shkodra loce. Ja, si e fillon autori rrëfimin:

Kishte treqind vjet  që kishte hi Turqia në krejt gadishullin e Ballkanit/ Gjithshka ishte përzi e ngatërrue. Ishin vra e ishin pre, kishin lind e kishin dekë… / Kishin ndrrue vendbanim. Ishin shpërngul nga vendet ku kishin jetue mijra vjet. Kishin ndrrue doke e zakone, kishin ndrrue ushqim, ndrrue fjalë./ Kishin ndrrue fe. E të gjitha këto se kishte ardhë një kohë tjetër… / Kishte ardhë supërfuqia aziatike, e armatosur jo veç me jataganë e kalorsi, por edhe me topa e me gamile, me çadra e me vetë sulltanat….(in persona)”… Ndërsa rrëfimi ”Kllapi”, është psikologjik, një monog i gjatë i gruas për marrëdhëniet e para dashurore, po sidomos për krizën e mëvonshme  bashkëshortore, përjetimin e dramave  e dramëzave të dashurisë, të ftohjes dhe  të zhgënjimit e të humbjes së besimit, duke e kërkuar të keqen secili jashtëvetes… Gruaja punon, i bie bretku në shtëpi, i shoqi, e thërret “superfuqi”… Gjithçka u prish, thotë ajo, qysh atëhere kur filloi tek ai thirrja e gjyshërve e stërgjyshërve, e shtëpia u mbush me reliket e tyre. Po edhe kur ai sillte gjithëfarë farërash e kanarinash e tërë kohën e harxhonte herë me stërgjyshërit e herë me kanarinat ndërsa revoltave të saj u përgjigjej me atë fjalën cinike “superfuqi”, që e çmendte…

Në fund të rrëfimit autori shkruan: ”Këshillohet të shoqërohet me një gotë verë të kuqe nën tingujt e simfonisë Nr. 5, “Të fatit”, të Ludvig Beethoven-it. Apo ndoshta doni xhaz? Si të dëshironi…Mund ta shoqëroni dhe me një kangë me lahutë…Ju baft mirë! “

6

Rrëfimi i parë është shkruar me stil dramatik, me realizëm; me informacione historike, me drama e tragjedi të veçanta njerëzore në luftë me jetën për mbijetesë. Ndërsa rrëfimi i dytë është superrealist: si në monologun e gjatë dramatik të gruas, shkruar me art, ashtu dhe në rrëfimet dhe përshkrimet magjike të marrëdhënieve të kanarinave nga autori që të japin kënaqësi estetike të rrallë, e në të njejtën kohë edhe kumtin se, kur kjo marrëdhënie u mungon çifteve njerëzorë, konfliktet janë të pashmangshme. Në gjykimin tim është ndër rrëfimet e bukura që kam lexuar, i cili mjeshtërisht  transmeton mesazhin se njeriu, të keqen së pari duhet ta kërkojë brenda vetes, pastaj tek të tjerët, çka mendoj të shkruaj, më pastaj për të, posaçërisht.

7

Vetëm dy fjalë për rrëfimin “Paradreke dhe një ditë me diell”, i cili paçka së është vetëm katër faqe e gjysmë, vlerat ideoartistike janë të mëdha. Është shkruar me një stil tropologjik, ku e fshehta, enigma dhe e vërteta  e vetëvrasjes apo vrasjes, nuk janë zbuluar, as nuk kanë për t’u zbuluar, gjithçka asht shue, pohon autori. Ju paraqes një pjesëzë :

“Thonë se i pari ka folë malcori. / Mbasi ka ofsha, ka thanë: / – Si s’e kam një kobure…./ Deda e ka pyet:  / -Pse, ç’a e do? / Thonë që ka vazhdue malcori: / – Me vra vedin… / Jam koritë… / Për çfarë të jetë koritë malcori?!… / Kurkush nuk e di. / Ndoshta dikush i ka sha mustaqet. Ndoshta padasht ka pre mikun n’besë. Ndoshta… / Vetëm Zoti e di. / Malcori vrau vedin apo e vranë në një paradreke, n’ prag t’dugajs së Shan Dedës të Dedë Jakupit, apo të Dedës së Shan Dedës, si i thojshin… / Nuk dihet as stina, as mueji, as data, as emri i malcorit. / Gjithçka asht shue…/ Aq ma tepër korija qi e mori me vedi n’atë paradreke dhe në një ditë me diell”

