Ismail Kadare: Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur, ndëshkim i luftës në emër të paqes

840
Sigal

‘Gjenerali…’ romani i parë i tij është njëkohësisht dhe më i përbotshmi, është përkthyer në mbi 30 gjuhë të botës- përkthyer, ripërkthyer, botuar- ribotuar. Gjenerali që kërkon eshtrat, njëkohësisht është edhe ai i vdekur që përfaqëson dënimin- ndëshkimin e luftës që lë përbuzjen ndaj tij

 

Romani  “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” përkthyer në 33 gjuhë të botës,  ndëshkim i Luftës në emër të Paqes

 ‘Gjenerali…’ romani i parë i tij është njëkohësisht dhe më i përbotshmi, është përkthyer në mbi 30 gjuhë të botës- përkthyer, ripërkthyer, botuar- ribotuar. Gjenerali që kërkon eshtrat, njëkohësisht është edhe ai i vdekur që përfaqëson dënimin- ndëshkimin e luftës që lë përbuzjen ndaj tij.

 Letërsia jeton në gjuhën me të cilën është shkruar, duke u lexuar natyrshëm brenda kufijve të saj shtetëror. Vepra letrare mbetet gjithmonë në origjinal, një monument. Vepra letrare në të njëjtën kohë ajo përkthehet në gjuhë të ndryshme të botës, duke marrë trajta të tjera, sipas veçorive të gjuhëve në të cilat është përkthyer. Veprat e Ismalil Kadaresë tashmë e përkthyer në mbi 30 gjuhë të botës, sepse i përkasin mbiletërsisë, ku mendimet, problemet, emocionet, gjuha e figurshme janë universale jashtë kohës dhe jashtë hapësirës. Veprat e Kadaresë qarkullojnë në hapësira dhe kohërave të pakufishme. Që nga titulli, jashtë çdo skeme dhe tradite letrare kemi një përmbysje të strukturës së romanit për luftën. Është ndërtuar me strukturën nëpërmjet retrospektivës kemi vdekje që realizohet me dështim të ushtrisë fashiste dhe zhvarrim. Pas këtyre  me mbledhjen e eshtrave të italianëve. Pas tyre është e sotmja që dënon luftën në emër të paqes.

Fragment nga kapitulli “Të paftuarit”

Ky kishte qenë turneu i fundit dhe më i vështirë. Dhjetë ditë me radhë gjenerali kishte vështruar pas xhamit mërzinë e gjatë të xhadesë. Aty këtu shfaqeshin dhe zhdukeshin fshatra të vogla, të mbuluara me dëborë. Së shpejti ai do të kthehej në atdhe. Me eshtrat do të merreshin të tjerët gjer në fund.

Zbritën në një fshat të madh, bashkë me mbrëmjen.ishte hera e parë, gjatë dhjetë ditëve që gjeneralit i qeshi buza.

– Në këtë katund duhet të jetë zhdukur koloneli Z,-tha prifti.

– Ka mundësi,-tha gjenerali me indiferencë.

-Duhet të pyesim për të,-tha prifti,-duhet bërë diçka…

-Unë them me vete lavdi Zotit që i gjithë ky kalvar më në fund mbaroi, kurse ju po më ngatërroni përsëri…

Gjenerali e njohu daullen e dasmës. Dasma bëhej në një shtëpi në zemër të fshatit. Gjenerali nuk e priste që pamja t’i bënte përshtypje kaq të madhe. Ai u hutua kaq shumë, sa në fillim, kur hyri, nuk pa asgjë të qartë, por vetëm një grumbull ngjyrash lëvizëse e të gjalla sikur, dikush t’i kishte rënë me një shuplakë të fortë syve dhe sytë t’i lëshonin xixa. Pastaj gjenerali filloi të ndiqte me sy lëvizjet e shkathta të këmbëve dhe përplasjen ritmike të thundrave në dysheme. Gjenerali vështronte përreth gjithshka dhe nuk mendonte dot asgjë. Vetëm pinte raki e buzëqeshte vazhdimisht, pa ditur dhe vetë se kujt i buzëqeshte…

Në një cep të dhomës ishte ulur plaka Nicë dhe pëshpëriste me vete:

“ Unë nuk di i cilës ushtrie je ti, sepse asnjëherë nuk i kam njohur rrobat e ushtrive dhe tani jam shumë plakë për t’i mësuar. Por ti je i huaj dhe je një prej atyre ushtrive, që na kanë vrarë. Ti ke zanatin e mallkuar të zaptimit dhe një prej tyre që më kanë bërë mua gjysëm njeriu, një copë plakë të shushatur, që vjen në këtë dasmë, të huaj dhe rri në qoshe dhe lëviz buzët duke biseduar me ty. Asnjeri nuk e di ç’them unë, sepse të gjithë janë shumë të gëzuar dhe unë nuk dua t’ia prish gëzimin të tjerëve. Dua të di përse erdhe ti në këtë dasmë dhe si të bënë këmbët që erdhe.

