Istref Haxhillari: Era frynte në kahe të kundërt

184
Sigal

WhatsApp më çmend! Sa herë e përdor, bije borë. Atë mbrëmje hyri disa herë. Goxha bisedë! Zjarri i xhelozisë ma përvëloi shpirtin. E urrej këtë ndjesi, po nuk gjej forcë ta ndaloj.- Më mërzite! – i shkrova. E pikasi furtunën, sajoi përgjigjen në linjën e zakonshme të shfajësimeve. Nuk më bindi, kuptohet. Si dreqin nuk vuri mend?- Zhduku! – Flaka telefonin. Ora shënonte nëntë. Herët të flija. Në tualet freskova fytyrën, thua e kishte ajo fajin. Telefoni përgjonte si kone e bindur. E mora në duar, e vërtita, e ktheva prapë në vend. Të nesërmen do të takoheshim. Si e prisja! Mposhta veten, ndjenjën, atë. – Nuk vij, – i shkrova, – shko me kë të duash, fol me kë të duash! U pashë në pasqyrë. E rrënuar. Vura kokën mbi jastëk me sytë në zbrazëti. Nata u bë prostitutë. Më në fund dridhja e telefonit. “ Eja kontrollo bisedat! “ E përfytyrova të heshtur, të zemëruar. Në ëndërr nuk erdhi. Kaloi ora shtatë. Kurrgjë. As bëhej fjalë të lindte dita pa urimin e mëngjesit? Si mund të çohesha, të bëja tualet, të haja e pija pa zërin e tij? Të merrja frymë pa frymën e tij? Hamendjet më torturuan. Mbylla sytë, u luta. Zoti më dëgjoi. – Mirëmëngjesi, zemër! E theksoi atë zemër, thua vetëm ai më donte, shkurt e vuri në dyshim. E dinte se çmontoja çdo germë…Era frynte në kahe të kundërt. Hyra në dush, u lava, u fshiva shpejt e shpejt, kapa flokët e lagur, i telefonova taksistit. E pashë veten tek dridhesha. Zbrita shkallët e kalamendur. S’kisha ecur kurrë aq ngadalë, duke rrëshqitur duart parmakëve. Ditëve si kjo fluturoja, nuk më duheshin këmbë për të ecur. Taksia priste. Hapa derën, zura vend në ndenjësen e pasme. Harrova ta përshëndesja. As ai. Nga pasqyra kërkoi të dinte ku do të shkonim.  – Te tregu, – i thashë. Vështroja përtej xhamave të makinës, shtrëngoja rripin e çantës. Shpresova të më shkruante, si gjithnjë kur vrapoja tek ai. Me sa dukej mesazhi u pengua rrugës. Taksisti nuk hapi bisedë. Kushedi ç’ kujtoi! – Mbërritëm, – më shkundi zëri i ngjirur.E falënderova me kokë, zbrita. Ika pa i dhënë lekët. U ktheva, i bëra shenjë të hapte xhamin, i kërkova ndjesë. – S’ka gjë, – buzëqeshi.Duke ecur ndjeva gjakun poshtë. Nxitova të farmacia më e afërt, bleva tampon, iu luta farmacistes të përdorja banjën…  prapësitë nuk reshtnin.Sytë kapën dritaren tonë. Porta ku kisha hyrë kushedi sa herë mu duk e madhe, korridori i errët, i frikshëm, po derën e odës do ta gjeja symbyllur. Trokita. Asnjë përgjigje. Trokita përsëri, përsëri s’pipëtiu. Atëherë trokita fort.  Korridori gumëzhiu.- Hyrë! – zë i largët, i ftohtë! Hapi derën. Lashë mbi tavolinë çantën, syzet, shallin. Xhupin e mbajta. Po ajo dhomë, po ato orendi, po ai burrë që më priste me mall. Pa mbyllur derën, ngarkonim kohën me të puthurat e së dielës, së hënës, së martës… Veçse jo tani.  Odën e mbuloi ajo heshtja mbytëse midis dy njerëzve që s’arrijnë të gjejnë fjalët e duhura. Nuk guxova ta shihja në sy. Do të doja të dilja jashtë, të trokisja, ta hapte, të më mbulonte me të puthura, ndërsa unë t’i kërkoja me gjeste të kontrollonte derën.- Si je?- Mirë, – i thashë me pako zë.Përgjigje e cunguar: Si mund ta përshkruaja ankthin e asaj nate, spazmat e barkut që më torturonin prej tre ditësh, mungesën e pajustifikuar të tamponit?…Tërhoqi karrigen, ku vetëm unë kisha privilegjin të rrija, vuri përpara telefonin.  – Këtu i ke të gjitha! – tha me zë të dobët prej të sëmuri. Armiku vogël! Sa herë më pati ftuar në duel! I hodha një sy. Asgjë të dyshimtë.

Kisha ngritur stuhi në gotë uji! Rrotullova kokën, e pashë në sy. Heshtja u ngrit sërish si fatkeqësi.- Hë? – më shikoi në sy.Ç’t’i thosha! Se e doja shumë, se nuk mund ta ndaja me asnjë femër, se ishte gjithë bota ime?- Ndodhi, – pëshpërita.Lotët e pa derdhur bënë udhë faqeve.- Gjithnjë e njëjta? Donte të thoshte se mbetesha xheloze e pandreqshme dhe ai i pabesë. Veshët u mbyllën pa ndihmën e duarve, sytë nuk ia ndava. Në dashuri gabohet më tepër se kudo. As ai nuk ishte pa faj, madje i dashuruar me mua. E dinte se qe arsyeja e mosbesimit tim,  po nuk guxova t’ia them. Mora në sy rrezikun, i vajta pranë, iu ngjesha në prehër. – Më mëso si dashurohet. Më përqafoi. Pëllëmbët i digjeshin. Pjesët e shpërndara nëpër dhomë zunë vendet. Rrëmbeva gotën, e rrokulleva me një frymë.

Piva nga buzët e tij. Sa etje paskësha pasur! Më lexonte libër të hapur, më kuptonte të mërzitur, a të gëzuar, po këtë herë nuk e pikasi se vera mund të më dehte… Ika dhe ditët m’u ngatërruan. E takova vërtet? Natën, ndërsa rrëshqisja thellësive të gjumit, u luta për dashurinë tonë. Nuk e di nëse munda ta çoj gjer në fund!