8

Nuk do të ndalem të gjykoj për vlerat tërësore të këtyre rrëfimeve,  në fokus të optikës sime kritike kësaj here, është rrëfimi “Histori qensh”, i cili ka dimensionet e një romani modern, po autori nuk e mendon kështu, madje nuk e  quan as “tregim”, po “rrëfim”. Duke lënë të hapur diskutimin për këtë, do ta nis analizën nga titulli në kopertinë “Kohë qensh” i cili është marrë nga titulli i rrëfimit “Histori qensh”, ku fjala “qensh” është e njejtë ndërsa “histori” është zëvëndësuar me fjalën “kohë”.  Kjo është një metaforë e bukur, por edhe e fuqishme e shumëkuptimore. Hiqet një paralele midis historive të qenve dhe historive të njerëzve, që zhvillohen njëkohësisht në dy realitete, e kohë të ndryshme, ndonëse historia e njerëzve është më e tmershme, më dramatike, absurde dhe tragjike. Sipas këtij shestimi është strukturar rrëfimi, paçka se autori nuk do ta pohojë këtë: ”Kërkoni sa të doni, kjo histori është thjeshtë një histori qensh. S’dua të dal kurrkund…ata që kërkojnë qimen n’ qull  duen të dinë ku e ka bishtin kjo historia e qenve, se po thonë: ky që do t’na tregojë për qent, tashti u përzi në politikë  e pale se çfarë krahasimi do të bajë… Pale-pale, po këtij  po i rrëshqet edhe gjuha pak si gegnisht duke na tregue për qentPo, ju baj be, në ç’a t’doni që kjo histori asht thjeshtë histori qensh. Po nuk mund t’ua tregoj ashtu n’tym, si po thonë specialistët:  pa një rrafsh social-politik-ekonomik…” Këtu është enigma, ajo që fshihet pas të dukshmes, pas fjalëve e togfjalëve, ku në shtresat e nënshtresat kuptimore të tekstit letrar, lexohet një realitet me bëma e gjëma  njerëzish e qensh që, është më shumë se “Kohë qensh”, do të thosha edhe “Kohë njerëzishujqër”…

9

Mënyra tropologjike e të shprehurit, një mbi ujë e nëntë nën ujë, (dibrani do të thoshte: e folur nën mutaf), është element thelbësor stilistik i prozës së Ljarjes, ashtu siç është edhe dramaciteti i shpërthimit të rrëfimit, pas një akumulimi të gjatë. Është e vërtetë që shkrimtari dramatik do të rrëfejë për historinë e Lordit, një racë e zgjedhur gjermane dhe kjo është në qendër të rrëfimit, bashkë me histori të tjera qensh; por si vëzhgues i hollë, i mprehtë e realist i jetës, që e ka përceptuar e përjetuar thellë realitetin në të cilin ka jetuar e jeton, nuk mund kurrësesi të mos rrëfente: edhe drejtpërdrejt edhe sipas parimit të ajzbergut, për mjedisin, rrethanat, atmosferën e realitetin e kohës, pas rrëzimit të diktaturës së egër komuniste dhe, të kohës së çmendurisë kolektive  pas shembjes së firmave piramidale më 1997, ku u ndez flakë tërë vendi e krismat vllavrasëse i shumuan shamitë e zeza të nuseve e të nënave.

Në të dy periudhat qentë u shtuan pa masë, ashtu siç u shtuan njërëzitqenër, siç u shtuan plehrat, vjedhjet e hajdutët,  shkatërrimet, djegjet, prapësitë, ligësitë, vrasjet, kriminelët, dhe pasiguria. Gjithçka ishte pasojë e shtypjes pesëdhjetëvjeçare nën diktaturën e Diktatorit të Tmershëm Stalinist. Po dhe  nga abuzimi me lirinë dhe demokracicë…ku dolën mbi ujë instiktet më të këqija të njerëzve të këqinj…  Po sidomos të Njeriut të Ri, që  vinte nga diktatura.