Je ulur në tryezë dhe po qesh siç qeshin ata që kanë një dërrasë mangut. Ti e kupton edhe vetë

që je i tepërt këtu. Ti e ndien që një njeri po të mallkon në këtë dasmë, se mallkimi i nënës nuk vete dëm kurrë. Megjithëse të nderojnë, ti e kupton që nuk duhet të kishe ardhur këtu. Mundohesh të fshehësh atë që të kupton, por nuk e fsheh dot. Të dridhet dora kur e ngre gotën e rakisë dhe në sy të kalojnë hije plot frikë.

Gjenerali ktheu dhe një gotë.

-E dini ç’mendoj?-tha gati me dinakëri, duke i afruar fytyrën priftit. -Kam qejf të ngrihem të kërcej një valle.

Prifti u mahnit!

-Seriozisht e keni?

– Pse jo?

-Do të ngrihem dhe pikë!

…Daullja buçiti prapë si gjëmim topi. Gërneta ia mori me të qarë, violinat e ndoqën pas me zëra të hollë, si zëra grash. Në mes të dhomës lindi dhe filloi të rritej embrioni i valles: në fillim me dy, pastaj me tre, pastaj me shumë njerëz. Gjenerali vështroi vallen. Pastaj vështroi priftin. Pastaj prapë vallen. Pastaj priftin. Vallen. Priftin.Vallen. Por…Gjenerali u ngrit. Tani ç’ishte për t’u bërë, u bë.  Gjenerali vazhdonte të rrinte në këmbë. Atij po i merreshin mendtë nga kjo furi e tërbuar, e rrezikshme dhe e ndritshme. Ai nuk e kuptoi sa vazhdoi. Vështroi disa sekonda nëpër mjegull fytyrat e djersitura të muzikantëve, grykën e gërnetës, që drejtohej poshtë e lart tymit si një tytë kundërajrore, sytë e mbyllur në ekstazë të valltarëve. Pastaj daullja heshti, telat u shkrehën dhe gjithshka ishte e magjishme e çdo gjë do të shkonte bukur gjer në mesnatë e ndoshta dhe më vonë, por tamam atëhere kur njerëzit po ktheheshin nëpër vende, u ndie një rënkim. Gjeneralin sikur e shpoi diçka. Dasma ishte plot zhurmë, për çudi të gjithë e ndien atë rënkim. Askujt nuk mund t’ia merrte mendja se rënkimi i plakës Nicë mund të ishte aq i fortë.

-Oi, oi!-qau ajo me zë të hollë. U bë papritur një heshtje e thellë, sa jo vetëm vajtimi, por edhe gulçimi i saj ndihej qartë. Po heshtja vazhdoi vetëm ca sekonda. Gjenerali pa se si menjëherë drejt plakës vrapuan njerëzit. “Ç’bën ajo, ç’do ajo. Pse qan?” -pyeti gjenerali, që u bë papritur esëll. Por askush nuk u përgjigj. Njerëzit u sulën pas plakës Nicë, dy gra e zunë për krahu dhe deshën ta kthenin me të mirë pas, por ajo thirri dhe u shkëput, dhe erdhi dhe ndaloi përpara gjeneralit. Ai pa fytyrën të shtrembëruar nga urrejtja dhe nuk kuptoi asgjë. Ajo se ç’i thirri, i bëri gjeste, i uluriu m’u në fytyrë dhe ai ndenji përpara saj dyllë i verdhë. Kja vazhdoi vetëm disa sekonda, sepse njerëzit e hoqën plakën. Ajo iku me shpejtësi drejt derës dhe doli jashtë. Gjenerali mbeti në këmbë dhe asnjeri nuk ia përktheu fjalët e plakës Nicë, sepse njerëzit nuk e dinin që prifti dinte shqip… tani në dhomën e madhe qe vendosur pak a shumë rregulli dhe njerëzit po uleshin përsëri nëpër tryeza. Pranë gjeneralit erdhi ai njeriu që ishte munduar të përkthente dollitë . Ai shpjegoi se plaka Nicë ishte një plakë e shushatur, mbetur qyqe, sepse në luftë batalioni ndëshkimor i kolonelit Z, i kishte varur të shoqin. Pastaj tregoi se koloneli i mori vajzën e saj në çadrën e tij dhe se vajza ishte 14 vjeçe dhe u mbyt në pus pa arritur ende në shtëpi, tek po kthehej në mëngjes herët nga çadra e kolonelit.  Pikërisht natën tjetër koloneli u zhduk. Thonin se ai shkoi përsëri natën te shtëpia e Nicës, sepse nuk e dinte që vajza kishte vdekur, dhe roja priste përjashta. Pastaj ai vonoi shumë, shumë më tepër nga ç’duhej, por roja kishte urdhër të priste gjer në agim. Në mëngjes në shtëpi nuk kishte asnjeri dhe asnjë nuk e mori vesh ku shkoi koloneli Z. Të gjitha këto ai i tha copa-copa, me fraza të ndërprera, të ngatërruara, që i binin si çekan në kokë. Gjenerali rrinte në tryezë si i mpirë dhe nuk ishte i aftë të mendonte asgjë. Sytë e tij takuan prapë sytë e priftit më duket se është koha për të ikur,- i tha gjenerali priftit. Prifti pohoi me kokë. Është tamam koha,-tha,- të ngrihemi me kujdes.

– Po. –Gjithë puna është që të mos biem në sy.

-Ngrihuni ju i pari. Unë po ju ndjek pas.

Asnjeri nuk e kuptoi si ndodhi që plaka Nicë u fut brenda. Ndoshta ishte pamja e saj që i bëri njerëzit t’i hapnin rrugë, ndoshta lutjet e saj, por sidoqoftë ajo hyri dhe të gjithë lëshuan thirrje dhe zëra. Ajo ishte e lagur qull dhe e ngjyer e tëra me baltë, krejt e bardhë në fytyrë, si një e vdekur , dhe në krahë mbante një thes.

Plaka Nicë qëndroi në vend, i nguli gjeneralit një vështrim, sikur nuk vështronte atë, por hijen e tij. Përmes të kollurave ajo i tha disa fjalë, prej të cilave ai kuptoi vetëm fjalën “Vdekje”. Përkthemani ,-thirri gjenerali sikur kërkonte ndihmë. Por asnjeri nuk ia përktheu. Gjenerali hodhi sytë përreth dhe ndeshi në vështrimin e priftit. Prifti u afrua: -Ajo thotë se dikur ka vrarë një oficer madhor nga tanët dhe pyet a jeni ju gjenerali, që mbledh eshtrat e ushtarakëve,-tha prifti.

– Po zonjë,- tha me zë të mbytur gjenerali. Atëhere plaka Nicë se ç’tha diçka tjetër, që prifti nuk arriti ta përkthente, sepse fjalët e saj të fundit u mbuluan nga një murmuritje e fuqishme dhe para se ta ndalonte njeri, ajo hodhi në dysheme, në mes të ulërimave të grave, m’u në këmbët e gjeneralit, thesin që mbante në kurriz.

-E kishte të varrosur tek pragu,- se kush bërtiti. –Korba ti, moj Nicë! Plaka Nicë u kthye dhe iku e lagur qull dhe e ndotur me baltë siç ishte, dhe asnjeri nuk mendoi më ta ndalte, sepse ajo që ishte për t’u bërë u bë!…

-Prift, ej prift kolonel, çohuni!-thirri gjenerali. Prifti brofi i tronditur.

-Çfarë po ndodh?

– Të ikim këtej sa më parë. Çohuni!

-Të ikim? Ku?

-Në Tiranë.

Gjenerali vështronte si i mpirë. Vetura ishte ndalur përpara një ure. Poshtë dëgjohej zhurma e ujërave. Gjenerali hapi derën dhe doli. Ai filloi të vërtitej me hapa të mëdhenj rreth makinës ai hyri përsëri në makinë dhe diç po kërkonte. “Ky thes është ters,-tha me zë të lartë.

–Çfarë thatë?-pyeti prifti.

-Thashë se ky thes është ters,-përsëriti gjenerali dhe po atë çast, me majën e këpucës i ra thesit. Thesi u rrokullis poshtë duke bërë një zhurmë të shurdhër.

-Çfarë bëtë?-pyeti prifti dhe doli me vrap nga makina.

-Ai thes ishte një shenjë e keqe,-tha gjenerali duke marrë frymë me zor.

–Ne shyqyr që e gjetëm. Kemi dy vjet që e kërkojmë.

-Për atë thes desh lamë kokën,-tha gjenerali i lodhur.

Ata u afruan të dy tek ana e xhadesë dhe vështruan poshtë, atje ku gurgullonte uji. Dritat elektrike të dorës mezi ndriçonin skarpatin e pjerrët.

-S’duket asgjë,-tha gjenerali,- do ta ketë marrë uji.

Makina u nis.

Tani ai vërtitet nëpër shtjellën e errët të ujit si në një ankth”,-mendoi gjenerali. Mbylli sytë për të mos parë gurët kilometrikë dhe u mundua të flinte. Por ishte e pamundur.

Vlerësime  për romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”

botimet ‘Albin Michel’, 1970- Francë.