10

Rrëfimi “Histori qensh” është shkruar duke marrë spunto nga një histori e vërtetë qensh: “ ka ndodhur në oborrin e shtëpisë së një Mikut tim. Në Tiranë, në Tiranën e Re”, thotë autori. Nuk e ka vrarë mendjen shkrimtari për strukturën e rrëfimit: për linjat, personazhet, historitë  e dramat e tyre, madje se çfarë do të kumtonte. Përceptimi dhe përjetimi i këtyre realiteteve njerëzore dhe qenore, me kohë është akumuluar brenda vetes sa është bërë pjesë e vetëdijes së tij  krijuese. Ajo që zien brenda shpirtit të trazuar e detyron të rrëfehet, të ulet e të shkruaj, e, kjo më  jep kënaqësi të jashtzakonshme, thotë vetë Ljarja. Rrëfimi nis nga një ngjarje a episod e kalon pa u ndjerë në të tjera; nga një gjendje psikologjike në një tjetër, nga rrëfimi për qentë te rrëfimi për njerëzit, apo njëkohësisht, nga perzonazhe qenorë te personazhe njerëz -qenbirujku. “Kish dy vjet që nuk kishte ma diktaturë. E kur një popull ka pesëdhjet vjet nën diktaturë të rreptë, të egër, të varfër që ndalon gjithshka…kur them gjithshka, them gjithshka… dhe gjendesh papritur i lirë, ngjason me gjendjen e qenit të tërbuem që sapo asht zgjidhur nga zingjiri… Nuk di ç’ka ban!…”. Kjo është e vertetë jetësore dhe artistike. Fantazia e arsyeshme e autorit është element i rëndësishëm artistik që përshkon këtë rrëfim dhe rrëfimet e tjerë të librit. Ajo, shpreh jo vetëm artistikisht të vërteta, që gjithsesi janë relative, por lidh natyrshëm ngjarje, personazhe, situata e dukuri, realitete e kohra, i trajton në kompleks historitë qenore dhe njerzore, rrëfen artistikisht: bëma të njerëzve të çartallosur e ngjarje tronditëse,  tablo të errta, të zeza, groteske, dramatike, tragjike dhe absurde, që të bëjnë t’i urresh.

11

Këtu e shoh edhe forcën e mesazhit të prozës hipërrealiste e surrealiste, groreske e satirike të Ljarjes në rrëfimin “Histori qensh”, ku nga kuptimësitë e së keqes, nxirren kuptimësitë e së mirës. Ky qëndrimi kritik, artistik, jepet edhe tërthorazi edhe drejtpërdrejtë. Herë nëpërmjet historive të qenve, herë atyre të njerëzve. Herë nëpërmjet informacioneve, herë psikanalizës racionale dhe rrëfimeve emocionale, dramatike e tragjike, ku kryefjalë e shkatërrimit moral të njerëzve ishte diktatura komuniste, që solli kohën e qenve dhe të njerëzve qenër, në realitetet postkomuniste. Gjuha e autorit nuk është as retorike, as publicistike, por artistike, sarkastike dhe tropologjike.

12

Ndërsa përsa i përket kulturës së gjuhës, ndonëse sjell fjalë të reja nga gegnishtja dhe struktura gjuhësore të veçanta e shprehje figurative me semantikë të pasur; në  rrafshin e drejtshkrimit  herë-herë nuk i zbaton disa  rregulla: të  apostrofit, shkronjës “ë”, trajtave të shkurtëra të përemrit vetor, ka përzierje të gjuhës letrare me të folurën gegnishte të personazheve. Është e drejta e tij të mos pranojë redaktor, por korrektorin gjuhësor e kërkon vetë talenti i tij, kultura e të shkruarit dhe personaliteti i shkrimtarit. Megjithëse thotë që “në këtë kallxim nuk kam respektuar kurrfarë rregulli kompozicional, gjuhësor, sintaksor etj. e tj., por po diftoj ashtu si më vjen…Të dalë ku të dalë…”   më poshtë kërkon ndjesë, se nuk i njeh sa duhet rregullat e drejtshkrimit,  çka do të thotë se kompromisi me veten ka filluar, mirëkuptimi do ta sfidojë atë “të dalë ku të dalë”. Kultura e të shkruarit do të bëhet pjesë integrale e prozës së Ljarjes, vlerë e shtuar e saj.