Ismail Kadare i sjell lexuesit francez një roman të përmasave botërore, çka nuk është pak, por, gjithashtu, çka ia rrit më shumë vlerat, një roman, i cili është vetë zëri i Shqipërisë mijëvjeçare, që u flet bashkëkohësve për përtëritjen e saj.

Romani i Kadaresë është i rëndësishëm, sepse e tejkalon dhe e përtërin llojin e romanit mbi luftën, ashtu siç e njohim.

Robert Escarpit, në parathënien e tij për këtë roman vëren me një nuhatje shumë të hollë se: për gjatë dy vjet gërmimesh endacake ai (gjenerali) nuk sheh gjë tjetër nga ky vend mesdhetar veç baltrave të vjeshtës dhe dëborërave të dimrit. Përmes kronologjisë së rreptë dhe dramatike të rrëfimit, Ismail Kadareja i mohon atij pranverën, po ashtu siç i mohon dhe buzëqeshjen. Gjithçka fillon me shiun dhe dëborën, gjithçka përfundon me erën.”

Horsi Këpke

Në ‘Wiener Zeitung’, 1988, shkruan:

Eshtra ushtarësh në thasë najloni

Kjo temë që ka zgjedhur Kadare për romanin e tij të dytë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është me siguri një temë e veçantë, që e kishte prekur paksa në romanin e tij të parë “Dimri i madh” ku bëhej fjalë për prishjen e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik. Ndërsa “këshilltarët” e ushtrisë së kuqe i ka pushtuar vrulli i tërheqjes, vjen lajmi se në vend gjendet një gjeneral nga një vend perëndimor. Kjo ishte e vërtetë, por siç ndodhi më pas, vetëm për të mbikqyrur bashkë me një prift katolik kthimin në atdhe të eshtrave të ushtarëve të rënë italianë. Ato që atëhere ishin disa fjali të dorës së dytë, bëhen tani temë qëndrore. Në fillim gjenerali e shikon misionin e vet si një detyrë të shenjtë. Ai do t’u kthejë mijëra nënave eshtrat e bijve të tyre. Marrëdhëniet e tij me priftin, i cili gjithësesi ka gradën ushtarake të një koloneli dhe e njeh Shqipërinë qysh më parë, nuk janë pa tensione. Zhvarrosja e ushtrisë filloi më 29 tetor në orën 14.00. “Kjo procedurë ishte vendosur me përpikëri, paragraf për paragraf në një marrëveshje dhe të dy italianët mbanin një sërë skicash me vete. Maja e kazmës goditi tokën me një ton kumbues. Prifti bëri kryqin. Gjenerali nderoi ushtarakisht. Punonjësi i vjetër i komunales për varrimet ngriti kazmën me majë lart dhe e nguli disa herë në tokë”. Kjo procedurë ishte vendosur me përpikëri paragraf për paragraf në një marrëveshje dhe të dy italianët mbanin një sërë skicash me vete, të cilat përshkruanin pozicionin e çdo varri të veçantë. Gjenden kockat e para: ato i përkasin një burri 1.73 metra të gjatë. Ato dezinfektohen, futen në një thes najloni, mbi të cilin shkruhet emri i të vdekurit. Toni festiv i fillimit padyshim që nuk mund të jetonte gjatë. Në fund vjen pohimi: “Këto kocka janë thelbi i luftës, ato janë pikërisht ajo çka mbetet, si kripërat që mbeten në fund të enës, pas një reaksioni kimik. Pothuajse të gjitha eshtrat gjenden, vetëm kërkimi i eshtrave të një koloneli del i vështirë. Shqiptarët e kishin vrarë, sepse kishte përdhunuar një vajzë. Kështu shpërthejnë kujtimet për kohët e këqia. Shqiptarët sillen korrekt me përfaqësuesin e pushtuesve të dikurshëm, korrekt dhe krenarë. Një popull që jeton si i vetmi në Evropë, në një kohë të kaluar qyshkur. Largësia midis këtij vendi refuzues dhe atdheut të oficerëve, është shumë e madhe që ata të mund ta kapërcenin qoftë edhe pjesërisht. Ai mbetet për ta i huaj kur misioni i afrohet fundit. Gjenerali e kupton se ka marrë pjesë në një sipërmarrje mjaft qesharake. Ca kocka u futën me ca emra nëpër ca thasë. Të njëjtin funksion kryen. I vdekuri është i vdekur.

Ismail Kadare shprehet: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur është përherë “Gjenerali” dhe ma merr mendja që edhe sikur t’ia kisha ndërruar titullin shumë herë ai do të thirrej përherë me emrin e parë ashtu si gjeneralët e dikurshëm, që mund të bëhen më pas ministra madje, presidentë, por për masën e gjerë mbeten përherë gjeneralë.