13

Edhe në rrafshin e strukturimit të rrëfimit e të krijimit të personazheve artistikë, autori shkruan pa rregulla strikte, por kjo është e pranueshme, organike, për mënyrën moderne si shkruan ai, vetë rrëfimi i lirë, duke sfiduar çdo faktor të jashtëm, bëhet menaxher i formësimit të strukturave e formave artistike moderne, të kompozimit të ngjarjeve, dukurive apo të personazheve dhe të raporteve të tyre, ashtu siç e kërkon logjika artistike në procesin e krijimit.  Kështu nëse te romani “Në një humbëtirë këtej rrotull”, ka përparësi krijimi i personazheve të jashtëzakonshëm realistë, absurdë e surrealistë, me portrete të spikatura dhe origjinalë; te rrëfimi “Histori qensh” ka përparësi ngjarjet, gjendjet psikologjike, atmosfera, me elemente të realizmit magjik dhe, stili dramatik shprërthyes, me një personale artistike të veçantë. Personazhet këtu jo vetëm janë të pakët, por edhe jo të nivelit si ato te “Në një humbëtirë këtej rrotull”. Megjithatë do  të veçoja  Rrëfyesin, Mikun, qenin “Lordi”, Barbonin me dymbëdhjetë qentë dhe të Çmendurën barbone, me shtatë qentë e saj, të cilët janë të portretizuar e të realizuar me  detaje të holla dhe origjinale.

14

Do të ndalem pak te një figurë tjetër, interesante, komplekse dhe e dyzuar, ajo e kritiku Pali dhe te marrëdhëniet e tij me shkrimtarin në raportet shkrimtar-kritik dhe  jetë-art. Futja e kësaj linje në rrëfim e ka pasuruar, freskuar dhe dimensionuar atë. Madje mendimet e tyre janë edhe provokative  në rrafshin artistik, estetik dhe teorik. Sikuri, që përdor Shkrimtari, për të shpalosur mendimet e tij, se çdo të thoshte Pali për këtë apo atë  fragment, ngjarje a personazh dhe sidomos për vetë shkrimtarin, është gjetje artistike intriguese për lexuesin dhe vetë autorin, që i krijon vetes hapësira për të shpalosur mendimet e tij duke i paraqitur si mendime të Palit, ku fantazia vrapon frelëshuar, ndonëse ai nuk do t’ia di se vërtetë a mendon tamam kështu Pali.

15

Duke u rikthyer te vlerat e librit me rrëfime “Kohë qensh” do të ndalem përsëri te stili  i autorit, si vlerë e veçantë, origjinale, e prozatorit Ljarja, që dëshmon thëniet e kritikëve dhe të estetëve se stili është vetë autori. Shkrimtari Rikard Ljarja është vetvetja, pa thënë se jam vetvetja. Madje ai shpesh thotë edhe se nuk jam shkrimtar. Nuk ka të bëjë me modestinë, por me gjykimin e tij si vlerësim i lartë për titullin shkrimtar, të cilin shumë prej prozatorëve tanë nuk e meritojnë dhe bien në nivelin e mediokrit kur tellallojnë termat shkrimtar i madh, kolos, gjigant apo planetar, që nuk ia kursejnë njeri-tjetrit. Duke perifrazuar Lasgush Poradecin:  “nuk ka poet të madh a të vogël, por është apo s’ është poet”, sipas meje po t’i thuash prozatorit “shkrimtar” ia ke thënë të tëra. Rikard Ljarja është shkrimtar, madje shkrimtar  origjinal, me profil të spikatur siç theksova më lart.